-Njoftim i posaçëm i 24 Dhjetorit 1943 nga Major Abaz KUPI, si përgjigje “Buletinit Bashkimi” lëshue nga Partija Nacional-Shlirimtare, me datë 7 Dhjetor 1943-.
______________
Gjithësesi nuk është e rastësi që Major Abaz Kupi të lëshojë një trak të tillë pikërisht më 24 dhjetor 1943, pasi kjo datë ka të bajnë me “Triumfin e Legalitetit” dhe prej vitit 1925, me dekret të Presidentit Ahmet Zogu ishte shpall “festë kombëtare zyrtare”.
Në këtë periudhë, rreth tre muaj pas kapitullit të Italisë Fashiste, Partia Komuniste Shqiptare ( në trakt: Partia e Nacional-Çlirimtares) hidhet në sulm frontal kundër Partisë Monarkiste “Lëvizja e Legalitetit” të drejtuar nga Major Abaz Kupi 51 vjeçar, pasi ky u largua zyrtarisht (sipas deklaratës të 19 nëntorit 1943) nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshënm Nacional-Çlirimtar.
Në këtë trakt të panjohun, që publikohet i plotë sipas origjinalit (jepet edhe një faksimile e pjesshme e tij) Major Abaz Kupi i ban të qarta publikisht arsyet e largimit nga Fronti NÇl i dalë nga Konferenca e Pezës (16 shtator 1942).
Ftohja politike e ideologjike e Abaz Kupit si përfaqësues i Legalitetit me PKSH kishte nisun prej kohësh duke u thellue, ashpërsue e diferencue në Konferencën e Mukjes në gusht 1943 e në atë të Labinotit në shtator 1943 derisa çoi në largimin e tij më 21 nëntor 1943, me themelimin e Partisë Mbretnore.
Në këtë trakt jepet qëndrimi i Abaz Kupit e partisë së tij lidhur me Çështjen Kombëtare Shqiptare për Kosovën e Çamërinë, për vazhdimin e Luftës Nacional-Çlirimtare kundër pushtuesve naziztë gjermanë, për rikthimin e Mbretit Zog I në Atdhe pas çlirimit, për aleancë parësore me anglo-amerikanët etj.
Në qëndrime të tilla Abaz Kupi mbeti i vendosur deri në fund të jetës së tij (1976) dhe gjatë mërgimit politik në Nju York ia bani më dije disa herë Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ky trakt i publikuem për herë të parë në të përditshen “Republika” përbën një dokument me vlera për historikun e Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ramiz LUSHAJ
__________________
Buletini i naltpërmëndur mbasi ma fort ka lidhje e flet për personin t’em, po i përgjigjem personalisht.
Në buletinin në fjalë me habi të madhe lexova disa dekllarata që nuk puqen aspak me të vërtetën, e prandaj me këtë rast due me vue në gjendje çdo shqipëtar për me konstatue si qindron realiteti.
Siç kam shpallun dhe me njoftimin lëshue prej meje me datën 19 Nanduer të k. v. unë kam vendosur dhe jam hequr me inisiativën t’ime nga Kryesija e Këshillit të Përgjithëshëm Nacional-Shlirimtar për arësyenat e treguese në njoftimin t’im të porsapërmëndur dhe për ato arësyena qi kam më poshtë:
Në të vërtetë unë jam largue nga Partija Nacional-Shlirimtare më rastin e shpalljes së Legalitetit më 21 Nanduer 1943, e jo pas kapitullimit të Italisë, se pas këtij evenimenti, unë jam që kam ba luftën e Krujës, tue pasë pranë edhe një çetë komuniste.
