Ballina Rajoni Presidenti Meta në një seancë të dhurimit të gjakut nga studentët e...

Presidenti Meta në një seancë të dhurimit të gjakut nga studentët e Strugës dhe të rinjtë e forumeve rinore të partive politike.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në një seancë të dhurimit të gjakut nga studentë të Strugës dhe të rinj nga forumet rinore të partive politike, të organizuar në Tiranë, në klinikën “KEIT”, nga Kryqi i Kuq Shqiptar në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Presidenti Meta falënderoi veçanërisht studentët e Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, të cilët u bënë vullnetarisht pjesë e kësaj nisme, duke u solidarizuar në ndihmë të atyre që kanë nevojë për gjak.
“Falënderim të veçantë kam për studentët e Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, të cilët me një ndjenjë të lartë humanizmi, solidariteti por edhe patriotizmi, iu bashkuan me vullnetarizëm ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’ në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, për të kontribuuar në një seancë dhurimi gjaku për fëmijët talasemikë dhe jo vetëm. Me aktin e tyre, këta të rinj shqiptarë nga Maqedonia, dëshmuan se përfaqësojnë denjësisht vlerat tona më të mira kombëtare”, – tha Presidenti i Republikës, duke vlerësuar të gjithë të rinjtë për angazhimin e tyre dhe premtoi se kjo nismë do të vazhdojë edhe në qytetet të tjera.
“I gjithë ky kontribut sot do të shkojë në mënyrë të veçantë për të gjithë ata qytetarë dhe fëmijë nga Lushnja, të cilët vuajnë nga talasemia dhe kanë nevojë për dhurimin e gjakut në mënyrë sistematike. Kjo fushatë sensibilizimi do vijojë në të gjitha qytetet e Shqipërisë”, – u shpreh Presidenti Meta.