Ballina Ravijëzime Politika dhe sporti

Politika dhe sporti

Nga Abdulla Mehmeti – Maqedoni

Klubi i volejbollit ,,Universiteti i Tetovës”, në kategorinë e femrave, në ndeshjen e javës së tretë të sezonit vjeshtor shënoi fitoren e radhës. Në Strumicë (qytetin e lindjes dhe bastionin e kryeministrit aktual të Maqedonisë), studentet tetovare e mundën ekipin ,,Makedonia Maks” me rezultatin maksimal 0-3, në sete, 6:25, 4:25 dhe 6:26. KV ,,Universiteti i Tetovës”, pas tri xhirove të zhvilluara ka të fituara 9 pikë maksimale.

Me këtë rast, sa për ta paraqitur saktë krahasimin mes sportit dhe politikës, duhet të kemi parasysh se këtë klub sportiv e mbajnë gjallë me financa vetë drejtuesit e klubit dhe vullneti i çeliktë i anëtareve të tij, volejbollisteve tetovare, përkundër veprimtarisë së partive politike, të cilat janë ,,hambare” të mjeteve financiare, në rrugë të ligjshme e të paligjshme!

Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, për 27 vjet me radhë, me përkrahje të gjerë nga elektorati, qytetarët vendës dhe diaspora, duke pasur në dispozicion edhe shuma marramendëse financiare, asnjë lojë nuk arritën ta fitojnë deri më sot, as në terrenin e vet, jo më në terrene të huaja.

Ku qëndron problemi në politikëbërjen tonë? Në mungesë të profesionalizmit? Mospasjen e kuadrit të nevojshëm? Keqmenaxhimin e partive politike, apo në vesin e tradhtisë për ,,shitjen e lojës”, që ka çmim të jashtëzakonshëm, pa çka se nëpërkëmben të drejtat kolektive të shqiptarëve në Maqedoni, për dekada me radhë, ndërsa trojet etnike zbrazen përditë e më shumë!

Analiza të mëtejshme mund të bëjë secili në mënyrën e vet, pa keqkuptime!

(6.11.2017)