Nga Ndriçim Kulla
Romë, 25 prill 1968, Kongresi Ndërkombëtar në kujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. “Qysh në mëngjes Shqiptarët dhe Arbereshët nisin të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u gjetë n’orën 10 gatí për t’u paraqitë te Shêjtnija e Tij Papa Pali i VI. Në sýt e të gjithvet shifej padurimi për të pá Shêjtnín e për të dëjjuar fjalën e tij”. Kështu fillon një artikull në “L’Osservatore Romano”, gazeta e njohur e Vatikanit ku me 26 príll 1968, në faqen e parë, në tekstin italisht dhe shqip, botohet edhe vetë fjala e Papës drejtuar shqiptarëve. Për shumicën e njerëzve, ai është krejt i panjohur, e për rëndësinë aktuale që zotëron, le ta nënvizojmë:
“Bij fort të dashtun Shqiptarë, po ju sjellim nji mirëseardhje të veçantë në ketë ditë qi jeni mbledhun për të kujtue Pesëqindvjetorin e Gjergj Kastriotit Skandërbeg, fatosit të kombit t’uej dhe t’emnit të krishtênë, pranë kësaj Selije Apostolike, të cilën mund t’a kundroni si shtëpín t’uej atnore. Na ju shofim me kënaqsí, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni ketë ditë âsht ai i gjithëmonshmi i fisit t’uej, i cili gjith herë mbí çdo interesë ká vû vlerat e trashigueme të besës, të nderit e të burrnís (shenim:fjalët e nënvizueme Sh. e Tij i tha në gjuhën shqipe)….Fatosi Skandërbeg ká qênë personifikimi i gjallë i këtyne cilsive: ai ju a ká lânë si trashigim, bashkë me miqsín e miqvet të vjetër t’Atdheut t’uej, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bân pjesë, mbasi e numron veten ndër ata qi kurr si dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ju a ká lânë në rojë e trashigim të shêjtën’Atdhé dhe në mërgim. Dhe në qoftë se historija ju ká pá të shtypun e të shpërndamë, mirsija e Zotit ká premtue qi ju, me të gjith misat e gjakut t’uej të shprishun (shenim: Papa e tha shqip ketë frazë), me veprimtarín e gjallë qi e keni në shpírt, dhe me njohuní të fitueme, u bâtë urë miqsísh e bashkëpunimesh, dhe në ketë mënyrë jeni bâ para-ardhësit e ekumenizmit modern”
Në po këtë ditë, me tituj të mëdhenj revista e njohur “Shejzat” boton shkrimin “Shqiptarët priten nga Papa Pali I VI – Papa u flet Shqiptarvet”. Ja se ç’shkruhet në të: N’orën 5 të mbasdrekës të ditës 24 príll, të ftuemit u mblodhën në “Aula Magna” t’Institutit Papnuer për të ndigjue konferencën e prof. Zef Valentinit. Salla e madhe ishte plot e përplot; shum vetë ishin të detyruem të rrijshin në kâmbë.
Fjala e oratorýt të shquem peshon shum, pse ky, gjith jetën e vet, qysh prej asajkohe qi vûni kâmbën në Shkodër, e deri sot, gadi 70 vjeçár, nuk ká bâ tjetër veç të hulumtojë historín t’onë në dokumentat e arkivevet italjane të Romës, të Napoli-t e sidomos të Venedikut. Valentini âsht italjan, por ká zgjedhë si atdhé të dytë Shqipnín…. Vetë Shêjtnija e Tij Papa Pali i VI, n’audjencën qi u dha Shqiptarvet, tue u sjellë drejt Át Valentinit tha: “Keni këtu At Valentinin, që unë e njoh që atëherë kur s’e kishte ende këtë mjekër të mrekullueshme që ka sot… Ka punuar shumë për këtë 500 vjetor, ashtu si dhe për të gjitha gjërat shqiptare, ndaj kërkojeni dhe dëgjojani këshillat që ju jep në gjithë mençurinë e vet”. Për të përfunduar me shprehjen tashmë emblematike: Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon paprerë, për t’ia bërë te ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhënë çështjes suaj mëndjen dhe shpirtin e vet. Ja, këto fjalë të kumbuara nga Papa Pali VI, përpara mijëra të ftuarve ndërkombëtarë që merrnin pjesë në solemnitetin kremtues të këtij kongres janë një nga majat kulmore të vlerësimit të aktivitetit të mrekullueshëm të një studiuesi të shquar, të një njeriu të ditur të shkencës, të një figure në përmasa poliedrike e me interesa të gjithllojshme, me një formim rigoroz shkencoro-kulturor, i cili u hodh me të gjitha forcat në vorbullën e njohjes së çdo aspekti të jetës dhe historisë së popullit shqiptar, të gjuhës e zakoneve të tij të panoramës sonë të pasur etnografike e arkeologjike, me rezultate të shkëlqyera në secilën prej këtyre, disiplinave, të atilla sa t’i japin sot unanimisht titullin e njerit nga mjeshtrit më të mëdhenj që ka njohur donjëherë shkenca e Albanologjisë.
