Ballina Kulturë Sot e takova rrugës Sadik Selmanin…

Sot e takova rrugës Sadik Selmanin…

Më 8 dhjetor 1986, plot 32 vjet ma herët, ndrroi jete Sadik Selmani i Grisë.

Poemë nga  Ramiz Lushaj

1.
Sot e takova rrugës Sadik Selmanin…
Te dy e kishim lanë duhanin.
Me fisnikëri e mbante në kambë veten.
Nga xhepi i majtë me dorë të djathtë
Ma zgati mirësisht paketën:
-Po ua çoj nga dy cigare me dashuri e mallë,
Ju të gjithëve sa jeni mbledh për mue në bar-restorant “Real”.

E të jehuen fjalët n’Qafë Morinë deri n’Qafë t’Agrit:
-Ju rrit’të ndera e bujaria Sadik Selmanit.
Peshë e mendjes, fuqi e burrit…
“Qytetar Nderi” i Nikaj-Mërturit.

2.
Sot e takova rrugës Sadik Selmanin…
Bash në kodër tek Blini i Grisë,
Në derë të kullës, në oborr të shtëpisë,
Vet i treti – me dy vllazën: me Ademin e me Ramën.
Tue ardhë këtu mes jush…
Të qeshun… e të veshun me të bardhin plis…
Veç Valbona e kthjelltë iu hynte midis…

Tri kullat e Selmanëve rritë me 30 shtëpia
I pret’ Ndera e trollit,
Prej kullave i përcjell’ Lavdia…
Disa për mendje, pushkë e penë i njeh’ Shqiptaria.

3.
Sot e takova rrugës Sadik Selmanin…
I kishte nisë djemtë nga kulla e tij në këtë sallë…”Real”.
Nuredinin, Zeqirin, Ukën – tre trashëgimtarë dinjitarë,
Çikat Florie e Xhbane si margaritarë…

Gjithkush i gëzohet Nderimit të Babës, lartësimit të Burrit.
Ma shumë kur vjen një nderim i tillë prej Nikaj-Mërturit.

Baba i Mirë,
Peshë e Madhe dhe Provë e Vështirë.
Kur bahet gjysh e stërgjysh,
Këto rriten shumëfish…

Mal i madh ky Sadik Selmani…

T’lumtunit juve,
breznitë e tij genetike – që e kini dhe ia dini…

Jeni të nderuar ju brezat e tij
Që emën e vepra lart ia mbani.

Mal i madh ky Sadik Selmani…

4.
Sot e takova rrugës Sadik Selmanin…
Si në legjenda dhe në jetë: 111 vjeç.
Si Shtylla e Grisë ishte i fortë.
Me ne udhëtar në këtë Botë…

Kullë e mendjes, derë bujare,
Lisnajë e vlerave mot pas motit
Me ne në këtë sallë, edhe Ditën e Sodit…

Po shoh se në kit’ mesditë ka ndalë dielli mbi Nikaj-Mërtur,
Me sy ag dhe rreze dritë e pret një burrë:
Po vjen n’kostum kombëtar ky kreshnik i Malësisë:
Ky burrë i kohnave – Sadik Selmani i Grisë!