Nga Elida Buçpapaj
Të krahasosh Shqipërinë me Zvicrën! Je çmendur, do të thotë dikush! Ngjan krahasim absurd! Por le të urojmë që një ditë të bëhet realitet!
Duke nisur nga relievi alpin dhe natyra magjike gjen shumë ngjashmëri mes dy vendeve, shqiptarët dhe zviceranët janë popull alpin.
Shqipëria do të ishte Zvicra e Ballkanit sipas vizionit të Rilindasve!
Sami Frashëri thosh: “Ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër të dytë!”
Elena Gjika ose Dora D’Istra ka jetuar në Zvicër. Andon Zako Çajupi erdhi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit për drejtësi. Gjatë luftës së Parë Botërore, Mid’hat Frashëri jetoi për një kohë në Zvicër, Faik Konica po ashtu!
Shqipëria do të ishte Zvicra e Ballkanit sipas Rilindasve, por vizioni i Rilindasve ishte 180 gradë ndryshe me atë të diktaturës mizore gjysmë shekullore të Enver Hoxhës, që shtypi me dhunë çdo të drejtë njeriu, duke instaluar një sistem barbar izolues që do të shfaroste elitën, do të shtetëzonte pronën private, do të eleminonte tregun e lirë dhe inisitivën e individit.
Edhe tranzicioni 27 vjeçar është inerci e diktaturës larg ëndërrës Rilindase. Shteti nuk garanton sistemin, duke ia mohuar qytetarit shtetin e së drejtës dhe të mirat që rrjedhin prej tij, duke nisur prej pronës private deri tek energjia elektrike, uji, siguria, sistemi mjekësor dhe shteti social;
Edhe qytetari sipas proverbit “sipas kokës kapelën” përgjigjet në mënyrën e tij, duke mos paguar faturat edhe kur ka mundësi të paguajë, duke korruptuar policinë rrugore, kur shkel rregullat e qarkullimit apo punonjësin e administratës, për të fituar një vend pune, duke shitur votën për një copë bukë, duke mos ndihmuar atë që është në nevojë, duke mbajtur një qendrim armiqësor për vëllain, mikun apo komshiun që voton jo për partinë e tij dhe më thelbësorja duke qendruar indiferent ndaj mungesës të shtetit ligjor dhe diktaturës të varfërisë që e ka zhdukur nocionin e “një jete me dinjitet”. Krejt ndryshe nga Zvicra referendare, që vendos përmes referendumeve, një instrument efikas i demokracisë direkte.
Në Shqipëri ka vjedhje në çdo sektor të jetës, nga shteti tek qytetari, por viktima mbetet qytetari. Shqipëria edhe sot e kësaj dite e ka problem furnizimin me energji elektrike, ujë të pijshëm, por problemin më të madh e ka me informalitetin. Vjedhjen që i bëhet shtetit në bashkëpunim me shtetin. Thënë ndryshe shteti vjedh veten! Sipas statistikave, informaliteti në Shqipëri shkon nga 60-70 % dhe dihet risku që krijon ekonomia informale, gri apo e zezë, e cila gëlon kur nuk ekziston kultura e ndëshkimit. Sepse shteti nuk e ndëshkon deputetin apo ministrin e korruptuar që jep tendera duke mbushur xhepin e tij dhe duke e zbrazur arkën e shtetit. Në rastin konkret shteti është në krah të informalitetit. Atëherë ekonomia e vendit kthehet në ekonomi mafioze. Në këtë prag gjendet Shqipëria. Shumë ekspertë të fushës thonë se Shqipëria është shtet kuazi mafioz pa sistem drejtësie. Drejtësia vetë është nën Vetting por pa asnjë rezultat. Për të qenë optimistë, rezultat mund të quhet largimi i gati pjesës më të madhe të atyre që e kaluan këtë proces pasi kishin pasuri të pajustifikuar, dmth të krijuar nga vjedhja duke zhdrejtësuar. I larguan por nuk i ndëshkuan për vjedhjen as viktimave të tyre nuk u dhanë drejtësinë ! Të mos harrojmë pastaj se drejtësia është produkt i elitës politike të këtyre 27 viteve tranzicion.
