Ballina ED/OP Maqedonia nën hijen e shërbimeve sekrete!

Maqedonia nën hijen e shërbimeve sekrete!

Çfarë shteti është ai kur shërbimet sekrete i kanë diktuar proceset dhe politikanët kanë shkuar pas gjurmëve të krimeve të montuara, si zagari pas një gjahu të rrejshëm. Kujtojeni “Aferën e armëve”, “Sopotin”, “Monstrën”, “ngjarjet e Kumanovës”, “27 prillin” dhe do ta keni të qartë se kush realisht e ka menaxhuar këtë shtet, ndërkohë që politikanët kanë qenë vetëm shërbëtorë të DEBE-kavcave të regjur, që jo rrallë instruksionet i kanë marrë nga jashtë Maqedonia. Me fjalë të tjera, i bie që edhe një pjesë madhe e vendimmarrjes politike në Maqedoni është projektuar mbi këta skenarë, me frymë e ide jashtë të gjitha parametrave normalë të zhvillimit si shtet dhe si shoqëri.

Në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit (sipas dëshmitarëve që u prezantuan të hënën në gjykatë) paska qenë e involvuar Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit (DSK). Po del që “truri” që prodhoi prapaskenat e këtyre ngjarjeve të jetë locuar dikund në zyrat e këtij shërbimi. Thënë me gjuhën e teatrit, regjisorët e kësaj shfaqjeje makabre, paskan qëndruar gjatë gjithë kohës prapa perdeve, kurse rolin e aktorëve e paskan pasur turli rrugaçi e turli deputeti.
Po del që Maqedonia si shtet gjatë gjithë këtyre viteve pluralizëm politik, ka funksionuar mbi dy linja paralele të zhvillimit. Linjën e parë e ka përfaqësuar i ashtuquajturi institucionalizmi shtetëror (parlamenti, qeveria, gjykatat), kurse të dytin – parainstitucionalizmi (shërbimet sekrete të policisë dhe ushtrisë). Jo gjithmonë këto dy linja kanë pasur një objektiv (interes) të përbashkët dhe shpesh njëra linjë ka punuar për ta rrënuar tjetrën.

GJYQËSORI LEGJITIMONTE SKENAT E MONTUARA

Duke filluar nga “Afera e armëve” (1993), “afera e përgjimeve – veshi i madh” (1998,99), “atentati mbi Gligorovin” (1995), “Sopoti” (2003), “Monstra” (2012), “ngjarjet e Kumanovës” (2015), “afera e bombave në Kumanovë” (2003) , “ngjarjet e 27 prillit” dhe përgjimet e filluara para disa viteve dhe të vazhduara deri në ditët e sotme, të gjitha këto mega-skandale kanë ndodhur para hundëve të politikanëve të zgjedhur me votën e popullit. Parlamenti, si filtri më legjitim i të gjitha deformimeve në shoqëri, u tregua sistematikisht i pafuqishëm në parandalimin e këtyre aferave, me pasoja katastrofike për marrëdhëniet në mes të institucioneve dhe qytetarëve, por edhe në mes të etnive të ndryshme .
Gjykatat në anën tjetër, në vend se të ndriçonin të vërtetat e mjegulluara (lexo: montuara), ato u bënë palë me shërbimet sekrete në dëm të institucionave legale dhe qytetarëve në përgjithësi. Asnjë kryegjykatës, as kryeprokuror nuk dha dorëheqje, apo u shkarkua, si pasojë e prishjes së qëllimshme të vijave të hetimit.
Rasti i vrasjes me paramendim të voglushit Almir Aliu nga ana e një paranojaku të cilin gjyqësia na e prezantoi si “shofer të pakujdesshëm në komunikacion” dhe inxhinjeringu iditotesk i më pastajmë që iu bë kësaj ngjarjeje nga ana e gjykatësve e prokurorëve të pandërgjegjshëm, ilustron më së miri mjerimin moral të sistemit të drejtësisë në vend.
Çka është ky shtet që ka jetuar nën hijen e shërbimeve sekrete? Përderisa në shtetet demokratike, shërbimet sekrete iu kanë paraprirë proceseve (në rastin e bashkimit të dy Gjermanive, BND ishte një hap përpara Kancelarit Kohl), te ne ka ndodhur e kundërta. Shërbimet sekrete, të udhëhequr gjithmonë nga kuadro që njërën këmbë e kanë pasur në Shkup e tjetrën në Beograd, ose kanë punuar në kundërshtim me frymën demokratike dhe me interesat vitale të shtetit të tyre, ose kanë qenë në shërbim të politikave përçarëse e destruktive.