Asht e vërtetë që unë të kem mbajtun nji qëndrim të ftofët kundrejt Partisë Nacional-Shlirimtare qysh nga data e Mbledhjes të bame në Labinot më 25 Qershuer 1943 ku nga vendimet e marruna në Konferencën e Pezës më 16 Shtator 1942 konstatova shumë ndryshime, si p.sh. Këshilli që duhej të formohej prej 5 nacionalistash e 2 komunista, u paraqit prej 8 komunistash e 2 nacionalistash! Kjo gja më dha me kuptue se komunistat nuk donin me mbajt nji qëndrim të sinqertë, kundrejt nacionalistave, por ndënë maskën e luftës së përbashkët, kanë dasht me zbatue nji propagandë për me realizue programin e vet me parime thjesht komuniste. Këtë fakt ma forcoj edhe ma tepër prova e dhanun nga ana e Partisë Komuniste me prishjen e vendimit të marrun në Mbledhjen e Mukajt, mbasi nuk u pa e arësyeshme nga ana e drejtuësave të të tyne të huaj, që gjithë shqiptarët pa dallim ideje të realizonin një bashkim në interes të Kombit Shqipëtar.
Në buletinin që i përgjigjemi, midis tjerash, përmëndet se ”Abaz Kupi edhe përpara mbante në radhët t’ona një pozitë jo të kjartë!” Kanë të drejtë të thonë tash kështu për mua, se të kaluemet duhet të quhen të harrueme. Kur i harruan kaqë shpejt ndihmat e mija të bame në shuma të konsideruëshëme të hollash me anën e miqve të mij nacionalista pa pranue për vedi deri më sot asnjë santim? A s’ka qenë vepër e imja ndihma e përkrahja që u bahej haptas komunistave nga ana e oficerave, nënoficerave dhe ushtarëve të gjendarmërisë, shokë e bashkëpunuësa të mij të mëparshëm? A s’ka qenë vepër e imja ndihma e përkrahja nga ana e nacionalistave, dyke i fshehur dhe ushqyer brënda ndër familjet e tyre? Mirëpo sot këto ndihma e përkrahje shpërblehen me vrasjen e gjendarmëve dhe të nacionalistave nëpër rruga si qentë pse ndoshta nuk janë komunista.
E din gjithkush se unë as kam ba, as baj as që dhe kam ndërmënt me ba një politikë oportuniste. Qëndrimin t’im të premë kundër çdo okupatori e kam tregue me fakte tue fillue qysh nga data 7 Prill 1939 që Italija tradhëtisht okuponte Shqipëninë. Po këtë qëndrim kam mbajt deri më sot, dhe do të vazhdoj me e mbajt derisa jo vetëm Shqipënija e vjetër të lirohet nga zgjedhja e huej po edhe gjith tokat e banueme prej vllazënve shqipëtarë që në luftën e par kanë qenë dënue me vdekje, tue mbetun ndënë zgjedhjen e huaj.
Partija Nacional-Shlirimtare tue thënë se ”unë mbanja një politikë personale e bajraku” don me mshef të vërtetën. Kur unë kam qenë bashkue me atë Parti u kisha dekllaruar se, bashkohem me juve vetëm sa me luftue armikun, dhe në rast se Partitë e tjera do të veprojnë në bazë të programeve të tyre, at’herë unë kam me u nda për me veprue në bazë të programit të organeve legjitime të Legalitetit mbretëror para okupasionit. Derisa unë kam vendosë me u sakrifikue për Atdhe, në fjalorin tim nuk ekziston fjalë “frikë” Unë kurrë nuk kam sabotue formimin e Këshillave Nasional-Shlirimtare gja që e kam provue dhe me njoftimin t’im, si dhe me gojë; sa herë që kam pasë kontakt me popull u thosha që janë të lirë me marrë pjesë në Partinë që i pëlqen. Këshillat Nacional-Shlirimtare nuk janë formue gati në të gjithë Shqipëninë, mbasi populli nuk i pranon nga shkaku se, e ka kuptue që ato nuk kanë frymë nacionaliste dhe nuk synojnë mirëqenien e Shqipënisë, por të një ideje që masa e popullit