Ballina Kryesore Kur poezia zbret si urdhëresë

Kur poezia zbret si urdhëresë

Nga Alfons Zeneli – poet, Tiranë

Nuk do ta kisha të lehtë për të shkruar së dyti një parathënie mbi librin e radhës me poezi të Hasan Selimit. Nuk do të ishte e lehtë për të bërë pak a shumë të njëjtën gjë për të njëjtin poet, nëse nuk do ndeshesha me emocione, meditime, gjendje e ndjesi jashtëtrupore, jomateriale, vrushkuj ajri, shpirti dhe dritëza që vijnë prej thellësive, të gjitha këto nën ritme dhe ngjyrime të reja. Gjithçka në këtë libër ka të njëjten ADN e atësi me librat e tjerë, por kësaj radhe, autori shkëputet e qendron, vrojton dhe përpunon materialin, lënden jetësore nga një dimension më i avancuar se më parë. Ndoshta nga më lart e nga më thellë brendësive të universit të mendimit të vet poetik.

Bash për këtë shkak gjatë leximit të poezive të këtij libri, ndeshemi me udhëtime të gjata të shtrira në kohë e në hapësirë, sa si përmasa horizontale aq dhe vertikale. Ky udhëtim i ngjan një fraksioni që bën drita duke përshkuar të pamatshmën, të panjohuren, të frikshmën e mbushur plot ankth e errësirë e po aq dhe vise të njohura të mbushur plot dritë, stinë, njerëz dhe sende të prekshme. Kjo drejtëz që shpon qiejt e shpirtit rreket të ndeshet e të kontaktojë me një numër të madh e gati të pafund objektesh, ndjenjash, mendimesh e nocionesh duke ndjekur fillin e krijimit hyjnor që nga qumështi e deri te përtej vdekja, që nga gardhi e deri tek konstelacionet, që nga loti e deri tek miti, që nga pluhuri e deri tek ylli, që nga uni e deri tek njerëzimi.

Poezia e Hasan Selimit tashmë vjen e sigurt prej kohësh, vjen si një fjalë e menduar mirë, e kaluar në një proces mistik formatimesh e përpunimesh, gjë që shpesh ndikon mbi thjeshtësinë e përceptimit po që në fakt të ndikon, të shkakton ndalje, të bën të mendohesh, apo më saktë të marrësh frymë e të mbyllësh sytë për ta shijuar sa më mirë e deri në fund të shpirtit. Është një poezi e ngjeshur, pra me densitet të jashtëzakonshëm mendimesh dhe përjetimesh e emocionesh të shprehura herë me një gjuhë të thjeshtë e të mbushur me mendim, e herë të shprehura me mjete shumë më të sofistikuara, por gjithsesi të qarta dhe të efektshme. Është e vështirë të gjesh vargje, ide, fjalë, apo strofa të cilat të mos jenë misionare, të qarta e të përgjegjshme të shprehjes së shpirtit, të përfaqësimit të mendimit dhe botëkuptimit të vet.

 Por jo vetëm kaq. Ato, poezitë janë të ndertuara në atë mënyrë sa të jenë të të gjithëve, janë të strukturuara sipas një arkitekture falë së cilës gjithkush që i lexon mund të gjejë në to një kthinë, një kullë guri, një shtëpi alpine në pyje, apo një stan në bjeshkë ku të prehet i qetë e të çlodhet, të bejë katarsis, të pastrohet nga pluhuri dhe smogu i një shoqërie me të mirat dhe të këqiat e saj.

Në një libër, egzaktësisht në këtë libër, mund të gjesh, shikosh e lexosh gjithë jetën. Jo thjeshtë të autorit. Gjithkush jetën e vet, gjithkush jetën e dikujt tjetër. Poezitë vijnë rrëmbimthi, krijojnë një lumë kryesisht të rrëmbyeshëm si një refleks gjeografik i Malësisë brenda shpirtit të tij, një lumë të mbushur me trupa, gurë, gjethe, rrënjë e të mbytur që shkojnë e derdhen në “det”. Rrallë duket ndonjë va aty-këtu. Atje pluskojnë të heshtura vashat, djemtë, dashuritë, puthjet e praruara, harrimet, kujtimet, lulet e padhuruara, portretet e miqve. Vargjet e thyer, por shumë ritmik, fjalët, imazhet e figurimet e befta, të papritura si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja, finalet e “çuditshme”, rrjedhjet e ujërave jashtë shtratit dhe shablloneve, delikatesa figurative, sheshpamjet dhe vendzhvillimet e ngjarjeve, krejt tërësia e poezive të Hasan Muzli Selimit përbën një profil jashtëzakonisht të veçantë poetik. Ai shkruan, sepse e ndjen si nevojë iracionale, si urdhëresë prej një Olimpi që është jashtë konceptit , përceptimit dhe njohurive tona. E gjitha kjo sjell në fund të leximit të librit, pjekjen e mendimit dhe konkluzionit tonë se Hasan Selimi është poet me vete dhe i pangjashëm me të tjerë.

Tiranë, dhjetor 2018