Nga Prof. dr. Teuta Arifi – Tetovë, Maqedoni
Shqiptarët në Ballkan këtë shekull të ri po e ridefinojnë veten me kthesa të mëdha politike, sociale, kulturore e arsimore. Parë në kontekstin historik padyshim që kombi ynë ka kaluar në kohëra të vështira, ngjarje dhe rrethana që i kanë vënë shqiptarët përballë sfidash të mëdha politike dhe shoqërore. Kur flasim për shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë administrative këto sfida kanë qenë një luftë e vërtetë për ekzistencë.
T’i gjesh këto ngjarje dhe shumë të tjera të analizuara në librin e një vajze me moshë të re padyshim që lë një shije të mirë për pritshmëritë që mund të kemi ndajë brezit të saj. Prandaj e them me bindje që libri “Të jesh shqiptar” (i Maqedonisë) i sociologes Fatjona Geci, është një veçanti në botën e studimeve socio-politike e veçanërisht për këtë pjesë të shqiptarëve në Ballkan. Veçantia qëndron tek fakti se në këtë libër kemi këndvështrimin e një vajze të re lidhur me një sërë ngjarjesh që nuk rastis shpesh të ngjallin kureshtje studimi nga kjo moshë, por dhe tek përmbajtja e librit, ku përfshihen përmbledhje të dhënash historike të ndërthurura edhe me mendime e vlerësime nga intelektualë dhe pjesëmarrës në proceset socio-politike të çerekshekullit të fundit. Duke sjellë në vëmendje të opinionit publik një pasqyrë reale të shumë ngjarjeve ku kanë ndodhur kthesa të mëdha dhe që kanë diktuar rrugëtimin e shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë.
Në këtë libër, autorja bën një kronologji ngjarjesh, ku përshkruan statusin e shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX dhe fillim shekullin XXI, duke përshkruar ngjarjet më me peshë nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët jashtë kufijve amë. Ngjarje, që fillojnë me pozitën e shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore, pakënaqësitë dhe demonstratat e vitit 1968, ndryshimi i Kushtetutës në vitin 1974, demonstratat e vitit 1981, pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991, hapja e Universitetit të Tetovës më vitin 1994, Lufta e Kosovës, Lufta e 2001-shit në Maqedoni etj. Duke vënë theksin tek Marrëveshja e Ohrit e cila u jep shqiptarëve në Maqedoni mundësinë e fuqishme të shtet formimit nëpërmjet rregullativave të reja që kjo marrëveshje solli.
Pjekuria me të cilin është bërë grumbullimi dhe përshkrimi i këtyre ngjarjeve, vërehet edhe tek fakti që autorja me qëllim që të jetë sa më neutrale në librin e saj përkujdeset dhe me delikatesë merr opinione edhe nga pala maqedonase. Opinione që kanë të bëjnë me zhvillimet politike e demokratike dhe rolin e shqiptarëve të Maqedonisë në këto procese, nga personalitete të cilët në skenën politike maqedonase janë që nga mëvetësimi i shtetit dhe janë njohësit më të mirë të rrethanave dhe ngjarjeve në këtë shtet. Sitja e mendimit dhe trajtimi i çështjeve me objektivitet bëhet edhe më i plotë me opinionet dhe qëndrimet e bëra nga personalitete të jetës politike dhe intelektuale nga Kosova e Shqipëria të cilët kanë vepruar ose jo në Maqedoni, por që janë njohës të mirë të realitetit në kohëra të ndryshme.
Shqiptarët në Ballkan janë një popull që krijojnë balancë, por nëse i referohemi veçmas popullatës së mbetur jashtë shtetit shqiptar ajo kryesisht ka qenë e koncentruar në ruajtjen e identitetit kombëtar, por jo me mundësinë e pasjes së shtetit. Kontributi dhe sakrificat e brezave të tërë kanë hedhur dhe konsoliduar themelet mbi të cilat shqiptarët ngrenë sot angazhimin e tyre si një popull me të drejta vendimmarrëse në shtetin e Maqedonisë. Si një popull i cili posedon vlera universale demokratike, që di të respektojë tjetrin duke pasur vetëdije dhe qëndrim për prejardhjen e vet. Sot, shumë çështje që mund të analizohen në distancë kohore kanë pësuar transformime falë vendosmërisë dhe pjekurisë që shqiptarët kanë treguar përgjatë të gjithë këtyre dekadave sidomos pas viteve 90-të.
Fatjona Geci, me këtë libër duket të ketë sfiduar veten me përbërjen e tij dhe brenda kësaj sfide për të mbetur e vërtetë dhe me pikëpamje të balancuara e bën përmbylljen e librit me kapitullin e intervistave. Duke parashtruar në to tema që ngjallin debat, por edhe që japin një reflektim real të asaj se në çfarë drejtimi duhet të jetë kursi politik shoqëror, kulturor, ekonomik, i shqiptarëve në Maqedoni. Tema që sjellin në vëmendje kalvarin e përvuajtshëm historik të së shkuarës, por edhe përqendrim në të sotmen kur flitet mbi rolin aktual të shqiptarëve në politikbërjen dhe avancimin e shtetit drejt aspiratave euro-atlantike si e ardhmja që shqiptarët e mbështesin pa rezerva. Ky libër duke u mbështetur në të dhëna historike e mbi të gjitha duke marrë në konsideratë vlerësimin dhe opinionin e disa prej figurave protagoniste drejtpërdrejtë ose jo në zhvillimet e fundit në Maqedoni, konfirmon edhe një herë se shqiptarët qoftë në aspektin politik e qoftë në atë social janë një element i qenësishëm pa të cilin nuk mund të ekzistojë nocioni shtet. Ky libër duke bërë bashkë figura të sferave të ndryshme të jetës publike në trojet shqiptare, i kontribuon përforcimit pikërisht të kësaj ideje.
Pra, “Të jesh shqiptar” me të gjitha të dhënat dhe opinionet që përfshin është një kontribut i vlefshëm që vjen nga një autore e re në moshë, por që në këtë libër ka dëshmuar një pjekuri të dukshme në idenë e saj që në fakt është një realitet i pakontestueshëm, që Maqedonia mund të jetë një shtet i mirëfilltë demokratik dhe perëndimor vetëm me prezencën dhe kontributin që u takon edhe shqiptarëve si komuniteti etnik i dytë më i madh në vend.
______________
1.- Fatjona GECI, poete, studiuese, gazetare, përkthyese. Ka lindur në qytetin Bajramcurri të Bashkisë së Tropojës. Ka diplomuar në Fakultetin Filozofik në degën e Sociologjisë në Universitetin e Tetovës. Ka magjistruar (mastër) në degën e Sociologjisë me temën: “Roli i Shqiptarëve të Maqdonisë në proceset euro-integruese të vendit”. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në mediat vizive dhe ka qënë pjesë e zyrës për informim në disa institucione qëndrore të Maqedonisë. Ka botuar disa libra me poezi: “…se jetuam” (Botimet ADA. Tiranë, 2006), “Serenata e mallit tim” (Botimet West Print. Tiranë, 2009), etj. si dhe libra të përkthyer. Libri studimor “Të jesh Shqiptar” është libri i saj i parë me karakter socio-politik.
2.- Teuta ARIFI, kryetare e komunës së Tetovës (2013-2018), prof. dr.-pedagoge universitare në EJL e SEE. Ka qënë Zv/kryeministre e Maqedonisë për Çështje Europiane, ministre për Intergrimet Europiane, deputete, etj. Autore e disa librave me studime socio-politike, poezi e romanin “Shtatë ditë magjike” (Shkup, Maqedoni, 1998).