shqipëtar e urren. Partija Komuniste tue përfitue nga ndihma dhe përkrahija që në fillim që i bëri populli shqipëtar, pa dallim ideje për me luftue anmikun, kujtoj se vuri në dorë gjithë popullin shqipëtar dhe me anën e Këshillave Nacional-Shlirimtare desh me vue në dorë dhe pushtetin e Shqipënisë; sikur dhe këtij qëllimi të mos ia mrrinte me të mirë e me politikë, të bante imponime me anën e terrorit. Partija e naltpërmendur në këtë pikë është fort e gabuar se populli shqipëtar i ka frikë e nuk mund të imponohet. Gjith’ashtu ma vonë ka për t’a pa, se ç’farë dëshiron populli shqipëtar. Partija Nacìonal-Shlirimtare thotë se formimin e Këshillave Nacional-Shlirimtare në Mat e në Krujë, i kam penguar unë, këjo nuk është aspak e vërtetë, se siç thashë ma sipër, nuk i pranon populli, se ajo që ngjet në Mat e në Krujë ngjet në të gjitha krahinat e Shqipënis. Populli ka plotësisht të drejtë të mos i pranojë këto Këshilla, se nuk formohen me votën e popullit, por tue u emnue nga Partija sipas qejfit të saj.
Organizimi ushtarak më pëlqen mbasi dhe vetë jam një ushtar i vjetër. Çetat që përbëjnë ushtërinë e Lëvizjes së Legalitetit, pse u mungon petku ushtarak, nuk mund të quhen bashibozukë; duhet t’a dini se ndër ato çeta marrin pjesë qindra oficerë të ushtërisë e gjindarmërisë kombëtare, të cilët për hir të profesionit të tyre, kanë dijt me rranjos ndër pjestarët e çetave t’ona ndiesinë e sakrificës për Atdhe, të disciplinës dhe të moralit. Ushtërija e jonë po të ishte e frymëzuar me parrullën: “kur të vijë koha” si mundi me derptue anmikun në Qafë Shtambë, me shpartallimin e Regjimentit të Kavalerisë “Guide” tue mbet i vramë edhe Komandanti i tij kolonel Skarpa; si mundi me vijue në Mat për gjashtë javë rresht luftrat Burrel, Liqen i Gërmanit, Zall i Gërmanit, Gjurë e Vogël, Dam-Shilbatër, Kurdari e Qafbuell dhe ma në fund luftën e Krujës. Përveç luftrave të Qafshtamës e të Krujës në mënyrë të sipërfaqëshme, buletinat e Partisë Nacional-Shlirimtare nuk kanë shpallur aspak luftrat e tjera të bame nga ushtërija e jonë. “Pse-në” le t’a thonë ata vetë. Megjithëkëtë, rreptësinë e këtyne luftrave e provojnë djegia e rrënimi i gati 2000 shtëpijave në Mat, që familjet e tyre edhe pse vuajnë pa strehë nën kërcnimin e dimrit, nuk janë aspak të pendueme, por krenare për sakrificën e bame për Atdhe. Partija Nacional-Shlirimtare mund të pretendojë se në këto luftra të kenë marrë pjesë dhe çeta partizane, asht e vërtetë, por këto çeta janë ajo e Nikoll Elezit që në Qafë Shtambë la pozicionet e caktueme qysh në pushkat e para, dhe ajo e Mustafa Kaçaçit në Kurdari, e përbame me nja 10 a 15 veta e jo tjetër. Ndër luftrat e Matit që i kanë qenë shpallur ndër buletinat e Nacional-Shlirimtares, kur takuam generalin italjan në Burrel, me rastin që kapitulloj Italija, na tha që kishin pasë humbje të randa, dyke shtuar se në Kurdari kishin luftue me një ushtëri të rregulltë. Damet që armiku ka pasë prej ushtërisë s’onë, nuk mund t’i ketë pasë kurrë në të gjitha aksionet e bame nga çetat komuniste tue pre do një makinë rrugës. Rëndësinë e një lufte së paprerë, jo vetëm çetat e maleve, por e ka kuptue i gjithë populli shqipëtar, që nga ma i madhi deri tek ma i vogëli, tue luftue me gjithë shpirt si me pushkë, me ndihma të hollash, me strehime, me ushqime etj.
