Ballina Kosova Dhjetë vjet marëdhëniet Kosovë – Gjermani, flet për DW Behgjet Pacolli

Dhjetë vjet marëdhëniet Kosovë – Gjermani, flet për DW Behgjet Pacolli

Ministri i jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli në intervistë me Deutsche Welle-n dhe Radiotelevizioni i Kosovës, në kuadër të festimit të 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Zoti Pacolli, dhjetë vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Kosovë, cili është bilanci juaj? 

Behgjet Pacolli: Gjermania ka qenë prej ditës së parë me ne, ka qenë në një mënyrë shumë kualitative dhe është mëkat të harrosh miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Gjermanisë. Ky aktivitet na rikujtoi edhe njëherë atëherë kur Gjermania, edhe para shpalljes së pavarësisë e ndihmonte Kosovën. Prej momentit kur jemi liruar në vitin 1999 e këndej Gjermania ka qenë një prej kontribuuesve më të mëdhenj të shtetbërjes së Kosovës. Kosova ka sfidat e veta është shtet i vogël, i cili vet nuk do t’ia arrijë. Me miqtë, gjermanët, në krah është një shpresë më e madh se do t’i tejkalojmë ato. Tani po përballemi me sfidën e dialogut. Zgjidhja e tij do të funksionalizonte Kosovën. Sigurisht , këtë në këtë sfidë duhet që secili mik i Kosovës të avancojë me ide kreative.

Miqtë e Kosovës, ndër ta edhe Gjermania dhe SHBA, megjithatë nuk janë dakord me taksën që keni vendosur ju rishtazi ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

E di se janë kundër por ne duhet t’u tregojmë atyre se edhe Kosova ka krenarinë e vet. Ne jemi shtet që dhjet vjet dhe nuk mundemi të lejojmë që kushdo të shkelë mbi këtë çfarë kemi ndërtuar deri tani. Unë besoj se, nëse serbët janë të mençur duhet ta kuptojnë se pavarësia e Kosovës tani ka ndodhur, në 17 shkurt 2008, dhe nuk do të ketë kthim mbrapa.  Nëse ata zgjedhin të kenë marrëdhënie të mira me Kosovën, ata vetëm do të përfitojnë prej kësaj. Ata përfitojnë, sepse janë ata që do të venë mallrat e tyre në tregun e Kosovës. Po e shohim tani se sa e dhimbshme është për Serbinë kjo masë që kemi vënë prandaj besoj se edhe ata do të vijnë në përfundim se e vetmja rrugë mbetet që të ulemi në tavolinë dhe në mënyrë të barabartë, duke shikuar në sy njëri-tjetrin, si dy shtete të pavarura, të bisedojmë për ardhmërinë tonë.

Të martën ishte në Kosovë komisionieri Hahn dhe ai nuk arriti ta bindte Prishtinën për të ndryshuar qëndrim ndaj çështjes së taksave.

Unë nuk di me çfarë joshje do të vinte zoti Hahn e do të joshte dikënd në Kosovë që të tërhiqej në këto masa. Së pari, është dashur të kryhet puna në Beograd, t’i thoshte Beogradit se ekziston një shtet që ka shpallur pavarësinë e vet, ka një reciprocitet për t’u respektuar dhe nëse ata janë të gatshëm, ne jemi të gatshëm të tërhiqemi prej këtyre masave. Por ne duhet të kemi garanci të forta se do të implementohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, do të ketë një reciprocitet 100% mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm atëherë jemi të gatshëm t’i tërheqim këto masa.

Zoti Pacolli, ju premtuat liberalizimin e vizave, premtuat Interpolin, ndërkohë të dyja këto kanë dështuar. Vizat sipas të gjitha gjasave do të hiqen vetëm në vitin 2020. A nuk mendoni se duhet të ndryshoni diçka në politikën tuaj? 

