Tregim nga QAZIM SHEHU
Ne jemi nisur nga Va Deja në një rrugë të vështirë drejt Komanit.Sapo kemi kapërcyer një sup mali dhe ja tek vështrojmë liqenin që mbështet buzët mbi digën e vjetër e ngaqë nuk e hurb dot në gojën e stërmadhe i shtriq brinjët rrëzë kodrinave dhe këmbëve të maleve hijerëndë, të cilët duke ndjerë vazhdimisht ujin e ftohtë kujtojnë këpucët e tyre prej gjethesh që u kalbën në llomin e liqenit –det e nuk gjenden më.Nga Va-Deja deri në Koman është një rrugë gjarpëruese ,me fshatra të vegjël që s`dihet pse ndodhen aty,në ato gërxhe të thepisura ku ndonjë arë e vogël të kujton se këtu edhe mund të jetohet.Vështroj i përhumbur rrugën dhe nuk di nga ta hedh vështrimin,nga malet e larta me kryet gjer mbi re,nga liqeni që, i mbushur nga ujërat, rri i urtësuar,po i frikshëm në masën e tij të palëvizshme apo nga ato shtëpi që humbasin mes pemëve,po njësoj të heshtura,pa frymë njeriu, sikur aty të mos jetojnë njerëz.Rruga e ngushtë,kthesat e vështira dhe zhurma e ekskursionistëve duket sikur duan të dalin nga një ngërç ,po nuk dalin dot.Është si të thuash një piskamë e heshtur që është mbërthyer në rrëshqitjen e ngrirë të këtyre brigjeve epike.
-Kur e ndërtuam këtë hidrocentral,-thotë Qaniu,askujt nuk i besohej,por ne ia arritëm!…
Diku pranë meje dodhet Ganiu i cili,sapo e dëgjoi këtë frazë, lëvizi nga vendi.Ai seç ndjeu, po duket diçka ndjeu,përderisa lëvizi gjithë vrull në sediljen para, të autobuzit.I ulur pranë një bukuroshjeje që të pataks mendjen, gjithë kohës, çoç i kishte llomotitur asaj dhe ajo, herë pas here ,kishte kukurisur me zërin e saj të hollë e të ndërprerë të panatyrshëm për zërin e një femre.Fjalët e Qaniut nuk u përcollën nga ndonjë kundërpërgjigje,ndoshta se ato u besuan.Por, me mendjen time, llogarisja sesi mund ta kishte ndërtuar Qaniu këtë hidrocenral, ndërsa sot jemi në vitin 2012,dhe ai nuk është më tepër se pesëdhjetë e pesë vjeç?Veçse kjo nuk kishte rëndësi,se ai ishte mjaft i sigurt.Dhe kjo siguri sfumonte çdo hamendje.E njihja mirë Qaniun,ishte njeri krenar dhe kishte vetëm një të metë:kapej pas së kaluarës aq shpejt sikur e tashmja t`i kishte vënë pengesa dhe humnera të frikshme.Pas kësaj heshtjeje,dikush shkoi tek megafoni dhe paralajmëroi një këngë.Ai ftoi të tjerët të merrnin pjesë në të.A nuk kishim dalë për të udhëtuar në qejfin tonë?Kjo fjali e fundit nuk i tundi njerëzit,pothuajse ishin të nemitur nga shkundja që u bënte autobuzi prej gropave të rrugës.Nja tre katër ia morën këngës dhe, kur e kuptuan se ishin nxituar,e ndaluan edhe ata.Kishim arritur në sheshin e Komanit.Komani është një vend i rëndësishëm,këtu fillon diga dhe liqen tjetër.Duhej të kalonim nëpër një rrugë që ngjitej për të shkuar tek diga.Para se të kalohej tek ajo ishte një tunel i errët,i shkurtër po tepër i ngushtë.Autobuzi u fut në tunel dhe u bë qetësi.Por,befas,u dëgjua zëri i Ganiut:
-Ja tuneli që ke ndërtuar ti,si një vrimë miu.Kur të shojmë tek tuneli im, do të shohësh!…Ganiu e kishte fjalën për tunelin e Kalimashit,sepse ne do ktheheshim andej.Ky Ganiu ishte një nga manifestuesit kryengritës të ideve të reja.Pashë Qanon që u ngrit vrikthi nga sedilja sikur ta pickonte ndonjë grerë.Duart i dridheshin, ndërsa dukej qartë se mundohej të kthente kundërpërgjigjen,se ndërkaq, përderisa e tha aq shpejt,siç duket nuk e pati të vështirë.
