Nga: Halil Rama
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar Znj.Mimoza Dajçi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”. Në ceremoninë e Organizuar nga Kryetari i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, gjenerali 100-vjeçar Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, dekorata iu dorëzua Znj.Dajçi nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, z.Alqi Bllako, ndërkohë që në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe gjeneral Piro Ahmetaj, Këshilltar ushtarak i Kreut të Shtetit si dhe z.Majlind Lazimi, këshilltar ekonomik i Presidentit Meta.
Në prani edhe të anëtarëve të tjerë të Kryesisë së OBVL, z.Bllako bëri të ditur se Presidenti i Republikës e ka dekoruar znj.Dajçi me Nr. Dekreti 10923, datë 29.10.2018, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë humanitare si themeluese e Organizatës së Gruas shqiptaro – amerikane ‘Hope&Peace’, për kontributin e vyer, dhënë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, si dhe për mbështetjen ndaj grave dhe fëmijëve në nevojë”.
Gjeneral Parllaku, në fjalën e tij përshëndetëse, pasi i shprehu mirënjohjen Presidentit Meta për konsiderimin e propozimit të OBVL në vlerësim të kontributit të Znj.Mimoza Dajçi, evidentoi origjinën e saj, si bija e delegatit të Konferencës së Bujanit, Enver Dajçi, ish i burgosur politik i regjimit komunist dhe mbesë e Familjes së shquara Boletini. Kreu i OBVL-së foli gjithashtu për kontributin e znj.Dajçi si kryetare e Degës së kësaj organizate në New York për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të LANÇ. “Dimensionit të saj si gazetare i bashkangjitet edhe aktivizmi i theksuar, veçanërisht në përpjekjet qytetare për çështjen tonë kombëtare. Si pinjolle e një familje atdhetare ajo nuk nguron të shkojë deri në Hagë për të investiguar krimet e Millosheviçit kundër kosovarëve, ashtu siç bën analiza perfekte për genocidin e pashëmbullt komunist në Shqipëri”,-tha ndër të tjera gjeneral Parllaku.
Me këtë rast, në një nga mjediset luksoze të Hotel “Mornac” në Tiranë, u promovua edhe libri i ri i autores Mimoza Dajçi “E bukura nën pranga” . Me një karrierë gati 30 vjeçare në shtypin e shkruar, Mimoza Dajçi është tashmë një zë dinjitoz në publicistikën shqiptare. Në librin e saj të ri “E bukura nën pranga”, ajo ka përmbledhur vetëm një pjesë të krijimtarisë së saj publicistike. Por pa asnjë mëdyshje ky libër është befasi në botimet e fundit. Mimoza të befason me diapazonin e gjerë e njohuritë e saj për jetën dhe me mënyrën e të rrëfyerit të ngjarjeve e fenomeneve në reportazhet, skicat letrare, essetë e përshkrimet. Nëpërmjet tyre, si edhe në tre poezitë e përzgjedhura ajo prezantohet me një leksik të pasur dhe një model gjuhësor për t’u marrë si shembull nga bashkëkohësit dhe veçanërisht nga gazetarët e rinj. Dhe padyshim, pjesa e portretizimit është testi i saktë i profesionalizmit të saj, të cilin e kalon shkëlqyeshëm në profilet e Isa Boletinit, Mine Mulosmanit, Rukie Ndreut e të disa biznesmenëve të sukssesshëm shqiptarë në SHBA.
Themeluese e Organizatës së Gruas Shqiptaro – Amerikane The women’s Organization “Hope & Peace” në SHBA, qëndrestare, aktive e orëve të para të Lëvizjes për Demokraci në Shqipëri, Mimoza Dajçi është pjesëmarrëse në hedhjen e bustit të diktatorit Hoxha në Tiranë familjarisht me të atin, vajzën – në atë kohë 6 vjeçare, e të gjithë familjen e saj, deri tek Qyteti Studenti për ditë e netë në solidarizim me studentët grevistë. Ish themeluesja dhe Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Gruas ish-të Përndjekur Politike të Shqipërisë, pasi ka patur të atin Enver Dajçi të burgosur politik dhe xhaxhain Rasim Dajçi të pushkatuar nga komunizmi në Prizren në nëntor të vitit 1943, do të provonte dhe përballonte me dinjitet peshën e rëndë të persekutimit nga djajtë e atij sistemi makabër.
Me organizatën që ajo drejton në SHBA ka ngritur vazhdimisht zërin për të drejtat e gruas së ish të burgosur dhe persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri, si dhe për gruan e dhunuar e malltrajtuar nga lufta e makinerisë serbe në Kosovë deri në OKB, Hagë si dhe ka mbështetur lirimin e liderëve të Kosovës në Hagë, të Z. Ramush Haradinaj në Hagë dhe Francë, me protesta në Manhattan, së bashku me Assemblyman Mark Gjonaj si dhe me materiale publicistike në media. Së bashku me Shoqatën “Duart e hapura” kanë sjellë në Shqipëri ndihma humanitare me rastin e përmbytjeteve me anë të kryqit të Kuq Shqiptar. Në shkurt të vitit 2018 u intervistua nga TV – BBC si gazetare dhe ish e persekutuar politike nga regjimi komunist në Shqipëri, si dhe për të dëshmuar mbi persekucionin e saj familjar.
Çdo fundviti së bashku me liderët politik dhe anëtarët e organizatës “Hope & Peace” në Neë York ndajnë ndihma në ushqime dhe paisje shkollore për gratë dhe fëmijët me të ardhura të pakta financiare.
Ajo është tepër aktive në median e shkruar dhe elektronike. Shpesh herë në emër të Organizatës “Hope &Peace”, Mimoza me anëtaret e tjera dalin me deklarata publike në mbrojtje të të drejtave të gruas së dhunuar në familje nga bashkëshortët, etj. Si gazetare dhe lidere në komunitet është intervistuar disa herë nga TV – Zëri i Amerikës.
Si drejtuese e organizatës “Hope & Peace” në New York për të drejtat civile ka qenë e ftuar në Samitin Botëror të Gruas në Japoni, New York, Samitin e C 20 dhe G 20 në Hamburg të Gjermanisë dhe para disa ditësh në Argjentinë.