Ballina Aktualitet Poeti Lulzim Logu vjen me librin poetik “Akoma hiri im” në katër...

Poeti Lulzim Logu vjen me librin poetik “Akoma hiri im” në katër gjuhë

Poeti tropojas Lulzim Logu, autor i shtatë vëllimeve poetike: “Kohën e engjëllit” (Poezi. “Dardania”, Tiranë, 1999), “Hiri” (Poezi. “Kristalina KH”, Tiranë, 2002),  “Pinoku i qytetit magjik” (Poezi. “Kristalina KH”, Tiranë, 2002), “Koha vdes si zemër” (Haiku e tanka, “Egnatia”, Elbasan, 2009), “Krishti i harruar” (Poezi haiku. “Egnatia”. Elbasan, 2010), “Pikë mbi i” (Poezi haiku. “Vllamasi”. Tiranë, 2013), “Frymë në një kuti” (Poezi. “Blini”. Gjakovë, 2014), vjen me vëllimin e tij të tetë: “Akoma hiri im” (Poezi e poema të Zgjedhura) në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht e greqisht.

            Kjo vepër e re shënon një tjetër arritje letrare të autorit Lulzim Logu në krijimtarinë e tij poetike dy-dekadore të botuar në Shqipëri e në Kosovë e, tashti, dhe në një vëllim poetik të përzgjedhur katërgjuhësh.

Lulzim Logu, në një kuptim të caktuar të realitetit poetik tropojas, është dhe “poet i poetëve”, pasi si poet dhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Tropojës i ka ndihmuar talente të reja poetike të trevës së tij poetike për të startuar e ecur në shtigje, udhë e lartësi poetike të kohës së sotme panshqiptare. Fryt dhe i punës së tij është dhe vepra voluminoze e cilësore “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës” (Bashkëautor. “Litografia”. Gjakovë, 2013) dhe ka në proces përgaditor “Antologji e Poetëve të Tropojës”. Gjithashtu, ka shkruar gjithato artikuj studimor, shënime kritike, esse, parathanie e pasthanie, recensa për vëllime poetike të autorëve të rinj e të njohur.

Vepër e punës së tij studimore është dhe “Tropoja – Enciklopedia e vendlindjes” (Bashkautor. Tekst shkollor. Botimet “Erik”. Tiranë, 2008).

Poeti Lulzim Logu vjen së shpejti tek lexuesit me romanin e tij të parë dhe një vëllim me tregime dhe novela.

Rali LURA

Tiranë, 6 dhjetor 2018