-Më mirë ky tunel i ngushtë e pa dritë se është bërë me djersën e punëtorëve të ndershëm,ku kam punuar edhe vetë,sesa ai tuneli yt që është tunel i korrupsionit…
“More ç`dreqin keni ju të dy që hidheni si gjeli majë plehut”,desha t`u them,po nuk e pashë të arsyeshme;përderisa Ganiu ishte drejtori ynë,ndërsa Qaniu jo aq i lehtë për t`u marrë me të.Për herë të parë më shkoi në mendje se të dy ishin militantë të dy partive kundërshtare,por pse i kruanin brirët në këtë udhëtim që deri në këto moment, ishte relaksues.Kur dolëm nga tuneli, na priste trageti.Autobuzi u fut në barkun e tij,ne hipëm në kuvertë,dhe po prisnim nisjen.Ishte një peizazh mahnitës,barku i liqenit i cili vishej me reflekset që shkëndijonin dhe përzienin rrezet e diellit dhe malet e lartë e gjelbërimin në to.
-Ky është liqeni im,ju, për njëzet vjet,nuk ndërtuar një hidrocentral!,-mërmëriti Qano, po këto fjalë që tha nuk i dëgjoi kush,veç meje.Më mirë,pa dale,seriozisht e ka ky mavri?Veçse në fytyrën e tij nuk ndihej asnjë shenjë që të tregonte se ai bënte humor.Në kuvertën e tragetit,drejtor Ganiun e kishin rrethuar një turmë dhe disa turistë të huaj që po i kërkonin shpjegime.Unë nuk u afrova atje,veçse ndenja pranë Qaniut i cili e kishte zhytur vështrimin në valët e liqenit që ngriheshin si brazda të kthyer pas fundit të tragetit.
-Po u shpjegon të huajve se kush e ndërtoi këtë liqen,-shfryu Qaniu,dhe ,me siguri, po gënjen,po ata nuk kanë bërë një rezevuar dy dekada dhe jo më një liqen të tillë…
Të themtë drejtën, në atë cast, u ndjeva mirë.M`u duk se gjithë kjo ndërkryrje e heshtur ishte një farë variacioni,por ndoshta po të vazhdonte gjatë mund të kthej në bezdi edhe pse gjatë rrugës ata nuk mund të rrinin pa përmendur “veprat” e tyre.Dikush ia mori këngës dhe një tjetër doli nga gabina e klubit të tragetit me një shishe birre në dorë.Ai i ftoi të gjithë brenda se kishte dëshirë t`i qeraste. Askush nuk lëvizi.Soditësitt nuk mund t`i këmbenin ato pamje të mrekullueshme me një shishe birrë dhe kishin të drejtë.Drejtor Ganiu u afrua drejt nesh,ndoshta për t`i treguar atij se nuk kishte pasur rast të fliste kurrë me të huajt, pse të huajt në kohën e tij i quante borgjezë dhe armiq,ndërsa sot, ja ku i kishte,mund të fliste lirshëm,po ç`e do, nuk fliste dot se sistemi i tij vetëm gjuhën ruse i kishte mësuar,ndërsa ai,Ganiu, e kishte kapur kohën e re,kishte bërë një kurs gjashtëmuajor në Durrës dhe ishte jurist,kishte mësuar aq anglisht sa për të folur.Dhe kjo epërsi nuk ishte e palakmueshme sado që ai humbamenoja,Qanoja nuk e përfillte,po fundja ky nostalgjik që nuk ndreqej si bishti i qenit, le të skërmitej për kohën e tij që nuk kthehej më.Trageti rrëshqiste mbi ujërat e kaltra dhe të kristalta dhe vendet diku ngushtoheshin e diku hapeshin duke e bërë liqenin herë të madh e herë të vogël;ishte një hapje,mbyllje, si me magji,ishte një këndellje që të ftonte ta ndiqje me dëshirë dhe pasion shkulmëzues,vetëm Gano me Qaniun nuk e kishin mendjen,ata luftonin heshtur me njëri tjetrin,përmes batutave të rralla, gjithë helm dhe shpoti,sepse të dy e quanin veten përvetësuesit dhe autorizuesit e dy kohërave, krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën.S`di si kaloi koha,u bënë dy orë të mira dhe ja ku u shfaq Fierza,gjiganti tjetër energjitik.Ganiu nuk shihte andej, ndërsa Qaniu po.Ai ishte i çelur në fytyrë.Fierza ishte vepër e kohës së tij.Dhe ç`mund të thoshte tjetri për këtë?A kishte argument ai ta kundërshtonte këtë?, dukej sikur thoshin sytë e tij,të cilët ishin hapur tej përmasave të zakonshme duke shprehur një dritë frymëzmi.Trageti ndaloi dhe ne u bëmë gati.Autobuzi doli nga barku i tij dhe u gjend në tokë dhe ne kaluam dhe u ulëm nëpër vendet që kishim pasur.Ishim të lodhur po edhe të tërhequr nga një ndjenjë përhumbëse që të falte natyra e bukur.Si gjithnjë, Ganiu diçka po i fliste një grupi,ndërsa Qaniu shihte pjerrtas dhe sikur nuk donte të fliste.Po kur shkuam në qytetin e Bajram Currit, befas Qaniu tha:
