Minireportazh nga Ilir KADIA
1. Fryn era pranë rrugicës të gjimnazit! Gjethet këputen të thata si fjalë dashurie që nuk guxuan të thuhen! Bëj kujdes të mos i shkel. Më dhëmbin akoma.
2. Pranë kryqëzimit te “Rruga Barrikadave”, rrëzë një muri të ronitur qerpiçi, një lypëse plakë çohet e i zgjat dy mandarina një lypëse që përkund në karrocë të falur një foshnje që fle.
3. Përballë “Hotel International” tre burra me funde shihen pakëz me çudi nga kalimtarët! Fryn era dhe ndoshta janë kurreshtarë të dinë çfarë lloj mbathjesh kanë veshur skocezët! Burrash apo grash! Nesër luan Shqipëria me Skocinë dhe pritet ndeshje malësorësh!
4. Në sallën “Consurtium” të Hotelit sapo ka nisur një takim gazetarësh të ekonomisë. Analistët dhe zyrtarët në tribunë janë më shumë se gazetarët në sallë. Në fund do ndahen çmimet. Agron Balës, mikut tim, do i japin çmimin e karrierës (pas vdekjes). Juritë preferojnë që çmimet me para ti ndajnë për të vdekurit. I druhen mërive të gjallëve qefmbetur. Po e mora edhe unë ndonjë çmim (pas vdekjes) do ja dedikoj një të gjalli! Emrin nuk e them se druaj të gjallët e tjerë nuk më vijnë në varrim.