Ballina Aktualitet Mhill Gecaj: Ndërtohet rruga për në Curraj i Epërm

Mhill Gecaj: Ndërtohet rruga për në Curraj i Epërm

Ngjarje e rrallë, në historinë shekullore:

NDËRTOHET RRUGA E MAKINËS, PËR NË FSHATIN E BUKUR ALPIN, CURRAJ I EPËRM

Nga Dr. Mhill Gecaj – Kryetar i Shoqatës Nikaj-Mërtur

Tashmë, u bë realitet, pra u përmbush një ëndërr shekullore e banorëve të fshatit të thellë e shumë të bukur malor, Curraj i Epërm, në krahinën e Nikaj=Merturit, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë)!

Të nderuar miq dhe dashamirës të mi dhe të mbarë krahinës Nikaj-Mërtur!

Me gëzim të papërshkruar ju njoftoj se, më datën 14 tetor 2018, në Log të Kishës, do të jetë një ngjarje e rrallë në historinë shumëshekullore. Pra, do të organizohët festa e madhe popullore, kushtuar përfundimit i rrugës automobilistike, për në fshatin Curraj Epërm!

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge, megjithëse në kushte të vështira të terrenit malor, u nisën më 4 korrik 2018, që nga ne Vrana  e Madhe. Një arritje e tillë madhështore, u bë realitet: falë vullnetit dhe mbështetjes së Pushtetit Vendor e Kryetarit të Bashkisë, Besnik Dushaj; Deputet Isuf Çelaj dhe administratorit të Njësisë së krahinës Nikaj-Mërtur, Gjovalin Gjeloshaj.

Por kryesorja, e paimagjinueshmja, unike në Shqipëri dhe në Europë, ishte mbeshtetja e tërë bashkësisë së fshatit Curraj Epërm, kudo që ata ndodhen dhe tërë Nikaj Mërturit, pra që  ishte “qershia mbi tortë”.

Një falënderim të veçantë u drejtojmë punëtorëve manovratorë dhe firmës, që mori përsipër punimet dhe i përfunmdoi ato  në kohë kaq rekord. Deshti Zoti dhe Ora e Madhe e fshatit Curraj Epërm, që kjo rrugë e vështirë u përfundua pa asnjë avari dhe as gërvishtjen më te vogël. Urojmë që Zoti ju dhashtë atyre, gjithmonë shëndet e mbarësi në jetë!

Një falënderim të përzemërt kemi për të gjithë ju, vëllezër të fshatit Curraj Epërm. Ju njoftojmë se, deri më 14 tetor 2018, do të bëhen sistemimet përfundimtare. Pra, u bëjmë thirrje që të bashkohëmi të gjithë edhe këto pak ditë që, nesër, askush mos të ndihet keq, se përse nuk u bë pjesë e ndihmës bujare, duke iu bashkuar vëllezërve të tyre!

Ky projekt i rrallë, në historinë e atyre maleve, nuk duhet dhe nuk mbaron këtu. Ëndrra dhe dëshira e të gjithëve përfundon plotësisht, pasi rruga të shkojë deri në lagjen Qeresh-Kuq(Gecaj). Prandaj, mos të rrijë indiferent asnjë bashkëfshatar ose bashkërahinas, kudo që ai jeton e punon, me aq sa mundësi të ketë për të ndihmuar. Kështu do të vazhdojmë të  jemi bashkë të gjithë, si kurdoherë, në ngjarjet e ndryshme historike!

Ju ftojmë të gjithëve: Miq dhe dashamirës, nga mbarë Shqiperia, Kosova dhe Diaspora, që të merrni pjesë në këtë festë solemne e madheshtore, aty në fshatin e mahnitës, me bukuritë e tij, në Curraj i Epërm, me datën 14 Tetor 2018. Le të gëzojmë dhe festojmë së bashku, Ëndërren e Brezave tanë!

Me respekt të veçantë dhe shumë mirënjohje, për të gjithë ju dhe mirë se vini, në festën tonë të përbashkët !

Më 6 tetor 2018