Tash le t’a gjykojnë lexuesit nëse unë kam një luftë demonstrative, difensive ose për të mbajtur autoritetin dhe prestigjin personal.
E gjith Shqipënija e din se Organizata në të cilën unë baj pjesë (Lëvizja e Legalitetit) asht me parime krejt të veçanta nga ato që ndjek ajo e Ballit Kombëtar; por me qëllim që lufta kundër Okupatorit të bahej ma derptuëse, kam dasht të jenë të bashkueme të gjitha Organizatat shqiptare, si për rrjedhim të këtij parimi kemi Mbledhjen e Mukajt që u ba me propozimin t’im dhe me pranimin e dy Organizatave që ekzistonin në atë kohë (Nacional-Shlirimtare) dhe (Balli Kombëtar).
Sa për afrimin me ata që ishin në kompromis me okupatorin, më duket se Partija Nacional-Shlirimtare asht në gabim dyke thanë për mua, passi ajo Parti ka agjentët e saja edhe sot në çdo dikaster dhe ent qeveriar, si në Kryeqytet ashtu dhe jashtë nëpër Prefektura e Nënprefektura që bashkëpunojnë dhe bëjnë kompromise si me okupatorin ashtu dhe me qeveritarët që aji i quan tradhëtarë. Neve këta agjenta i njofim fort mirë dhe kemi në dorë listat me emnat e tyre.
Përmbajtja e kryerreshtit tretë të shtyllës së parë të buletinit të cilit i gjëgjem nuk i konformohet aspak së vërtetës. Unë kam qenë në bashkëpunim me Partinë Nacional-Shlirimtare vetëm me luftue okupatorin, dhe që kjo luftë të bahej ma derptuëse të bashkoheshim të gjitha Partitë shqipëtare dyke rruajtur secila tendencën e saj, deri në shlirimin e Atdheut. Sa për pikat e tjera të përmendura në këtë paragraf nuk kemi patur ndonjë marrëveshje.
Çështja e regjimit as që duhet diskutue pse de jure ekziston ajy i para 7 Prillit 1939, mbasi Mbreti ZOG nuk ka abdikue dhe ndonjë asamble kombëtare nuk e ka trazue. Sjelljen e Mbretit Zog I në Shqipëri duhet t’a quajmë të domosdoshme nga një anë për me psue në vend nderin e Shqipërisë. që na e cënoj një shtet i byrosë tue shtrëngue Mbretin Zog të tregohej përkohësisht nga Shqipënija dhe nga ana tjetër pse nevoja e tij për me bashkue Shqipëninë e me e shpëtue nga anarhija sot ndjehet edhe nga kundërshtarët e Tij. Përveç sa thamë, nuk mund të quhet vepër e ndershme me përfitue nga një okazion i armikut për me ndryshue regjimin, i cili mund të ndryshohet vetëm me anën e një asambleje të kërkueme nga ana e popullit shqipëtarë e në një kohë kur Shqipënija të jetë e shlirueme.
Me popujt fqinjë çdo shqipëtar dëshëron marrëdhanie të mira, por natyrisht dyke hequr dorë ata nga tokat e banueme prej shqipëtarëve. Këtë të drejtë shqipëtarët kurdoherë e kanë pretendue dhe do të vazhdojnë me e pretendue se s’ka shembull në botë që shumica e një Kombi të mbetet jashtë kufive të shtetit tij. Kjy qëllim i shqipëtarëve që nuk kanë përfitue lirin’ e tyre qysh tash 500 vjet e realizohet me këtë luftë, o kurrë. Prandaj asht detyra e çdo shqipëtari që Kosovën e Çamërin jo vetëm t’i pretendojë por të luftonjë e të shkrihet deri në pikën e fundit të gjakut përderisa këto të bashkohen me Nanën Shqipni.