Për ta sqaruar këtë fenomen, po shkëpus vetëm një digresion të shkurtër nga përvoja ime gazetareske. Kisha takuar aty këtu ndonjë student që kishin filluar Fakultetin e Sigurimit në Shkup, por pas disa muajve kishin qenë të detyruar të braktisin atë për shkak se metodat e ashtuquajtura të zbulimit që përdoreshin aty nuk përkonin me kurrfarë standardi etik e professional dhe çdo njeri i ndershëm nuk do të pajtohej që njeriun e pafajshëm ta bënin me çdo kusht fajtor, kurse të inkriminuarin ta shndërronin në bashkëpunëtor dhe ta shpallnin si model të qyetarit demek lojal të shtetit. Profesorët e këtij fakulteti parapëlqenin që në “orët praktike” të demonstronin skena të kapjes së kontrabandistëve të drogës, por në të shumtën e rasteve “kapeshin” njerëz të pafajshëm sepse “operativët” e sigurimit gjatë bastisjes së makinës vendosnin pako me drogë dhe këtë e përdornin si “prove inkriminuese”. Jo rrallë njerëzit e pastër si loti, përfundonin në birucat e Shutkës a Idrizovës, ndërkohë që dilerët e vërtetë liheshin të lirë të bënin punë e tyre, që “rastësisht” qëllonte të puqej me interesat (lexo:xhepat) e segmenteve të caktuara të shërbimeve policore.

VENDIMMARRJA POLITIKE E BAZUAR MBI PROJEKSIONE TË GABUARA POLICORE

Kjo “shkollë dreqi” qe zbatuar edhe në “rastin e Sopotit”. Banorët e pafajshëm të këtij fshati vuajtën dhjetëra vite burg, kurse kryerësit e vërtetë të krimit ishin njerëz të shërbimeve sekrete, të cilët vet e kishin vendosur minën në të cilën shpërtheu një makinë e ushtarëve polakë në kuadër të NATO-s. Qëllimi i këtij aksioni ka qenë paraqitja e shqiptarëve si element destabilizues, fajtor për gjithçka, mënyrë kjo më e lehtë për ti nënshtruar edhe politkisht.
Çka të thuhet për “ngjarjet e Kumanovës” të 9-10 majit, 2015. Këto ngjarje nuk ndodhën vetvetiu, në mënyrë stihike. Ato dikush i ka ideuar dhe organizuar. Madje kjo punë u bë me bashkëpjesëmarrje. Plot individë nga Maqedonia dhe nga Kosova u kujdesën që këto ngjarje të kenë efektin dhe kontekstin e tyre. Mirëpo jo të gjithë individët u penalizuan për veprimet e tyre. Disa humbën jetën, të tjerët u burgosën me qindra vite burg dhe jo pak u dënuan me burgime të përjetshme. Por, të gjithë këta nuk kanë qenë vetëm dhe është iluzore të mendohet se veprimet e tyre nuk e kishin njëfarë parapërgatitje dhe njëfarë koordinimi.

Mirëpo çka ndodhi? Jashtë burgut mbetën ata individë që i organizuan ngjarjet e Kumanovës. Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ranë disa idealistë shqiptarë, që gabimisht u futën në agjendat e matrapazëve shtetërorë të Shkupit e Prishtinës dhe është për t’u habitur se si kjo e vërtetë vazhdon të mbetet disi e pluhurosur me tisin e misteriozitetit dhe paqartësisë.

