Ballina Bota Samiti i G20-ës nën hijen e krizës në Ukrainë dhe të luftës...

Samiti i G20-ës nën hijen e krizës në Ukrainë dhe të luftës tregtare

Udhëheqësit botërorë takohen të premten dhe të shtunën në Argjentinë për samitin vjetor të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

Samiti zhvillohet në kohën e tensioneve të reja midis Rusisë dhe Ukrainës dhe të mosmarrëveshjeve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e anuloi një takim të planifikuar me homologun rus, Vladimir Putin, në shenjë proteste ndaj aneksimit të anijeve detare të Ukrainës nga Rusia.

Trump tha se nuk do të takojë udhëheqësin rus “bazuar në faktin se anijet dhe marinarët nuk janë kthyer”. Incidenti ndodhi më 25 nëntor.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e fajësoi Rusinë për të dhe tha se do ta ngrejë këtë çështje me Putinin.

Në Argjentinë, presidenti amerikan, Trump, pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në lidhje me tarifat tregtare.

Shtetet e Bashkuara, qysh në korrik, kanë goditur me tarifa mallrat kineze në vlerë prej 250 miliardë dollarësh dhe Kina është hakmarrë duke vënë taksë mbi prodhimet amerikane që kapin vlerën prej 110 miliardë dollarësh.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Kina është e interesuar për marrëveshje, porse ai nuk e di nëse e do një të tillë tani.

Trump ka thënë se tarifat janë përgjigje ndaj politikave të padrejta tregtare të Kinës, që kanë zgjatur me vite dhe kanë dëmtuar ekonominë amerikane.

Samiti i G20-ës po ashtu shihet si test diplomatik për princin e kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, pas dyshimeve për përfshirjen e mundshme të shtetit të tij në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, muajin e kaluar, në Turqi.

Khashoggi, kritik i Qeverisë saudite, është vrarë më 2 tetor në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Zemërimi ndërkombëtar për rastin vazhdon dhe Kanadaja, të enjten, vendosi sanksione kundër 17 shtetasve sauditë që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se do të takojë në margjina të samitit të G20-ës princin saudit të kurorës dhe se do t’i japë “mesazh shumë të qartë”.

“Duam të shohim hetime të plota dhe transparente për atë që ka ndodhur dhe përgjegjësit të japin llogari”, tha May.

Grupi 20 mbledh së bashku udhëheqësit e 19 vendeve më të industrializuara në botë, plus Bashkimin Evropian.

Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë të gjitha të përfaqësuara.

Fokus i samitit dyditor këtë vit u tha të jetë “zhvillimi i drejtë dhe i qëndrueshëm”.

Takimi i vitit të kaluar, në qytetin gjerman të Hamburgut, është përshkuar me protesta të dhunshme.

Në Buenos Aires, qytetin e sivjetmë nikoqir, mbi 20,000 policë do të kujdesen për sigurinë.