Ballina Kulturë Ish gazetari i Zërit të Amerikës, i dhuron bibliotekës së Vatrës librin...

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, i dhuron bibliotekës së Vatrës librin e tij “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës”

Shaqir Salihu

Salihu: “Vatra historike e Nolit dhe Konicës, është ylli polar për pavarësinë e Shqipërisë. Qoftë për jetë një VATËR e ngrohtë dhe udhëheqëse në shtegtimin e Kombit tonë!”

BRONX – NEW YORK : Gazetari, mësimdhënësi e veprimtari i shquar shqiptar, Shaqir Salihu i dhurojë biblotekës së Vatrës në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, librin e tij “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës”, shkruan rrjetet sociale. Me këtë rast Salihu i cili është edhe anëtar i Vatrës, vizitojë shtëpinë e kësaj federate panshqiptare dhe dhurojë për arkën e Vatrës  500 dollar si dhe një pllak të gëdhendur në mënyrë artistike në dru me titullin ”KOSOVA”

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, i cili është edhe anëtar i vatrës për disa dekada, citohet të këtë thënë gjatë kësaj vizite se : “Vatra historike e Nolit dhe Konicës, është ylli polar për pavarësinë e Shqipërisë. Qoftë për jetë një VATËR e ngrohtë dhe udhëheqëse në shtegtimin e Kombit tonë!”

Libëri i Salihut prej gati 600 faqesh, përmban jetëshkrimin e autorit si një mësues në zonën e Lipjanit dhe historinë e një institucioni. Në këtë libër janë të përfshira përjetimet e tij si mësues në zonën e Lipjanit, përjetimi në burgjet serbe në kohën e Jugosllavisë e deri tek detyrimi i tij për tu nisur drejt Uashingtonit. Viti i tij i lindjes-1942 koincidon pikërisht me vitin e themelimit të “Zërit të Amerikës”, aty ku ai ka kaluar plot 32 vite të karrierës së tij si gazetar dhe producent, ku arrin që edhe larg atdheut të vazhdoj kontributin për lirinë e vendit.

Publicisti dhe gazetari i njohur nga Shkupi, Emin Azemi, vitin e kaluar në përmovimin e këtij libri e ka quajtur librin  si një “Shtegtim i pambaruar i një disidenti”.

Ai përderisa ka treguar për përmbajtjen e këtij librit shtoi se pas leximit të këtij libri lexuesi e kupton se sakrificat individuale dhe kolektive kanë pasur një cak të vetëm lirinë e atdheut.

Përshkrimi i një historie epike.

Një dramë, në të cilën e gjejnë veten shumë shqiptarë. Dhimbje, dhunë, shtypje, revoltë dhe një udhëtim homerik drejt lirisë. Një rrëfim për udhën e gjatë të një njeriu për të gjetur lirinë e tij dhe të vendit ku lindi, u rrit, u burrërua para kohe dhe të cilin nuk e shijoi dot tërësisht.

“Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” i ka të gjitha.

Shaqir Salihu

Është një histori personale. Është roman. Është poezi. Ka dramë dhe romancë; ka luftë dhe paqe; ka pranga dhe liri; ka intrigë dhe çiltërsi. Ka gjak; Ka lot dhimbjeje dhe lot gëzimi.

Nëse do të mësosh për Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore; shtypjen e fortë serbe të epokës së Rankoviçit; mësymjen për liri dhe të drejta të rinisë kosovare; demonstratat e vitit 1968, të gjitha i gjen në këtë libër, gërshetuar në mënyrë të stërholluar me histori vetjake, të vërteta e të përshkruara në detaj.

Ky libër është rrugëtimi i një njeriu që endej sa mes mbijetesës në varfërinë e skajshme dhe represionit serb; aq edhe mes burgjeve, torturave, diskriminimit dhe trajtimit si qenie e dorës së dytë, siç ndodhte me shqiptarët asokohe.

Është historia e autorit, e treguar rrjedhshëm nga ai, me një stil letrar e artistik që të bën ta përpish brenda një nate të gjatë dimri. Të ngjan si një përrallë që ta tregon gjyshja pranë zjarrit një natë të ftohtë janari, me dëborë e acar tej dritares që ka ngrirë e ku ti e dëgjon tërë kërshëri e nuk do të doje që nata të mbaronte pa mbaruar përralla më parë.

E derdhur në rreshtat e librit është historia e një konti të ri Monte-Kristoje, që i shpëton burgimit të egër dhe hidhet me anije përtej detit dhe oqeanit. Veçse nuk hakmerret duke vrarë ata që e burgosën. Nuk ndodh gjithçka brenda ditës. Nuk është as përrallë pra. Është histori jete. Zgjatet e zgjatet me halle e derte. Me sfida e kurajo. Me dëshpërim e shpresë. Gjersa autori e gjen hakmarrjen e shumëpritur.

Vendi për të cilin luftoi dhe u burgos kur ishte i ri, u çlirua më në fund dhe gjeti pavarësinë. E arritën tërë bijtë e tij me ndihmën e miqve amerikanë, nga zemra e vendit të të cilëve, nga kryeqyteti Uashington DC autori punoi jo pak për idealin e shqiptarëve: Kosova e lirë dhe e pavarur.

Nuk është vetëm përplasja me të ndryshmin, por edhe ajo me të ngjashmin. Jo vetëm lufta me hasmin, por edhe ajo me vëllanë. Në librin “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” gjithkush mund të gjejë edhe një histori të detajuar të një prej mediave më të mëdha shqipfolëse dhe që ka më shumë ndjekës, Zëri i Amerikës.

Autori ka punuar më shumë se 30 vite në këtë media, në Uashington DC. Përveç faktit që ai ka qenë dëshmitar i ecurisë së kësaj mediaje prej vitit 1980 gjer kur ai doli në pension ditën e fundit të vitit 2012, autori sjell edhe mjaft fakte dhe dokumente, si dhe prodhime ndër vite të shërbimit në shqip të Zërit të Amerikës.

Një libër që përmbledh gazetarët dhe drejtuesit ndër vite të shërbimit në shqip të Zërit të Amerikës, që prej themelimit në vitin 1943 e deri në ditët e sotme. Një rrëfim mbi intrigat, që janë jo të pakta në këtë shërbim, si dhe për arritjet e medias së njohur.

Një vështrim i brendshëm, përtej asaj që njerëzit shohin në ekran, kanë dëgjuar në radio apo lexojnë në internet. Një libër aq i larmishëm që nuk duhet të mungojë në raftin e lexuesve shqiptarë.