Ballina Bota Ministri i Jashtëm gjerman, Maas kritikon shtetet që kundërshtojnë paktin për migracion

Ministri i Jashtëm gjerman, Maas kritikon shtetet që kundërshtojnë paktin për migracion

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka kritikuar shtetet që po kundërshtojnë paktin për migrim të Kombeve të Bashkuara, për të cilën pritet të diskutohet gjatë një konference në Marakeç javën e ardhshme.

Ky pakt, që nuk është detyrues, ofron udhëzime për të rregulluar çështjen e migracionit dhe mbrojtjen e të drejtave të miragntëve. Shtetet e Bashkuara dhe Australia janë në mesin e shteteve që kundërshtojnë këtë marrëveshje jo-detyruese, për shkak të shqetësimeve se pas një kohe kjo mund të bëhet e ligjshme.

Mospajtimet rreth migracionit ka edhe në mesin e qeverive në Evropë. Javën e kaluar, ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak ka ofruar dorëheqjen pasi shteti i tij refuzoi këtë marrëveshje.

Hungaria, Austria, Italia, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Polonia dhe Zvicra që të gjitha këto shtete publikisht kanë refuzuar këtë marrëveshje.

Duke folur për revistën Spiegel, Maas tha se vendimet e shteteve për të refuzuar paktin do të keqpërdoren nga “ata që shtyjnë përpara fushata dashakeqe dhe keqinformuese” kundër këtij pakti.

Ai shtoi se pakti “ofron për herë të parë një kornizë ndërkombëtare për kontrollin, organizimin dhe rregullimin e migracionit”.