Politika asnjëherë nuk arriti të lirohet nga mengelet e shërbimeve sekrete dhe pasojat e këtij shtërngimi i kemi edhe sot. Edhe sot njerëzit përgjohen dhe shteti nuk dihet se në duart e kujt është. Çfarë shteti është ai kur Drejtoria e Pestë (“Peta Uprava”) i ka diktuar proceset dhe politikanët kanë shkuar pas gjurmëve të krimeve të montuara si zagari pas një gjahu të rrejshëm. Kujtojeni “Aferën e armëve”, “Sopotin”, “Monstrën”, “ngjarjet e Kumanovës” dhe do ta keni të qartë se kush realisht e ka menaxhuar këtë shtet, ndërkohë që politikanët kanë qenë vetëm shërbëtorë të DEEBE-kavcave të regjur, që që jo rrallë instruksionet i kanë marrë nga jashtë Maqedonia. Me fjalë të tjera, i bie që edhe një pjesë madhe e vendimmarrjes politike në Maqedoni është projektuar mbi këta skenarë, me frymë e ide jashtë të gjitha parametrave normalë të zhvillimit si shtet dhe si shoqëri.
Nëse politika legale nuk reagon ndaj deformimeve që vijnë prej njerëzve të shërbimeve sekrete, atëherë ajo politikë është bashkëpjesëmarrëse në ato ngjarje, duke iu dhënë madje edhe legjitimitet institucional. Në shtetet demokratike, madje edhe kryeministrat dhe presidentët tërhiqen nga skena politike, kur opinioni publik zbulon dallaveret e tyre, sidomos të atilla që lidhen me skenarë shtetërorë për të futur njerëz të pafajshëm në kurth.
Në këtë atmosferë të tendosur policore, shqiptarët kanë pësuar më së shumti. Ata ka qenë dashur të jenë edhe “kryerësit” e veprave të rënda penale, por edhe paguesit e faturave politike. Atëherë kur qe montuar “afera e Armëve” (1993), shërbimet sekrete të Maqedonisë bënë diversionin më goditës mbi lëvizjen politike të shqiptarëve. Më vonë, të njëjtat shërbime, por me do faca të reja në krye të tyre, montuan “Sopotin”, “Monstrën”, “Brodecin”, “Kondovën”, “ngjarjet e Kumanovës”, “Alfat” etj. dhe nga konstruktorët e këtyre ngjarjeve quhej mençuri fakti që ja shqiptarët e kanë të pamundur të zhvillohen normalisht, madje me hendikepe të mëdha edhe në organizimin politik, për arsye se, gjithmonë sipas tyre, në gjirin e shoqërisë shqiptare paska plot elemente të inkriminuar dhe pa pastrimin e tyre kjo shoqëri, gjoja, nuk po mundka të ecë përpara.

GAZETARËT, NË GRACKËN E REZONIT POLICOR

Fatkeqësisht në grackën e këtij rezoni policor patën ra edhe disa gazetarë shqiptarë, të cilët storjet dhe komentet e tyre herë-herë i bazonin mbi insinuatat që prodhonte ky rezon dhe kjo ndodhte gjithmonë me ata që me çdo kusht ose lakmonin ndonjë grant të huaj, ose pa fijen e sensit dëshironin të dukeshin gazetarë të moderuar në sytë e kolegeve maqedonas. Kështu është kur para se të shkruash shqip, e mendon se si tingëllon fjalëkuptimi maqedonisht, sepse ndryshe nuk mund të meritosh përkëdhelinë e kënetës maqedone.|
Fundja, çfarë kuptimi do të kishte gazetaria hulumtuese, nëse ajo nuk zbulon diçka që dikush qëllimisht e fsheh. Por, në asnjë mënyrë hulumtimi nuk guxon të iniciohet prej të tjerëve, në të shumtë e rasteve prej shërbimeve sekrete, sidomos prej atyre që në mënyrë selektive, poshtëruese e joprofesionale synojnë të godasin ndonjë kundërshtar a jobashkëmendimtar. Sepse në këtë rast nuk kemi hulumtim të mirëfilltë gazetaresk, por një survejim të paligjshëm policor, i cili nuk e ka për bazë interesin publik, por diskreditimin e personave të caktuar. Jo rastësisht gazetaria hulumtuese i përdor edhe “veglat’’ e saj të punës që i shërbejnë si teknika vetjake të hulumtimit, siç janë: intervistat, dëshmitarët okularë, lajmet, deklaratat, anketat, reportazhet e ndryshme, hulumtimet arkivore, lundrimi në internet etj. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë gazetaria shfrytëzohet nga paradhomat e ndryshme të shërbimeve policore, si megafon për të përforcuar trullosjen publike përmes shantazhimit klasik të personave e institucioneve të caktuara, kurse privatësinë e njerëzve e nxjerr në ankand publik, duke iu nënshtruar linçimit, para se këtë ta kenë bërë organet kompetente, përmes procedurave të parapara të hetimit dhe procedimit të paanshëm.
Maqedonia para se të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së nuk mjafton të bëjë vetëm ndryshime kozmetike kushtetuese. Ajo, parasegjitash duhet të largojë gjithë bërllokun kundërmues nga shërbimet sekrete, sepse vetëm kështu ajrosja kalon nëpër ventile të pastër, kurse shoqëria do të merr merrte frymë lirshëm pa qenë nevoja të jetë e kontaminuar nga “shlivovicat” e Beogradit. (koha.mk)