Ballina Rajoni Sami Lushtaku kërkon 1.4 milionë Euro dëmshpërblim për kohën e kaluar “padrejtësisht...

Sami Lushtaku kërkon 1.4 milionë Euro dëmshpërblim për kohën e kaluar “padrejtësisht në burg”

Sami Lushtaku

Sami Lushtaku i vuajti 4 vite e 1 muaj burg, derisa Gjykata Supreme në 2017 atë e shpalli të pafajshëm nga të gjitha akuzat, duke e liruar nga paraburgimi i cili ka qenë efektiv nga 24 maji i 2013. Lushtaku, përmes avokatit të tij Arianit Koci, po kërkon kompensim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për dëme materiale, jo materiale dhe shkelje të të drejtave, për shkak të dënimit që e mbajti padrejtësisht, prej 1 milion e 446 mijë e 890 euro.

Gjykata Supreme në korrik të 2017’s ka dhënë vendimin e fundit në rastin Drenica, lidhur me akuzat për krime lufte ndaj Sami Lushtakut dhe disa prej bashkëluftëtarëve të tij.

Prokuroria Speciale e akuzonte Lushtakun se së bashku me disa persona të tjera, kanë bërë krime lufte ndaj popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999.

Avokati i tij Arianit Koci, pati thënë se Lushtaku ishte dënuar për një vrasje gjatë periudhës së luftës, por që identiteti i viktimës nuk dihet. Me këtë rast, ai kritikoi sistemin gjyqësor në Kosovë për një vendim të burgimit.

E tash pas lirimit të tij, Sami Lushtaku përmes avokatit Arianit Koci, ka bërë kërkesë për kompensimin e dëmeve materiale dhe jomateriale në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me një shumë prej 1 milionë e 400 mijë euro.

Në dokumenin që e posedon Gazeta Express shkruan se avokati i Sami Lushtakut, Koci, ka kërkuar kompensim të dëmit material dhe jomaterial, për shkak të vuajtjes së dënimit pa arsye, në kohëzgjatje prej 4 viteve dhe 1 muaji.

Sipas dokumentit, për dëmin jomaterial, moral, në emër të dhimbjeve të përjetuara psikike, shpirtërore, frikës dhe turpit, Lushtakut i takojnë kompensim 8 mijë e 820 euro.

“Theksojmë se Sami Lushtakut i është shkaktuar dhimbje shpirtërore e intensitetit të lartë prej momentit kur ka mësuar se është nën hetime për një vepër penale të cilën nuk e kishte bërë, pastaj me arrestimin dhe futjen në paraburgim si dhe përfundimisht me shpalljen e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë dhe gjykatës së shkallës së dytë sipas të cilave ai dënohej me burgim efektiv për vepra të rënda penale të cilat nuk i kishte bërë”, thuhet në kërkesë.

Duke u nisur nga kjo, avokati ka shkruar se Lushtaku parashtron se për dhimbjen dhe vuajtjen shpirtërore të pësuar si rezultat i shkeljes së të drejtës së lirisë, “përkatësisht vuajtjes së dënimit pa arsye për katër vite e një muaj, nuk ekziston ndonjë shumë e mjeteve financiare me të cilat atij do të mund t’i kompensohej koha e humbur në burg, jeta larg familjes dhe shoqërisë si dhe dhimbja e vuajtja shpirtërore e përjetuar”.

“Megjithatë, në emër të satisfaktisionit për dhimbjen shpirtërore, për cenimin e autoritetit, denigrimin e rëndë të personalitetit dhe shkeljen e të drejtës në reputacion, Sami Lushtaku kërkon kompensim prej 700 mijë euro”, thuhet në dokument,

Lushtaku, për dëmin material ka kërkuar kompensim për të gjitha shpenzimet që u lidhën me gjendjen e tij shëndetësore, gjatë kohës kur ai u mbajt në paraburgim dhe pastaj në burg.

“Gjatë kohës kur Lushtaku është mbajtur në paraburgim e pastaj edhe në burg, ka pasur probleme shëndetësore, përfshirë edhe probleme kardio vaskulare. Për shkak të shëndetit, ai ka pasur vizita të shumta në QKUK, ku edhe ka marrë terapi të ndryshme të përshkruara nga mjekët përkatës”, shkruan në kërkesën për kompensim.

Të gjitha këto raporte mjekësorë, aty thuhet se Lushtaku i ka dorëzuar në Këshill Gjyqësor të Kosovës dhe thotë se gjendja iu përkeqësua si rrjedhojë e qëndrimit të tij në qendrat e burgimit.

Kësisoj, Lushtaku kërkon kompensim për të gjitha shpenzimet që u lidhën me gjendjen e tij të dobët, në kohën kur u zhvilluan hetimet ndaj tij, u mbajt në paraburgim dhe u burgos, për vepra penale që nuk i kishte bërë, të kompensohet në vlerë prej 20 mijë euro.

Kërkesa tregon se gjatë gjithë procesit gjyqësor penal të zhvilluar ndaj Sami Lushtakut, nga dita e arrestimit të tij e deri në ditën e lirimit të tij, janë mbajtur gjithsej 50 seanca gjyqësore.

Lushtaku ka kërkuar shumën prej 24 mijë e 180 euro kompensim për pagesën e shpenzimeve të avokatit.

Shpenzimet për përpilimin e kërkesës për kompensim, bazuar në Rregulloren për Tarifën e Avokatëve, e cila përcakton tarifën e avokatëve për mbrojtje dhe përfaqësim në procedurë penale, Lushtaku kërkon kompensim 260 euro.

Kërkesa thotë se shpenzimet e vizitave familjare, dërgimit të pakove dhe të transportit për anëtarët e familjes, sipas nenit 11, parashihet kompensim prej 25 eurove vetëm për një vizitë, shkruan Express.

Andaj, sipas shkrimit, Lushtaku derisa ishte në paraburgim dhe në burg, ka pasur gjithsej 98 vizita familjare, dërgimit të pakove dhe të transportit për anëtarët e familjes, për periudhën katër vjeçare dhe 1 muaji.

Lushtaku për këtë, kërkon kompensim në shumën prej 2 mijë e 450 euro.

E në fund të dokumentit thuhet se bazuar në të gjitha këto çështje, “si person i dënuar pa arsye dhe në emër të dënimit material dhe jomaterial të shkaktuar si rezultat i dhimbjes e vuajtjes shpirtërore të intensitetit të lartë, cenimit të së drejtës në reputacion dhe të drejtës së personalitetit, shpenzimeve lidhur me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, shpenzimeve për vizita familjare, dërgimin e pakove dhe transportin për anëtarët e familjes si dhe detyrimeve financiare ndaj avokatit për të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurë penale të zhvilluar ndaj tij nga e cila përfundimisht është liruar nga akuza dhe shpallur i pafajshëm, Sami Lushtaku kërkon nga komisioni i lartpërmendur i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, kompensimin në shumën e përgjithshme prej 1 milion e 446 mijë e 890 euro”.