Ballina Aktualitet Shqipëria dhe Kosova me hidrocentral të përbashkët, bashkëfinancohet nga BE me nga...

Shqipëria dhe Kosova me hidrocentral të përbashkët, bashkëfinancohet nga BE me nga 20 milionë euro grante për të dyja vendet

Një hidrocentral i përbashkët do të ndërtohet në trekëndëshin Shqipëri-Kosovë-Maqedoni në zonën e Dragashit. Ky hidrocentral do të bashkëfinancohet nga BE, dhe do të përfshijë Shqipërinë dhe Kosovën. Ky hidrocentral do të ketë një kapacitet 200 megavate.

“Koha Ditore” raporton se në bazë të një prononcimi të ministrit të Zhvillimit të Kosovës, Valdrin Lluka, i cili në një vizitë në Tiranë, ka thënë se Bashkimi Europian do të financojë me nga 20 milionë euro grante për të dyja vendet.

“Ideja për ndërtimin e një hidrocentrali të përbashkët me Shqipërinë është realisht afër aprovimit dhe fillimit. BE-ja do të financojë me 20 milionë euro grant për Shqipërinë dhe 20 milionë euro grant për Kosovën për ndërtimin e një hidrocentrali që do t’u shërbente nevojave të balancimit energjetik për të dy vendet. Hidrocentrali pritet të ndërtohet në kufirin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni, në mes Dragashit e Prizrenit. Ajo pjesë aty është një potencial jashtëzakonisht i mirë për një hidrocentral me kapacitet 200 megavatë dhe ky, normalisht, do të shërbente për të dy vendet.”- tha Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit të Kosovës.