Ballina Kulturë Misioni Apollo 11, në qendër të filmit “First Man”

Misioni Apollo 11, në qendër të filmit “First Man”

Mbarë bota po shihte më 20 korrik 1969, ndërsa një imazh i paqartë në ekranet bardhë e zi, tregonte se si astronauti Neil Armstrong shkeli në Hënë dhe ngriti flamurin amerikan. Në materialin në vazhdim, korrespondetja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou, tregon se si një film i ri biografik i hedh një vështrim jetës së astronautit Neil Armstrong, duke përshkruar kurajon, frymën e aventurës dhe përqendrimin nën presion, të cilat i hapën rrugën misionit historik ‘Apollo 11’. Filmi “First Man”, “Njeriu i Parë”, rrëfen gjithashtu ndjenjën e solidaritetit, angazhimit, sakrificës personale që entuziazmoi amerikanët dhe mahniti botën.

“Janë kohë të jashtëzakonshme dhe përballemi me një sfidë të jashtëzakonshme. Besoj se ky vend duhet të angazhohet që të realizojë synimin e dërgimit të njeriut në Hënë dhe kthimit të sigurt të tij në tokë”, shprehej atëherë Presidenti John F. Kennedy.

Misioni mahnitës i zbritjes në Hënë të ‘Apollo 11’, është momenti kulmor i dramës “First Man” të regjisorit Damien Chazelle që të mban pezull për dy orë e gjysëm. Përmes tingujve, muzikës dhe imazheve, regjisori e shoqëron audiencën përmes stërvitjes së vështirë, humbjes së jetës nga avaritë teknike dhe saktificave personale, që të gjitha sëbashku rezultuan në hapin e parë të njeriut në sipërfaqen e Hënës.

Aktori Ryan Gosling është mishërim i Neil Armstrongut, që drejton misionin “Apollo 11”, në një kohë kur ende vuan nga vdekja e së bijës, një bashkëshort dhe baba, që përballet me rrezikun e jashtëzakonshëm të uljes në Hënë.

Claire Foy interpreton në rolin e Janet Armstrong, një bashkëshorte e fortë, e qetë dhe inkurajuese, që i duhet të pranojë faktin që i shoqi mund të mos kthehet.

Në premierën e filmit në Muzeun e Aviacionit dhe Hapësirës në Uashington, DC, Ryan Gosling u ndje i mahnitur nga ikonat e aviacionit dhe eksplorimit të hapësirës që e rrethonin.

“U entuziazmova që zgjodhën pikërisht këtë vend për premierën. Ishte një zgjedhje e përkryer. Është hera e parë që vij këtu dhe shpresoj të kem rastin të shoh gjithçka”, tha ai.

“Ishte një përjetim i drejtpërdrejtë se çfarë nënkuptonin këto misione për këta njerëz dhe për familjet e tyre. Është diçka shumë e veçantë”, tha aktorja Claire Foy.

Damien Chazelle i tha Zërit të Amerikës se kishte dashur të sillte një portret intim të astronautëve dhe veçanërisht të Neil Armstrongut gjatë periudhës 1961 – 1969, ndërsa ata dhe familjet e tyre përgatiteshin mendërisht dhe fizikisht për misionin.

“Synimi im ishte të shihja përtej mitit të krijuar dhe të përshkruaja këta njerëz të zakonshëm në rrethana të jashtëzakonshme, që sakrifikuan gjithçka, vunë jetën e tyre në rrezik dhe dhanë aq shumë, që ne të mund të jetonim në një botë me një potencial të tillë njerëzor”, tha ai.

Megjithatë jo të gjithë janë dakord. Në një koment në Twitter, Senatori Ted Cruz kritikoi ashpër regjisorin se nuk ka përfshirë momentin historik kur Neil Armstrong vë flamurin amerikan në sipërfaqen e hënës.

“Hollivudi heq flamurin amerikan nga skena e uljes në hënë. Kjo nuk është e drejtë dhe përputhet me mungesën e respektit të majtistëve për flamurin dhe me mohimin e rolit të jashtëzakonshëm të Amerikës”, shkruante ai.

Zoti Chazelle reagoi duke thënë se vendimi për të mos përshkruar skenën historike ishte thjesht estetik, pasi ai ishte përqendruar tek emocionet e brendshme të Armstrongut, në një moment të tillë, ndërsa flamuri shihet në distance dhe nën vështrimin e gjithë botës.