Ballina Aktualitet Të dhënat e INSTAT: Studentët po “braktisin” universitetet, 44 mijë më pak...

Të dhënat e INSTAT: Studentët po “braktisin” universitetet, 44 mijë më pak se 4 vjet më parë

Në katër vitet e fundit, për çdo vit akademik, në auditorët e universiteteve shqiptare po ulen më pak studentë. Në vitin 2018 u regjistruan rreth 129 mijë studentë, prej të cilëve 23 mijë janë regjistruar në universitetet private, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT. Në krahasim me një vit më parë, numri i studentëve ra me 7%.

Rënia ka qenë më drastike duke iu referuar 4 viteve më parë, ku numri i studentëve shënoi rekord prej rreth 174 mijë. Sot në auditorë ulen 44 mijë studentë më pak. Vetëm në Universitetet publike numërohen rreth 37 mijë studentë më pak.

Studentët nuk janë tkurrur vetëm në arsimin publik. Në universitetet private, tkurrja e numrit të studentëve ka nisur më herët. Në 2012-n ishin të regjistruar në universitetet private rreth 35 mijë studentë. Aktualisht në universitetet private studiojnë 23 mijë studentë, rreth 11 mijë studentë më pak. Rënia e studentëve në universitete private lidhet dhe me mbylljen e shumë institucioneve të arsimit të lartë jopublik, të cilat nuk plotësonin kushtet. 23 universitete private nuk kishin asnjë student në vitin 2018, sipas tabelës së publikuar nga INSTAT.

Ulja e numrit të studentëve po ndikohet kryesisht nga tendenca e plakjes së popullsisë, por edhe nga emigracioni i të rinjve. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e grupmoshës 15-24 vjeç u reduktua me 55 mijë persona në 2017-n, në krahasim me vitin 2014. Pesha e kësaj grupmoshe ka zbritur në 16% të totalit në vitin 2017, nga 19% që ishte një dekadë më parë (në 2007-n).

Rënie ka në të gjitha ciklet, por më e forta është te studentët e arsimit të lartë (-44 mijë), më pas në ciklin e mesëm (-32 mijë) dhe në ciklin e lartë të arsimit bazë (-32 mijë).

Përveç tendencës së plakjes së popullsisë, emigracioni dhe vendimi për të studiuar jashtë janë arsye të tjera të rëndësishme. Një studim i PNUD me studentët që jetojnë jashtë gjeti gjithashtu se shumica e diasporës shkencore shqiptare nuk dëshiron të kthehet.

Të rinjtë nga Shqipëria kanë një dëshirë të pazakontë për të studiuar jashtë vendit në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Anketa e zhvilluar me 303 studentë shqiptarë jashtë vendit kryesisht në Itali, Gjermani, Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pa se 70% i konsideruan studimet universitare si hapi i parë për të banuar jashtë vendit dhe 24.4% u përgjigjën “Ndoshta”.

Vetëm 5.6% iu përgjigjën se kishin nisur studimet jashtë jo si një mundësi për të jetuar atje. Në lidhje me kthimin në Shqipëri pas diplomimit, përgjigjet e nxënësve shqiptarë janë edhe më të qarta. 49% e tyre pohojnë se nuk kanë ndër mend të kthehem në Shqipëri në të ardhmen e afërt”, 32% u përgjigjën se “vijnë në Shqipëri për të punuar pas një periudhe kohore jashtë vendit”./Monitor