Sa për qëndrimin kundrejt Aleatëve nuk ka nevojë të përmëndet pse nuk ka shqipëtar të mos e dijë se interesat e Shqipënisë janë të mbështetuna vetëm në politikën e aleatëve të mëdhenj.
Për shpalljen e Legalitetit nuk ka qenë nevoja të bënj as më të voglën propagandë e përpjekje, pse kjo ekzistonte dhe nuk ka qenë shue ndjenja e saj në shumicën e popullit shqipëtar.
Përkundrazi unë kam qenë ajy që e kam pengue shpalle saj për mos me shkaktue përçarje. Mora inisjaticën për me e shpall vetëm at’herë kur pashë shenjat e para të vëllavrasjes, pse nuk donja me ba ma pjesë në një Organizatë që vret shqipëtarë për hatrin e të huajve e ndoshta dhe me urdhën e dorën e të huajve (për këtë kam fakte). A ka mëkatë më të madhe që shqipëtarët të vriten si qentë nëpër rrugë pa kalue prej gjyqit. Nuk jam tue folë këtu për spiunët dhe ata që me vëpra pengojnë luftën për shlirimin e Shqipënisë, por për ata që vetëm pse kanë shfaqë ndonjë mendim ndonjë Partije ose tjetrës dhe për politikanët si Idomene Kosturí, bir i një shtëpije patriote të vjetër që ka dhënë disa dëshmorë për çështjen shqipëtare. Kët kategori personash duhet t’a gjykojë populli shqipëtar kur të shlirohet dhe historija, por jo një Kryetar çete pse ashtu i teket!
Nuk asht aspak e vërtetë që unë të kem ba ndonjë marrëveshje qoftë me Ballin Kombëtar ose me të tjerë.
Për Mbledhjen e Lurës ini informue keq, se ajo asht ba prej Mid-hat Frashërit, ku me një letër private të këtij të fundit, jam thirrun edhe unë. Kam shkue në Lurë dhe u ngarkova me ndërmjetësue për bashkimin e Parisë së Dibrës për një luftë imediate kundër okupatorit.
Sa për Organizatën e “Lëvizjes së Legalitetit” nuk ka nevojë t’a cilësoni juve pse na e dimë vetë se në ç’farë pozite të naltë qindron ajo, dhe juve do t’a shifni e do t’a kuptoni rëndësinë e saj kur rasti ka për t’a prue.
Urdhëni që kini dhanë për nji fushatë sistematike me shtyp e me gojë kundër Organizatës s’onë, nuk na bani as më të voglën përshtypje, pse jemi të sigurtë për karakterin prej graniti të njerëzve që marrin pjesë në Organizatën t’onë. Vetëm këshillojmë Partinë Nacional-Shlirimtare që fushatën e saj kundër nesh t’a kufizojë me aqë sa ka urdhënue, e jo t’a shtyjë ma tutje deri në ekstrem, se kundërveprimi i jonë në një rast t’ atillë ka për të qenë aqë i rreptë, sa jo vetëm ka për t’i çudit pjesëtarët e Partisë Nacional-Shlirimtare, por ka për t’i ba që të pendohen se ka me iu kushtue shum shtrenjtë.
Në qoftë se Organizatës së Legalitetit vjen t’i bahet një provokim me masa ekstreme, ajo nuk do të mundë me pranue asnjë përgjigjësi përpara popullit shqipëtar për kundërmasat që do të marrë për mbajtjen dhe hakmarrjen e pjesëtarëve të saj.
Major Abaz KUPI
24 Dhetuer 1943