San Lorenzo di Rovetta, Bergamo, Gusht 1967, Në njërë shtëpi të këtij borgu të vogël Valentini punoi për plot dy vjet, në përgatitjen e Kongresit Ndërkombëtar me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në 10 vitet e fundit të jetës, për të bërë realitet një plan shkencor të një përmase të jashtëzakonshme, që kishte për objekt studimi kapjen dhe evidentimin e të gjitha dokumentacioneve në lidhje me Shqipërinë Mesjetare dhe në veçanti me Shqipërinë e Skënderbeut, tashmë plak ai e gjen të nevojshme të “rekrutojë” forca të reja me rastin e festimeve në të gjithë Europën të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në “shkollën” e re të Albanologjisë që kishte si pike referimi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare dhe Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, vërshoi një numër shumë i madh materialesh dokumentare. U mendua atëherë, në ndarjen e tyre nëpër tri koleksione burimesh:“Akte shqiptaro-vatikanase”, “Akte shqiptaro-venete” dhe “Akte shqiptaro-mediolanensia”. Nga tri iniciativat e projektuara, vetëm dy të parat patën një fund, kurse për kodet e dorëshkrimeve dhe botimeve të shekullit 10-të dhe 11-të (ç’ka përbëjnë “Aktet Mediolanensia”) nuk kemi ndonjë shenjë. Do të fillonte kështu, një periudhë e dytë hulumtimesh, ajo që mund të quhet finalja e madhe e gjithë sinfonisë së tij kërkimore shkencore, sidomos për periudhën e historisë së Skënderbeut dhe studimeve venedikase.
Studimi i parë, një monografi e shkurtër me titull “Statusi Personal në Shqipëri në epokën e Skënderbeut” (1967) është frut i një kërkimi të imtë e të lodhshëm nëpër Arkivat e Republikës Venete. Në lidhje me studimet e marrëdhënieve me fuqitë e huaja në epokën e Skënderbeut, në veçanti për raportet e këtij të fundit me Papatin, Papa Mateo Shambra (1914–1967) ideoi një fushatë mbledhje burimesh për përgatitjen e një vëllimi të posaçëm. Një kërkim i tillë, do ta përfundonte Xhuzepe Valentini dhe Injacio Parrino, pas vdekjes së parakohshme të të ndjerit, duke pasur për subjekt planin e përgjithshëm të veprimit të Kryqëzatës së Madhe të inkurajuar nga luftaraku Papa Kalisti III (1455–1458), përballë shumëfishimit të sulmeve turke, ndaj vendeve të ndryshëm kristianë që do të organizohej në bazë të bashkimit të forcave të Europës, duke pasur për portë hyrëse Shqipërinë. Më vonë, dmth.më 1971, në kolanën “Studime dhe Tekste”, shfaqet një vëllim i tretë, i përpiluar vetëm nga Injac Parrini me titull “Akte shqiptaro–vatikanase”, interesant nga pikëpamja historike, sepse është i pasur me rreth 563 dokumente papnore që kanë lidhje me Shqipërinë gjatë viteve 1328–1482, të ruajtura në Arkivën e Vatikanit.
Nëse do ta krahasonim këtë mënyrë “festimi” që arriti të frymëzonte dhe drejtonte Valentini, me këtë festivitet pompoz që shoqëroi këtë 550 vjetor të kremtimeve për Skënderbeun sivjet në Vatikan, nuk mund të mos ndihesh i trishtë për këtyo dy qasje të ndryshme: I sotmi sipërfaqësor dhe pa brume, vetëm fotografik, i atëhershmi, i gjatë, i mundimshëm në rigoriozitetin e vet shkencor, përfaqsues, por edhe me rezultate e arritje. E akoma më keq, do të donim ta shihnim këndvështrimin e atyre që e kanë konceptuar kështu këtë përvjetor sivjet në Vatikan, larg përmbajtjes dhe arsyes së vërtetë, dhe shumë afër propagandës dhe dukjes së zhurmës. Ndaj edhe njëherë, ne duhet të tregojmë mirënjohjen tonë të madhe ndaj një shkencëtari të njëmendtë, professor At Giuseppe Valentinit, që diti të udhëheqë e të ringjallë një lëvizje albanogjike me këtë përvjetor, dhe një qortim të ashpër e të ndjerë ndaj të gjitjha atyre institucioneve akademike por dhe qeveritare që nuk e shoqëruan dhe shfrytëzuan këtë mundësi, mbrëmjen festive të organizuar në Vatikan, me konferenca e botime që do t’i bënin ndërkombëtarisht të njohura vlera e heroit tonë kombëtar dhe Shqipërisë së sotme, që si trashëgimtare e këtyre vlerave kërkon të hyjë në Europë.
*Titulli i Politiko. I autorit: Kujtesa e “dhimbshme” e një kongresi model dhe një mirënjohje e thellë për At Valentinin…