Ballina Aktualitet Unaza e Re, ARRSH pezullon punimet, nisin hetimet

Unaza e Re, ARRSH pezullon punimet, nisin hetimet

Nga Armand Mero – VOA

Në Shqipëri, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi sot se ka vendosur të pezullojë aktivitetin ndërtimor të kompanive Biba X dhe DH Albania, për ndërtimin e një pjesë të Unazës së Re, pas publikimit mbrëmë të fakteve që hedhin hije të rënda dyshimi mbi falsifikimin e dokumentave nga ana e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e cila fitoi garën përmes degës së saj në Shqipëri, DH Albania. Prokuroria ndërkohë ka nisur hetimet, ndërsa opozita u shpreh se sipas saj u vërtetua vjedhja e qeverisë përmes këtij projekti.

Sipas dokumentave të publikuara në emisionin “Të Paekspozuarit” në televizionin “NEWS 24”, referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania amerikane Dunëell Haberman rezulton të jetë themeluar në shtetin Delawere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qershor të vitit 1998. Për këtë ajo ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware, Jeffrey Bullock, që vërteton aktivitetin e saj në këtë shtet dhe po ashtu dhe datën e themelimit 20 vjet më parë. Me dokumentave është dhe akti i themelimit.

Por verifikimi i bërë me autoritetet e Shtetit Delaware, zbuloi se dokumentat nuk janë autentike dhe se kompania ka falsifikuar të dhënat si për aktivitetin e saj ashtu dhe për datën e themelimit, e cila në të vërtetë i përket qershorit të këtij viti, pak përpara se në Shqipëri të hapej gara për ndërtimin e Unazës së Re. Kompania amerikane gjithashtu ka dorëzuar dhe bilance e fatura financiare, që dyshohet po ashtu të jenë të falsifikuara, pasi i përkasin viteve 2015, 2016 e 2017, pra përpara se ajo të lindte.

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpjegoi se se konsorciumi Biba X dhe DH Albania i kishin paraqitur dokumentat konform rregullave dhe se “nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak”. ARRSH bën të ditur se “do t’u drejtohet zyrtarisht autoriteteve amerikane dhe nëse manipulimi rezulton i vërtetë atëherë do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të projektit”.

Në këtë histori, rezulton disi e habitshme se si një kompani mund të ndërmarrë, sipas dyshimeve të deritanishme, falsifikime të përmasave të tilla pa patur garanci se nuk do të ketë verifikime për aktivitetin e saj real. Në garën për Lotin I të projektit të Unazës së Re, dega shqiptare e kompanisë amerikane, DH Albania, është rregjistruar në Shqipëri në muajin korrik të këtij viti, pak përpara se të hapej tenderi. Përfaqësuesi i saj është një 26 vjeçar shqiptar, Avdiol Dobi. DH Albania dhe Biba X (kjo e fundit rezulton të ketë vetëm 7 përqind në këtë konsorcium) fituan me një ofertë që përfaqëson gati 45 përqind të të gjithë investimit, ose pak më shumë se 18 milion euro (pa TVSH).

Nga ana e saj prokuroria nisi hetimet mbi rastin pas një kallzimi të bërë nga banorët e Unazës së Re që prekn nga projekti, fill pas transmetimit të emisionit “Të paekspozuarit”. Pika kyçe për momentin duket të jetë përfaqësuesi i filialit shqiptar të kompanisë amerikane, Avdiol Dobi, i cili rezulton të jetë pronar dhe i një kompanie të themeluar në 2016, me seli në Vlorë. Po ashtu dhe ortaku i kompanisë amerikane, shoqëria shqiptare BIBA X mund të hedhë dritë në hetimet mbi të vërtetën.

Opozita deklaroi sot se sipas saj u vërtetuan paralajmërimet e saj se Projekti I Unazës së Re është një aferë korruptive. “Tani është e qartë për të gjithë ju se projekti i unazës së re është një projekt vjedhjeje, dhe jo një projekt zhvillimi. Ai nuk bëhet për qytetin e Tiranës, nuk bëhet për njerëzit, porbëhet për xhepat e Edi Ramës. Sot Edi Rama ka nxjerrë sot ARRSH-në që të bëjë mashtrimin e rradhës. Së pari, ARRSH-ja e Ramës duhet të dalë e gjitha para drejtësisë sepse në vend që t’i shërbejë ligjit dhe shqiptarëve, është kthyer në një vegël për vjedhjet marramendëse të Edi Ramës”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Për drejtuesen e LSI-së, MOnika Kryemadhi “tashmë, Prokuroria ka përpara korrupsionin e tenderit, ka përpara dokumente të falsifikuara, ka përpara korrupsion në projektim, ka përpara falsifikim dokumentesh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj nuk mbetet gjë tjetër që të tregojë angazhimin e saj. Prandaj, edhe njëherë i bëj thirrje Prokurorisë shqiptare që të nisë sa më shpejt procedimin penal ndaj të gjithë hartuesve të këtij projekti famëkeq dhe grabitës disa herë të qytetarëve shqiptarë”.

Opozita e ka kundërshtuar që në fillim projektin duke ju bashkuar protestës së banorëve që preken nga zbatimi i tij.