Ballina Aktualitet Engel: SHBA e mbështet Kosovën në çfarëdo që vendos për kufijtë

Engel: SHBA e mbështet Kosovën në çfarëdo që vendos për kufijtë

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, nuk e komentoi në detaje idenë për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, por tha se SHBA qëndron në krahë të Kosovës në çfarëdo që vendosin udhëheqësit e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë [Kosovën] në çdo mënyrë të mundshme”, tha Engel.

Ai i bëri këto komente për gazetarët në Uashington, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi, në një postim në Facebook, tha se Engel, në tri dekadat e fundit, e ka përkrahur vazhdimisht Kosovën “në jetësimin e aspiratës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”.

“Mbështetja e tij dhe e SHBA-së për Kosovën ka qenë, është dhe do të mbetet përherë jetike për popullin dhe vendin tonë”, tha Thaçi.

(Video nga faqja zyrtare e presidentit Thaçi në Facebook)

Gjatë qëndrimit në SHBA, presidenti takoi edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, dhe këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Bolton.

Bolton tha se tani është koha për Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai ka deklaruar më herët se SHBA nuk e përjashton idenë e korrigjimeve territoriale, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.

Ideja për ndryshim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë është shpalosur nga vetë presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis tyre.