Ballina Kryesore 70 personazhe në 10 faqe!

70 personazhe në 10 faqe!

Nga Mehmet Elezi

1.
Ç’është ky libër “gërmadhë”? (Arbër AHMETAJ, 69 GRA – Gërmadhë letrare: as tregime, as novela, aq më pak romane -, Skanderbeg Books, 2018).
Arbri është shkrimtar pa licensë zyrash. Para tridhjetë vjetësh paralajmëroi me një letër nga varri: po vij. Fantazma ia behu me romane, tregime, poezi.
Binin në sy tri tipare:
1. përqëndrimi te arti në qelizë, shpesh duke shpërfillur strukturat konvencionale të kompozimit letrar;
2. dendësia e dramës. Te Riva H., dhe jo vetëm aty, fjala dridhet prej tensionit të brendshëm;
3. një marrëdhënie e ndezur epshore midis prozës e poezisë. Nëpër shtratin surrealist të atij që njihet si përroi i ndërgjegjes, shpesh kufijtë e tyre shkrihen.
Artin nuk e shoh si mundim, por artisti jashtë protokollit është i munduar. Nuk je në listë, kush të ka thirrur, janë zënë vendet. Veç talentit, i duhet fuqi shpirtërore. Edhe fat.

2.
Fjala gërmadhë të tremb. Edhe kur është eufemizëm.
Arbri e ka në kuptimin estetik, si rrenim skemash.
Kam njohur një shoqëri ndërtimesh në Zvicër, presidenti i saj shqiptar, diku nga 2010-a, qe shpallur ndër 100 personalitetet zvicerane të vitit. Sot nuk më ndërmenden ndërtesat e bukura, as hollësitë e fillimit me një karrocë dore. Por një imtësi gati e pabesueshme nuk harrohet. Do të prishej një pyll i vockël për shesh ndërtimi, aty paskesh qenë një çerdhe lejlekësh. Një milion franga u shpenzuan me e ruejtë mirëqenien e shpendit elegant, duke rikrijuar diku tjetër habitatin e tij. Një shoqëri prozaike ndërtimi bën gërmadhë identitetin dhe financat, për një çift lejlekësh, por a është gërmadhë kjo?
Lejleku i një milon frangave rishfaqet në tregimin Ndërdyshaz. Për të ngushëlluar një mace rruge me kotelet e saj, djali rrenon shumëçka. Marrëdhëniet me të dashurën. Një kontratë me ngjitje në karrierë dhe me pare. Zgjon pikëpyetje për shëndetin e vet mendor. Fillimi absurd, flirt dashurie me një mizë, krijon përshtypjen e një skice për ndonjë snob trendy. Pastaj? Midis gërmadhës ngrihet Njeriu, Njeriu në art. Aq i vërtetë, sa duket e pamundur.

3.
Nuk di ç’kish në mend Gogoli, kur romanin Frymë të vdekura, një prej satirave më therëse të botës, e quajti poemë. 69 GRA, që i jep titullin librit, nuk është tregim. Është poemë e mirëfilltë.
Pse poemë? Lënda ngjizet me musht poetik, plot lirizëm. Një metaforë nuk ngjan me tjetrën. Asnjë epitet nuk rimerret. “E bukur si miskonjë. Flokët prej dielli e buzët prej prushi”. “Si stina. E dogji krejt barin e ngjyrës së syve të mi. Asnjë drenushë s’mund të kullosë më në gjelbërimin e tyre”. “Ti që kishe detin në shpirt, bëje plazh edhe në një lugë ujë. Edhe nën rrezen e diellit, që hynte nga vrima e çelësit”.
Asnjë epitet nuk rimerret? Ka një përjashtim. Thuajse të gjitha gratë e bukura të poemës kanë flokë të zinj, pendë korbi. Me gjasë ka ndërhyrë ai rrezatim që frymëzon vetvetishëm artin dhe jetën e Arbrit. Që quhet Fatmira.
Pse poemë?
Vepra s’ka fabul. Ka një thelb, ai vlon rreth asaj që njihet si mëkati i parë e që, siç duket, do të jetë edhe mëkati i fundit.
“Një mendje të thotë se mund ta lexosh edhe ndryshe: fillo në faqe të fundit e dil në faqe të parë. Piktori i madh amerikan Xhekson Pollok ndjek një filozofi të përafërt. Pikturat e tij shijohen njësoj si të vendosura me krye poshtë ashtu edhe me krye nalt, ato s’kanë kokë as fund. Sepse, thotë ai, edhe bota, Gjithësia, kështu është ndërtuar: pa fillim e pa fund».
Këto fjalë i kam shkruar para do vjetësh për romanin Varri i Braktisur. Do t’i përsërisja për poemën 69 GRA. Tashmë jo si metaforë.
Vepra s’ka aksion, që mban pezull. Thjesht bën laradash nëpër një fushë energjie që ndryshon botën. Kjo energji botëndryshuese quhet grua.
Vepra s’ka një personazh qendror. Ka 70 personazhe, në dhjetë faqe kompjuterike. 69 gra dhe një burrë. Burri është uni artistik. Ky unë e sheh gruan në prerje erotike, por edhe në kundrojë qytetare. Rozafa, Teuta ilire, Hillari me fëmijët e Kosovës ngrykë, Roza Parks. Kjo kundrojë trazuese për ndërgjegjen e njerëzimit, e ridimensionon veprën. “E vrave Pashën, Norë! Vrasja s’është kurrë e mirë, veç kur shmang një përdhunim. Poshtërimin e një gruaje. Të atdheut. Ja sepse më merr malli për ty, Norë, vrasëse e ëmbël!”.
Të 70 personazhet janë thyezim (mozaik), ansambël skene. Gra qiellisht të bukura, flakërisht të ndjeshme. Shfaqen si në pasarelë, zhduken për të mbetur aty. Asnjë karakter s’i ngjan tjetrit. Kush i panjohur, kush emër i përbotshëm, në të njëjtën galeri. Tek e mbramja, 69 zonjat e poemës janë vetëm një. Diçka si gruaja në pikturat e Pikasosë.
Raportet midis fjalëve erotizëm dhe seks janë afërsisht si raportet midis fjalëve grua dhe femër. Mopasani i vatërzuar te erotizmi është Mopasan. Ashtu si Rodeni, ashtu si Bhaltusi. Një Bukovski që ndizet e shuhet te seksi, pa vezulluar dot te erotizmi, nuk jam i sigurtë sa pasuron me art. Harmonizimi në përpjestim të arsyeshëm i erotizmit me seksin është delikatesë artistike. Është edhe thelb.
69 GRA mahnitëse parakalojnë marramendshëm në 10 faqe. Në dijeninë time një popullim kaq i dendur është rast vetmitar në letrat shqipe. Të kujton Danillo Kishin, Enciklopedinë e të vdekurve. Ani pse vërshimin e personazheve te Kishi më shumë e ndiejmë se e shohim, ato skicohen si fate njerëzore, si ndodhi jetëshkurta, me të cilat thuret jeta.
Te 69 GRA personazhet janë vetë shija e jetës. Përfshi të hidhurën.

(Diskutim në përurimin e librit të Arbër Ahmetajt “69 GRA”, Tiranë, 02 nëntor 2018)
Mehmet ELEZI