Feim Vata, 32-vjeç dhe Xhemal Baco 24
Dy shqiptarë janë dënuar me nga 8 vjet heqje lirie pasi trafikuan bashkëkombas drejt Britanisë së Madhe me anë të një gomoneje. Feim Vata, 32-vjeç dhe Xhemal Baco 24, të cilët jetonin në Slough të Berkshire u dënuan nga gjykata e Canterbury, për akuzën emigracion të paligjshëm.
Dy shqiptarët u kapën pas një hetimi të përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Francës, që zbuluan se dyshja po transportonte emigrantë me gomone gjatë natën nga Franca nëpërmjet kanalit britanik drejt brigjeve të Kentit.
Ata përdornin një mjet “absolutisht të papërshtatshëm dhe të tejmbushur“, rreziku i së cilës ishte si të kalojë në këmbë në autostradën më të ngarkuar britanike në pikun e trafikut.
Dyshja u arrestua më datë 20 Tetor, pasi Baco u pa duke marrë 6 emigrantë në Francë. Më pas ai i transportoi ata me gomonen nëpërmjet Kanalit dhe u takua me Vatën në Kent.
Hetuesit besojnë se ata e kishin bërë këtë udhëtim të paktën 3 herë të tjera. Për të hequr ujin që futej në gomone, ata përdornin një shishe plastike me grykë të prerë.
“Është e jashtëzakonshme që askush nuk humbi jetën gjatë këtij procesi kaq të rrezikshëm. Gjatë kohës që dy të pandehurit dhe emigrantët e paligjshëm u arrestuan, ata u gjetën të lagur dhe duke u dridhur nga i ftohti. Kishin udhëtuar me një gomone të tejmbushur, pa jelekë shpëtimi apo pajisje lundrimi, në një prej rrugëve më të ngarkuara të anijeve, në errësirë totale”, tha detektivi Clair Trueman.