Ballina Personazh E konfirmon vëllai i kolonelit: Bardhyl Mahmuti në një tubim në Suedi...

E konfirmon vëllai i kolonelit: Bardhyl Mahmuti në një tubim në Suedi u zotua se do ta vrasin Ahmet Krasniqin

Nga Drilon Rrahman

Behxhet Krasniqi dhe Bardhyl Mahmuti

Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit është nën juridiksionin e Gjykatës Speciale. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” Behxhet Krasniqi, vëllai i ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovë Ahmet Krasniqi. Ai ka konfirmuar se në Suedi, Bardhyl Mahmuti, kishte bërë thirrje për vrasjen e kolonelit. Gjatë intervistës Krasniqi ka folur edhe rreth deklaratave të Gani Gecit, i cili ka akuzuar Presidentin Thaçi për vrasjen, duke i quajtur të mundura këto deklarata.

“Bota sot”: Z. Krasniqi, çfarë është duke ndodhur në hetimet për vrasjen e vëllait tuaj, Kolonel Ahmet Krasniqit?

Behxhet Krasniqi: Gjykata Speciale e ka nën juridiksion edhe rastin e vëllait tim. Ndërsa ne si familje jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta për aq sa dimë dhe mundemi, deri në zbardhjen e rastit. Për shkak të hetimeve të vazhdueshme, unë nuk mund të jap detaje më shumë lidhur me këtë.

“Bota sot”: Përse ka hezitim nga Shqipëria për t`i hapur dosjet lidhur me këtë rast?

Behxhet Krasniqi: Është e vërtet se në Shqipëri ka njëfarë hezitimi për këtë rast, për arsye se e din që përmes hetimeve mund të dalin sheshit “të palarat” e një pjese të elitës politike të asaj kohe. Ne si familje kërkojmë që edhe atje të bëhet një hetim. Ndoshta hetimi mund të qoj para zbardhjen e vrasjes së vëllait tim.

“Bota sot”: Si e komentoni faktin që ende nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga Kosova drejtuar Shqipërisë për hapjen e dosjes së vrasjes së kolonelit?

Behxhet Krasniqi: Kush ka pasur ta bëjë një kërkesë të tillë, ata që u gëzuan për vrasjen e tij? Ata që përfituan nga kjo vrasje…?! Nuk kam koment më shumë për këtë pyetje.

“Bota sot”: Si e komentoni debatin e fundit, a u bë thirrje në Suedi për vrasjen e kolonelit dhe të Presidentit Rugova?

Behxhet Krasniqi: Po e kam përcjellë atë debat që lidhet me Suedinë. Dhe në lidhje me këtë, unë mund të them se është e vërtet ajo çka kanë shkruar Sefedin Krasniqi dhe Sinan Kastrati. Pra, është e vërtet se Bardhyl Mahmuti në një tubim me bashkatdhetarët është zotuar se kanë për ta vrarë Ahmet Krasniqin.

“Bota sot”: Para se të vritej, a dyshonte koloneli se e kishte jetën në rrezik?

Behxhet Krasniqi: Me një rast i thash: vëllaçko, duhet të jesh pak më i kujdesshëm, të marrësh masa sigurie, ai me tha: Unë nuk jam në bela me Shqiptarët, e as si familje nuk i kemi borxh askujt. Duhet të kem kujdes vetëm nga Serbia, cila ka një flet arrest(aktakuzë) për mua për shkak se e paskam dëmtuar forcën mbrojtëse të armatës së Serbisë (Jugosllavisë), atëherë kur unë kam ndihmuar Kroatët, për t’u pajisur me armatim në luftën e tyre të drejt e çlirimtare. Prandaj, nëse me vret dikush, më ka vra vetëm e vetëm për hesap të Serbisë. Këto mi ka thënë në takimin e fundit me të, në banesën time në Gjermani.

“Bota sot”: Ju si familje e kolonelit, a keni dyshime në person apo grup të caktuar si doras të vëllait tuaj?

Behxhet Krasniqi: Po kemi. Dhe na falni por krejt dyshimet tona, për persona apo grupe do te flasim me ata që duhet dhe ku duhet. Nuk mund të flasim gjatë kësaj faze.

“Bota sot”: Cili është komenti juaj për deklaratën e Gani Gecit, i cili publikisht akuzoi presidentin Thaçi si urdhërdhënës të vrasjes së Ahmet Krasniqit?

Behxhet Krasniqi: Si duket, Gani Geci i ka informacionet e veta. Dhe unë besoj shumë qe ai do të jetë kontribuues në zbardhjen e rastit të vëllait tim. Pra, nuk e marr si të pa mundur atë që ka deklaruar Gani Geci.

“Bota sot”: Si ndjeheni kur e dini faktin se eshtrat e vëllait tuaj janë kthyer në vendlindje? A është dashur të ndodh më herët kjo?

Behxhet Krasniqi: Unë jam i lumtur që më në fund eshtrat e vëllait tim pushojnë në truallin Dardan. Rivarrimi i tij është dashtë të ndodhte më herët. Por, siç thotë populli, më mirë vonë se sa kurrë…

“Bota sot”: Sa besoni në Gjykatën Speciale, a do ta zbardhë rastin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit?

Behxhet Krasniqi: Të them të drejtën, mbas zhgënjimit nga drejtësia e UMNIK-ut dhe EULEX-it, tash kur është në pyetje Gjykata Speciale, kemi një shpresë dhe një besim të përmbajtur. Ne nuk kemi rrugë tjetër. Ne do të kërkojmë drejtësi.

“Bota sot”: A ka ndonjë të pathënë që nuk është dëgjuar më parë rreth vrasjes së Kolonelit?

Behxhet Krasniqi: Po ka. Edhe atyre do t’u vij koha për t’i thënë, e për t’i dëgjuar. Po e mbajë edhe këtë sekret për shkak të hetimeve.