Ballina Histori Me Skënderbeun u rritëm…

Me Skënderbeun u rritëm…


-Nga fjala e hapjes e studiuesit Hasan Muzli SELIMI, mbajtur më 11 tetor 2018 në Tiranë,  në “Ora e Madhe Letrare për Skënderbeun”, organizuar në kuadrin e 550 Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në “Vitin e Skënderbeut” dhe të Simpoziumit Ndërkombëtar Kulturoro-Letrar “Skënderbeu në Kulturën Europiane” (Kosovë, 8-10 tetor 2018), nën kujdesin e Unionit të Shkrimtarëve e Kritikëve Shqiptarë (USHKSH) me kryetar Reshat Sehitaj –

          Në klasen e katërt mësuesi na dha mësim dite poezinë e Naim Frashrit “Krujë, o Qytet i Bekuar/ Prite, prite Skenderbeun / Po vjen si pëllumb i shkruar / Të shpëtoj Mëmëdhen nga armiqtë e mallkuar/.  Ai na e lexoi në klasë, na zgjidhi idenë artistike të veprës dhe na la detyrë ta mësojmë përmendësh.

Në shtëpi, në Kasaj, unë e lexova disa herë. Aq herë e lexova me të madhe sa u bana i bezdishëm. Baba më pyeti: si ishte Skenderbeu…?! Fillova të flas që Skenderbeu ishte i fuqishëm, trim dhe fluturonte me kalin e tij nga maja në majë. Baba më lejoi që të flas për Skënderbeun derisa unë nuk pata çfarë të them tjetër.

Në darkë vonë sipër shtëpisë tonë u dëgjue një zhurmë e madhe. Me sa duket ishte një avion që për kohën ishin të rrallë. Doli baba qëndroj pak dhe pasi u kthye e tha që “ishte Skënderbeu”.

-Pse nuk më thirre ta shikoj…-i thashë babës.

-Nuk ndaloi, ishte për shpejt. Donte të shkonte në front të luftës më Rusinë. Atje kishte ushtarët tash sa ditë – m’u përgjigj baba.

Në shkollë erdhi ora e leximit. Unë ngrita doren dhe para se të filloj të recitoj poezinë i thashë mësuesit që mbrëmë ka qenë Skënderbeu këtu nga shpija jonë, kaloj për në frontin Rus. Nuk ndaloi, sepse lufta po fillonte e nuk donte t’i lanë ushtarët vetëm.

Mësuesi nuk qeshi, por shpjegoi me shumë pedagogji që Heroi nuk jeton. Ai është në dashurinë tonë dhe e kemi kudo. U mërzita që nuk doli dëshira ime. Por kaq ishte dijenia ime.  Mendoja se prindi im është gjithçka dhe gjithçka dinë ai është e vërtetë. Nuk më shkonte në mendje që baba lot me mue në atë mënyrë kur ishte aq i ashpër.

Sot në kuadrin e 550 vjetorit të ndarjes nga rruga, puna vetmohuese politike, ushtarake, ekonomike, shkencore dhe diplomatike  e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,  këtu në Tiranë, nën mbikqyrjen e Presidentit të Unionit të Shkrimtarëve e Kritikëve Shqiptarë, z. Reshat Sehitaj, po organizohet ky tubim  “Ora e Madhe Letrare-historike, filozofike e Skënderbeut”. Kjo veprimtari ka ditë që vazhdon me sukses në trojet etnike shqiptare si në Prishtinë  e Shkup, Prizren e Ulqin e tashti në Tiranë.

Periudhën nga 6 maj 1405 deri me 17 janar 1468 Skënderbeu ia la në dorë pa frikë historisë, letërsisë, filozofisë dhe analistëve të tjerë të çdo kohe e të çdo niveli. Gjatë periudhës nga data 17.01.1468 e në vazhdim janë ba shumë studime, analiza, sesione e simpoziume shkencore për burrin me shumë emra Jeon, Gjergj, Skënderbe, Aleksandër Kastriotin dhe akoma nuk është kompletuar figura e tij poliedrike.

Për të dhënë kontributin publik sot në këtë aktivitet kanë ardhë shkenctarë, shkrimtarë e poetë, nga gjithë Shqipëria, miq të Shqipërisë e të shkencës, profesorë të nderuar nga bota si: Kryetari i Unionit të Shkrimtarëve të Rrjetit Botëror z. Daniel Lewers nga shteti Francez. Nga Universiteti në Londër, Nicole Barriere. Drejtore e Shtëpisë Botuese në Paris Helen Stafford. Akademikë të shquar si akkademik prof. dr. Beqir Meta – drejtor i Institutit të Historisë pranë Qendres së Studimeve Albanologjike në Tiranë,  ambasadori Malë Berisha, ambasadori Spartak Topollaj, si dhe shumë personalitete të penës, krijimtarisë e veprimtarisë kombëtare e shkencore brenda e jashtë territorit të Shqipërisë.

Këtu në  Hotel “Opera” në Tiranë kam nderin ta deklaroj të hapur këtë veprimtari me peshë dhe që do të zanë vend në historinë e kulturës shqiptare.

Më del për detyrë të konfirmoj se puna ime kërkimore për këtë aktivitet nuk do të këndohet, pasi këtu ka njerëz, siç e shprehem më lart, që do të përformojnë dijet e tyre për Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun. E duke larguar nga mendësitë praktike amatorizmin do i lëmë vendin profesionistëve të Kombit tonë  e profesionistëve të huaj.

Kam nderin dhe kënaqësinë, që në cilësinë si drejtues dhe organizator i këtij evenimenti kulturor e shkenor t`ia jap fjalën Kryetarit të Unionit të Shkrimtarëve e Kritikëve të Kombit  Shqiptar me seli në Prizeren-Prishtinë, Tiranë, Shkup e Ulqin, Zotni fort i nderuar, Reshat Sehitaj.

Përfundimisht ju falenderoj për kontributin tuaj sot këtu dhe ju uroj sa ma shumë kontribute të tjera në të mirë të shkencës dhe të Atdheut tonë.

Në këtë moment e deklaroj të hapur këtë aktivitet me peshë në këtë stad zhvillimor kombëtar për Heroin tonë Kombëtar me emrat ma të lavdishëm që i trashëgoi në histori shqiptare e botërore.

Faleminderit!

Tiranë.  e enjte, më 11.10.2018.