Ballina Sport Spanja nuk lejon flamurin e Kosovës në Botërorin e Karatesë

Spanja nuk lejon flamurin e Kosovës në Botërorin e Karatesë

Sportistëve nga Kosova u është ndaluar të garojnë nën flamurin e Kosovës në Botërorin e Karatesë që do të zhvillohet në Spanjë, me urdhër të Qeverisë Spanjolle, zbulon ” insidethegames.biz”.

Qeveria Spanjolle ka vendosur që Kosova do të lejohet të marrë pjesë vetëm në rast se delegacioni nga Kosova do të marrë pjesë nën banerin e Federatës Botërore të Karatesë (ËKF).

Një kompromis është arritur mes Qeverisë dhe Federatës Botërore të Karatesë, që atletët kosovarë të garojnë, por ata do të duhet të veshin uniforma ku do të jenë të stampuara inicialet “ËKF”. Po ashtu, ata do të marrin pjesë në paradën hapëse të kampionatit pa pasur mundësi të valëvitin flamurin e vet.

Vendimi skandaloz nuk është befasi, sepse Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Është incidenti i radhës që përfshin skuadrën e karatesë së Kosovës, që u ndalua dy herë që të hynte në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Europian që u zhvillua në maj në Novi Sad.

Edhe në Lojërat Mesdhetare në Tarragona këtë vit Qeveria Spanjolle e ndaloi Kosovën të dilte me flamurin e saj në Ceremoninë Hapëse.

Federata Botërore e Karatesë ka pasur diskutime të gjata për të evituar një situatë të ngjashme, por ka qenë e pamundur, edhe pse IOC, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i ka kërkuar Spanjës të lërë mënjanë politikën, ndërkohë që ka udhëzuar federatat sportive që të mos organizojnë më asnjë event në Serbi e Kosovë, për shkak të tensionit mes tyre.