Ballina Kulturë Burojnë lumenjtë e Shqipërisë

Burojnë lumenjtë e Shqipërisë

Nga QAZIM SHEHU

Burojnë lumenjtë e Shqipërisë

 

Në Greqi,Maqedoni,

Sapo Vjosa hapin nis

Hapin nis Drin i Zi…

 

Në kufirin shtetëror

Kokëturfulluar shtriqen

Burimit ujë me hir e me zor

I marrin dhe nisen…

 

Derdhen në det dhe mbajnë

Sekretin e burimit të urtuar,

Pikëllimin  me ne ndajnë

Si nëna të penguara…

+++

Po në Shqipëri, si për inat

I shtrydhin në hidrocentrale,

Edhe Valbona e hodhi krahëqafë

Një pikëllim dionisian plot gajle.

 

Edhe Fani e braktisi

Shtratin e tij shekullor

Futi kokën  malit dhe vaisi

Kryet në një tërthor…

 

Devolli po kështu,

Edhe një rrjedhë e panjohur

Braktisi pa dashje ngjyrën blu

Dhe u shtri në tuba e lodhur…

 

I futën në tuba me tërbim

Pasanikët mizorë,

Ndrit pika e ujit si rubin,

Thërmuar  turbinave ashkëlorë…

 

Dritë të ligë duke lëshuar

Në kufoma parash të majme

Dhe malet shtyjnë me duar

Të gjejnë shtratet e thame…

 

Të kthehen në burim s`munden

Të zhyten në det kush s`i lë,

Dhe zotit tash po i luten

Ta braktisin këtë dhe…

 

EDHE VRASËSI KA ATDHE…

 

Edhe vrasësi kanë atdhe,

Ndërsa përdëllohejt nga një Circe…

Edhe shfarosësit kanë një peng

Edhe ata dinë të qajnë nga një këngë.

Po kujtimi i tyre është aq i rëndë

Sa të mbajsh një iriq nën mëngë.

 

MË RRITËN KËTO ARA…

 

Me zjarrin e misrit të bardhë

Me bukën e çerepit,

Me ca tinguj  pa radhë

Që  iu afruan djepit

Dhe muzgje si mullarë

Që varnin  qeleshen

Në plepat komandantë

Që urdhëronin heshtjen,

Më mbrujtën këto ara,

Duke gëzuar vjeshtën

Me prodhime të mbara…

Ato ishin të përjetshme

Ashtu janë dhe sot,

Me heshtjen e ngeshme

Dhe plepat  pikëçuditëse

Në çdo lëvizje vjeshte

Ku pikat kthehen në lot…

 

 PAGJUMËSI

“Tash sa kohë po don me gdhi e s`po mundet…”Azem Shkreli

 

Një re ngrihet nga lumi

Në shtëpi të qiellit shkon,

Pagjumësia e shkumtë

Ëndrrën dështon..

 

Agimi shtyn portën e natës

Po orët dot s`i shty,

Minutat janë të sakta

Si një dhe një që bëjnë dy…

 

Në lumë të hidhësirave pi,

Re e pagjumësisë,

Plumb i lodhur rri

Mbi qepallë

Si dëborë mbi strehë të çatisë.

MAKSIMUM

Kush është maksimun i fjalës

Mos është lavdia?

Përflaket shtrat i andrallës

Tek  dashuria?

Lavdia i kthehet e penduar jetës

Për çfarë e gënjeu shkëlqimi,

Dhe shkon me buzë të rreshkur

Tek burimi…

Sa shpejt kanë ecur vitet

Dekadat shpejt kanë ecur,

Dhe janë rrezur mitet

Që mendjen na kanë tredhur.

Veç nuk rrëzohet jeta…

NDALESË

Kërciti derë e zemrës sate dhe

U hap.

Po pragu gjer tek gryka

M`u ngjit lart…

 

PËRROIT TIM…

Përroit ndanë strehës sime

Ujin ia pija krejt,

Mbi të fluturonin xhinde

Dhe  asnjë shenjt…

Dhe kur bubullonte

Kur stuhia sterronte

Ai mbi rrugë shkonte

Kërcënonte…

Në verë thahej krejt

Ndoshta i penduar…

Dhe gurët  sklepë sklepë të zbuluar…

Pastaj stuhia vinte

Dhe ndihej i gjallë,

Dhe kur shkrofëtinte

Turfullonte si kalë…

Në mendje një vragë më linte

Të ndihesha  me të si në përrallë,

E ndalja shiritin e tij të fantazisë

Mos ikte shpejt…

Tani s`di ç`bëhet me të

Po  me siguri,

Ujin e tij nuk e pi njeri…

Nëpër zgolla shfryn

Një pikëllim të zi…