Në Ballkan janë arrestuar presidentë, kryeministra e ministra, ndërsa në Shqipëri politika funksionon si piramidë, politikanët mbajnë njëri-tjetrin paçka se shahen e urrehen! Po të hiqet një tullë, piramida shembet e gjitha!
Ndryshe në Zvicër, ku qytetari dhe shteti janë një binom i pandashëm, për të forcuar e ndihmuar njëri tjetrin, shteti garanton me detyrimet e veta dhe qytetari e mbron shtetin duke respektuar ligjin.
Konfederata Helvetike nuk është pjesë e BE, por, megjithatë, nga thelbi simbolizon Perëndimin, sepse i garanton të gjitha liritë e individit dhe krijon kushte optimale për liri tregu dhe një jetë me dinjitet.
Kush vjen në Zvicër për herë të parë dhe kërkon këshilla, një mik i mirë do t’i thotë, “kujdes me taksat dhe faturat”. Që do të thotë asnjë faturë apo taksë të mos mbetet pa paguar. Kur je në kërkim të një vendi pune, qofsh zviceran apo me leje qendrimi, përveç kompetencave, aftësive, CV dhe edukimit, punëmarrësi të kërkon që të jesh patjetër me “Leumund”- reputacion të pastër. Për këtë duhet të paraqitësh nga Departamenti Federal i Drejtësisë në Bernë një dokument – Excerpt from the swiss criminal record – Auszug der Strafregisterauszug – ku vërtetohet se je njeri i pastër, pa precedentë penalë. Që përkthehet, veç të tjerave, që t’i kesh kryer të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Nëse kërkon banesë, qiradhënësi, veç të dhënave të të ardhurave, të kërkon po ashtu një dokument, lëshuar jo më larg se tre muaj, nga Betreibungsregisterauszug – the Debt Enforcement Office – Zyra e Përmbarimit ku vërtetohet se nuk ke borxhe ndaj shtetit apo enteve private.
Në Zvicër çdo qytetar është shumë i kujdesshëm të respektojë ligjin. Respektimi i ligjit është kulturë, është instikt i edukuar, është tipar i identitetit. Që fillon tek oraret punktuale të trenave, trameve dhe busëve që nuk i njohin vonesat tek klaksonët. Në Zvicër nuk dëgjon klaksonë veturash. Në apartamente nuk dëgjon ahengje, muzikë me volum të lartë, sepse shqetëson fqinjët. Kush ka jetuar në Shqipëri, e di se aty ka qenë kulturë që plehrat të hidheshin nga dritaret. Nëse dikush e bën këtë shkelje në Zvicër paguan gjobë, por nëse nuk paguan taksat, ke kryer krim për të cilin dënohesh sipas shkallës. Edhe nëse nuk paguan faturat, ke kryer krim dhe problemet janë të pafundme. Pra në Zvicër nuk ka qytetarë apo biznese që nuk paguajnë energjinë, ujin, ngrohjen apo detyrimet. Kush nuk paguan, penalizohet. Sipas ligjeve të Zvicrës, faturat duhet të likuidohen përgjithësisht brenda afatit mujor. Nëse nuk paguhen, të vijnë tre Mahnung-e – kujtesa, e para pa gjobë plus, e dyta dhe e treta me gjoba në rritje dhe nëse nuk i likuidon edhe pas këtyre tre paralajmërimeve, atëherë të çojnë direkt në Betreibungsamt, autoriteti kantonal i zbatimit të ligjit për ndjekjen penale të borxhliut. Për borxhliun atëherë nisin hallet. Nëse je në kërkim të shtetësisë dhe ke borxhe të palikuiduara, harroje atë punë, nuk e merr shtetësinë, sepse nuk je qytetar i denjë.
