Kancelari austriak Sebastian Kurz tha të hënën se Serbia nuk do të mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa gjetur një zgjidhje me Kosovën dhe kjo sipas tij është kushti kryesor drejt kësaj rruge.
Ai i bëri këto komente një konferencë për gazetarë në Beograd pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kancelari Kurz tha se është me rëndësi që bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të përfundojë me sukses,
“Ne kemi një mundësi unike tani që ta lëm historinë në histori dhe të lëvizim përpara në një të ardhme të suksesshme. Njerëzit në Serbi duhet të kuptojnë se Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian vetëm nëse Beogradi dhe Prishtina gjejnë një zgjidhje. Ky është kushti kryesor për Serbinë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian,” tha zoti Kurz.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se çdo zgjidhje për Kosovën duhet të jetë e mirë për të dyja palët si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.
“Ajo që është e rëndësishme për ne është se Serbia nuk mund dhe nuk duhet të jetë e poshtëruar dhe kjo është njëra anë, pala shqiptare nuk mund të marrë gjithçka dhe pala serbe asgjë. Ata që janë të përgatitur që ta marrin këtë parasysh dhe të cilët janë të gatshëm të kërkojnë për një zgjidhje të tillë, do të kenë gjithmonë një partner këtu në Beograd”,tha presidenti Vuçiç duke nënvizuar se të dyja palët edhe Serbia edhe Kosova janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje.
Presidenti Vuçiç ndërkaq kritikoi vendet që janë shprehur kundër çdo marrëveshjeje që prek ndryshimet e kufijve dhe qëdruajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.
“Ne jemi me milje larg nga çdo zgjidhje. Kjo zgjidhje duhet të gjendet mes serbëve dhe shqiptarëve dhe unë do të doja t’i pyesja të gjithë ata të cilët po thonë se ne mund të hapim një lloj kutie të Pandorës tani – përse e keni njohur pavarësinë e Kosovës dhe keni hapur kutinë e Pandorës në vitin 2008?”,tha zoti Vuçiç.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.
Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që e kundërshtuan sikurse Gjermania që ishte më e zëshmja kundër ideve të tilla.
Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë, me Kosovën. Të martën, presidenti Thaçi do të takohet me Kancelarin austriak Sebastian Kurz në Prishtinë, ku çështja e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë pritet të jetë tema kryesore.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet në Bashkimin Evropian, i cili edhe ndërmjetëson bisedimet. Por, ndonëse ishte thënë se vjeshta mund të shënojë një periudhë takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve, takimi i fillimit të shtatorit dështoi dhe tash për tash nuk ka asnjë lëvizje nga Brukseli.
Të dy presidentët pohojnë se janë larg ndonjë marrëveshjeje dhe nuk kanë pranuar të thonë nëse tashmë kanë hedhur në letër idetë që një pjesë e veriut të Kosovës, të shkëmbehet me një pjesë të luginës së Preshevës.