Ballina Personazh Tropoja nderon me titullin “Qytetar Nderi” ish Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun

Tropoja nderon me titullin “Qytetar Nderi” ish Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun

Sot, në një ceremoni solemne e festive, Bashkia Tropojë e nderoi me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Tropojës ish-presidentin e dytë të Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu, me motivacionin: Për kontributin e dhënë në të gjitha proçeset transformuese, demokratizuese dhe shtetndërtuese të Kosovës, vazhdues i denjë i veprës historike të Presidentit Rugova”.

Titullin e lartë ia dorëzoi kryetari i Bashkisë së Tropjës, z. Besnik Dushaj.

Në ceremoni ndodheshin dhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tropojës, z. Imer Hoxha; ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, dr. Islam Lauka; z. Xhem Neza – një nder personalitetet trojenike të Tropojës, etj. si dhe familjarë e miq të ish-Presidentit Sejdiu – të ardhur nga Kosova.

Prof. dr. Fatmir Sejdiu i lindur më 1952 në Podujevë të Kosovës, i origjinës së hershme nga Geghyseni i Tropojës në Shqipëri (çka e deklaron dhe vet, edhe sot), i diplomuar e doktoruar dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës; kryer studime të thelluara në Francë e Amerikë; me disa studime e botime shkencore, ka qënë President i Kosovës në dy mandatime (2006-2008, 2008-2010).

Prof. dr. Fatmir Sejdiu është ndër bashkëudhëtarët dhe vazhduesit dinjitarë elitarë e aktiv të kauzave e veprës së dr. Ibrahim Rugovës– Presidentit historik të Kosovës, prej nga 23 dhjetori 1989 i Kuvendit Themelues të LDK-së e, mbasandejna, në të parin Kuvend Zgjedhor më 1991 u zgjodh antar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, në Kuvendin Zgjedhor të 1992-shit antar i Kryesisë së LDK-së, në atë të vitit 1994 u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së dhe tani është President Nderi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Prof. dr. Fatmir Sejdiu ka qënë dhe antar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës (1991); ndër njerëzit kryesorë për përgaditjen dhe organizimin e Zgjedhjeve Parlamentare dhe Presidenciale të Republikës së Kosovës (1992, 1998). Ai ka qënë dhe deputet i Kosovës në disa legjislatura si dhe i zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, kryetar i Komisionit për Çështjet Kushtetuese, etj.

Ish Presidenti i Kosovës gëzon disa dekorata për veprimtarinë e tij si nga Presidenca e Kosovës Medaljen Presidenciale (2018) për rolin dhe kontributin e tij për Pavarësinë e Kosovës dhe për rolin e tij  udhëheqës që ka pasur për procesin e Vjenës për bërjen e Kosovës shtet të pavarur; nga Presidenca e Shqipërisë me dekoratë nga ma të lartat: “Urdhri Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (2008) për kontributet e tij për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës dhe demokracinë në Shqipëri, për forcimin e marrëdhanieve në mes dy vendeve; me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës (2006); si dhe në Tropojë me titullin “Qytetar Nderi” i komunës së Margegajt (2011), që shtrihet përgjatë luginës së Valbonës; etj.

Prof. dr. Fatmir Sejdiu, para, gjatë e pas mandatave të tij Presidenciale ka qënë dhe mbetet i interesuar për Tropojën, mbetet i lidhur me problematika, zhvillime e personalitete të Tropojës; ka dhanë kontribute të tij për shumçka e ndër vite për Tropojën, por do të thoshja se Tropoja e Tropojanët mirëpresin nga ish Presidenti i Kosovës e “Qytetar Nderi” i Tropojës, që të ketë ma shumë lobim e vetveprime për integrimet e Tropojës (Malësisë së Gjakovës) me Kosovën dardane, si për fillimin e kryemjen e vepres madhore autostradore Koridorin Adriatik-Alpe, si dhe për rikonstruksion e asfaltim të autorrugës nga Buçaj-Gegaj-Koshare e thirrun “Rruga e Lirisë” së Luftës së fundit të Kosovës (edhe me ngritje Pikë Kufitare e Doganore në Padesh-Koshare); të autorrugës nga Kami në Qafë të Prushit, etj.

Të jesh “Qytetar Nderi” në Tropojë është nder e krenari e lartë, pasi Tropoja është toka dardane e personaliteteve të shquara kombëtare shqiptare të politikës e diplomacisë në funksione e detyra të larta ndërkohna, si: Haxhi Zekë Byberi, Binak Alia, Hasan Prishtina–Hero i Popullit, Bajram Curri–Hero i Popullit, prof. dr. Sali Berisha, Azem Hajdari–Hero i Demokracisë,  dr. Rexhep Krasniqi, Besnik Mustafaj  e dhjetra të tjerë, ndër të cilët tashma renditet meritor dhe prof. dr. Fatmir Sejdiu, i origjinës së hershme tropojane (nga Geghyseni i Krasniqes), “Qytetar Nderi” i Tropojës e ish Presidenti i Kosovës e vazhdimtari i vepres së dr. Ibrahim Rugovës.

 

Ramiz LUSHAJ

Kryeredaktor i gazetës “TROPOJA”

Tropojë, 27.11.2018