-Ja qyteti ynë,ne ndërtuam gjashtëdhjetë qytete të reja, ndërsa ju vetëm qytetin e Bathores keni ngritur…Jo,kjo ishte dërmuese për Ganiun.Ai heshti, për të gjetur një moment tjetër.Dhe ndërsa ecnim rrugës së Valbonës Ganiut iu desh të krahasonte rrugën me një bunkier dhe njëkohësisht vilat e reja,bujtinat, me dy tri shtëpi të thjeshta.Qaniu u murrëtye edhe më,e mbylli gojën dhe, kur u kthyem në Bajram Curr, natën vonë,pasi kishim shijuar bukuritë magjepsëse të Valbonës,ai nuk u pa disa orë,vetëm të nesërmen erdhi tek autobuzi.Me siguri, kishte fjetur tek ndonjë mik ose në ndonjë vend tjetër.Ishim nisur drejt Gjakovës për t`u kthyer më pas në Kukës ,në “tunelin e korrupsionit”siç e kishte quajtur Qaniu.A do vinte ai me ne.Në atë tunel, Ganiu do të kurorëzonte triumfin e tij me të drejtën e përvetësimit të kohës si arritje.Pikërisht në atë tunel që ishte një vepër e kohës.Në Gjakovë, Qaniu sërish u zhduk.Qëndruam dy orë dhe, befas ndërsa po kthehesha i vetëm nga Çarshia, shoh Qaniun në një makinë të zezë,tip i fundit.Ai uli xhamin e dritares dhe më afroi dorën pa zbritur nga makina.Nuk ia dhashë dorën,pse ai përtoi ose deshi të shprehte kapardisjen e tij pa zbritur nga makina.
-Eja me mua në makinë,më tha,mos rri me atë horr…Ishte fjala për Ganiun.
-Por ti,- i thashë,- i bie rrugës së vjetër dhe rruga e vjetër nga Kukësi në Tiranë mban tetë orë,ndërsa e reja dy orë,ajo që Ganiu e quan rrugë të tij…
Konstatimi im e vuri në siklet,për momentin nuk denjoi të japë përgjigje,nxori një paketë cigaresh të shtrenjta,ndezi një cigare dhe në tymin kaltërosh foli:
-Po andej do shkoj,më mirë andej sesa të udhëtoj në tunelin e korrupsionit…
Dhe u nis…Ndërsa ne,pas një ore udhëtonin nga Gjakova drejt Prizrenit dhe, më pas,drejt Kukësit,shpesh në rrugë na dilte para dhe anash një makinë e zezë,të cilën vetëm unë e dija se ishte e Qaniut;ajo herë zhdukej në lumin e makinave e herë shfaqej sërish duke ngadalësuar shpejtësinë.Ç`donte të tregonte me këtë demonstrim Qaniu, ec e merr e vesh,kur makina të tilla ,edhe pse luksoze, kishte me shumicë.Edhe në doganë e pashë makinën e tij që u nis sapo ne kaluam trarin e saj.Asnjëri ndër udhëtarët nuk e dinte se ajo ishte makina e Qaniut,që e ngiste shoferi personal i firmës së të birit të tij.Eh, Qaniu i shkretë që mbronte me fanatizëm çdo gjë të së shkuarës….Pastaj nuk e pashë më.Isha i bindur se ai i kishte rënë rrugës së vjetër.Komunistët asnjëherë nuk devijojnë nga rruga e tyre.Dhe ndodhi që ne ndaluan në një nga lokalet rrëzë autostradës në Mirditë.Autobuzi gërhiti dhe frenoi pranë një karburanti.Sapo zbrita ,vetëtimthi sytë më shkuan tek rruga dhe ja tek të shoh makinën e Qaniut.Po,po ajo ishte,e sigurtë!…Dhe koka e tij e thinjur në xhamin gjysmë të hapur të dritares.Qesha hidhur.Ai nuk i kishte rënë rugës së vjetër.Por ai nuk mund të thoshte se do vinte në rrugën e re,se këtë rrugë nuk e kishte bërë partia e tij, por partia e Ganiut.Hajde,ç`vete,- thashë nëpër dhëmbë, duke menduar se kur do shërohet geni shqiptar nga ky tharm prishës.
-Fole gjë ,më pyeti një grua që po vinte pas meje.
-Jo jo- thashë,ndërsa ajo rrudhi buzët duke kuptuar se unë gënjeja…