Kam premtuar personalisht vizat, në bazë të premtimeve të Evropës. Gjithmonë na kanë thënë ata dhe unë e kam transmetuar premtimet që kemi marrë nga ata. Unë nuk jam ai që printon viza gjatë mbrëmjes. Ne jemi bazuar në premtimet e tyre, por Interpolin asnjëherë nuk e kam premtuar. Nëse shikoni intervistën që kam dhënë prej Dubait, kam thënë se ne kemi bërë çmos dhe e kemi merituar që të jemi anëtarë të Interpolit. Por në momentet e fundit u luajt një lojë jashtëzakonisht e keqe, e pamë se disa shtete jo të rëndësishme, disa shtete oqeanike dhe afrikane votuan kundër. Dështuam për arsye të lobimit të pistë, e kur e them lobimi i pistë ju e dini, dhe mbetëm kështu pa marrë votat e nevojshme.

Këto gjëra mund të ndodhin edhe në të ardhmen, çfarë mund të bëjë Kosova për t’i parandaluar ato?

Kosova ka marrë tepër vota në atë eveniment. Ju e dini mirë se të sigurohen dy të tretat e votave është jashtëzakonisht e vështirë, kur e dimë se gjeopolitikisht bota është ndarë në tri blloqe.

A mendoni se mund të bëjë diçka edhe Kosova vetë, pra ministria juaj, që një skenar i tillë të mos përsëritet?

Ne nuk kemi ndër mend të shkojmë e të paguajmë për lobimin tonë. Për anëtarësimin tonë ne nuk do të ndalemi, ne do të punojmë edhe më tutje. Por për mua ka qenë prapë një fitore për arsye se prej njëzet shteteve të abstenuara, 14 kanë qenë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, që na kanë mbështetur dhe shtetet që kanë votuar pro kanë qenë tetë shtete klasike kundër nesh. Tani jemi duke punuar me ta dhe shpresoj shumë se në një kohë të shkurtër ne do t’i konvertojmë këto në njohje.

Ju thatë që po presim propozime kreative për dialogun, po ju a keni ndonjë propozim?

Unë do ta inkurajoja çdokënd që ka ndonjë ide që ka ndonjë propozim kreativ, këtu nevojitet vetëm propozim kreativ. Unë personalisht e shoh se zgjidhja politike ka shanse minimale, do të kishte më tepër shans zgjidhja ekonomike. Ku dy shtetet do të kishin interesa ekonomike. Çka është zgjidhje ekonomike? Unë e kam thënë gjithmonë prej vitit 2007, që veriu i Kosovës të shndërrohet në një zonë të madhe ekonomike, me një pjesë të territorit të Serbisë, me një pjesë të territorit të Kosovës, dhe, nëse është e nevojshme, ajo zonë ekonomike të menaxhohet prej një entiteti të tretë. Aty unë e shoh zgjidhjen. Mirëpo  për këtë ide është ndoshta ende herët dhe duhet të presim që t’i vijë koha.

Ishujt Solomonë e tërhoqën njohjen e Kosovës dhe thuhet se do të ketë edhe 58 tërheqje njohjesh të tjera.

Paralajmërimet janë diçka tjetër. Ne kemi pasur rastin e parë, e kam parë këtë dokument. Është rasti i parë që një shtet e tërheq njohjen me shkrim zyrtarisht.

Përse?

Sigurisht, ka parë ndonjë interes më të madh diku tjetër dhe siç e keni parë tekstin, aty thuhet derisa të përfundojë dialogu. Dhe këtë sot nuk mund ta parandalojmë. Janë shumë shtete të shpërndara në të gjithë botën. Ne nuk do të ndalemi së lobuari. Prej 360 ditëve sa kam qenë në zyrë,  182 ditë i kam kaluar jashtë, gjë që po e bëj edhe tani, duke udhëtuar natën e duke punuar ditën, por këto janë kapacitetet tona.

Intervistoi : Anila Shuka (Deutsche Welle), Besart Galica (RTK)