Siç e thashë që në krye, shteti ligjor kërkon respektimin e ligjeve, por, së pari, ia garanton qytetarit liritë dhe kushtet për të jetuar. Në këtë kontekst, Zvicra është një nga vendet model në rrang botëror për t’u marrë si shembull, ku shteti i së drejtës funksionon si sahati Omega, ku ka liri tregu, shtyp të lirë, ku korrupsioni është një fenomen që luftohet dhe, sipas Transparency International (TI), Zvicra është gjithmonë në top vendet e para, ndryshe nga ndërsa Shqipëria e Kosova që ndajnë vendet nga fundi.Po ashtu sistemi i shëndetësisë është njëri nga më të mirët në botë. Me pagesë natyrisht, por shtetasi ka mundësi të paguajë me rrogën që merr. Kur s’ka, ia plotëson shteti social.
Edhe në periudhat e krizave për Europën dhe botën, papunësia në Zvicër nuk i kaloi 3% dhe shteti është gjithmonë në kërkim të mënyrave për ta ulur edhe më tepër këtë nivel, duke hapur tregje pune, duke krijuar siguri për investime dhe mundësi kualifikimi sidomos për rininë. Në Zvicër biznesit i krijohen kushte optimale për të investuar, ndërkohë shteti, përmes ligjit, i shpall luftë informalitetit.
Në Zvicër po ashtu funksionon shteti social, për të papunët dhe sidomos për shtresat vulnerabile. Zvicra nuk ka varfëri apo drama sociale si ato të Shqipërisë, ku mjerimi migjenian bashkë me mungesën e shtetit ligjor mbetet diktatura më e egër e shoqërisë. Pra Zvicra i krijon të gjitha mundësitë që qytetari të mos bëhet shkelës ligji, por kush e shkel ligjin, ndëshkohet pa dallim.
Në Shqipëri është një hendek i madh mes shtetit dhe qytetarit, sepse shteti nuk ia garanton liritë elementare, sikur janë siguria, tregu i lirë, mundësia për punësim, ndërsa qytetari ose reagon duke u konformuar përmes anëtarësimit nëpër parti, ose ul kokën kur është i varfër, ose ikën kur e sheh se nuk i bihet murit me kokë dhe nuk ka nga t’ja mbajë sepse askush nuk i jep zgjidhje.
Rrugëzgjidhja do të qe kur qytetari të luftojë për të drejtat e tij deri sa t’i fitojë, për të vendosur një raport loyal dashurie mes shtetit të së drejtës dhe qytetarit.
Në fund po ju sjell një sentence të Graham Green-it që ka jetuar dhe prehet këtu në Zvicër. Sepse mund të mësojmë prej saj nëse duam. E kam përdorur edhe në një intervistën time, por ia vlen të përsëritet.
Graham Green thoshte se “Zviceranët kanë dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin, ata kanë 500 vite demokraci dhe paqe dhe e dini se çfarë prodhojnë? Orën me ku-ku!!”.
Humor tipik anglez. Sepse ajo që kanë krijuar zviceranët është 500 vite demokraci dhe paqe. Por unë ju ftoj le ta aplikojmë këtë deduksion të Green-it në raport me veten tonë, le të fillojmë duke thënë se ne shqiptarët kemi dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin… Humor tipik anglez edhe ky!
Deri tani nuk jemi dëshmuar se duhemi, përkundrazi, pasi diktatura u ngrit mbi themelet e urrejtjes. Prandaj duhet rrëzuar diktatura me themele e mbetje. E të nisi era e dashurisë ndërshqiptarë! Që të duhemi tash e mbas me dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin për 500 apo 5000 vjet sikur zviceranët!
E atëherë Shqipëria do të jetë bërë “Zvicra e Ballkanit”!