Dalja nëpër kinema e një filmi aksion të “Hollywood”-it, në të cilin ushtarët amerikanë shpëtojnë një president rus gjatë një përpjekjeje për grusht shteti, është shtyrë në mënyrë misterioze në Rusi dhe Ukrainë, me raporte që sugjerojnë se shfaqja e tij mund të jetë ndaluar për shkak të përmbajtjes.
I dalë në kinematë amerikane javën e shkuar, “Hunter Killer” është një “thriller” në të cilin shfaqet Gerard Butler, si kapiteni i një nëndetëseje amerikane, që përpiqet të parandalojë Luftën e Tretë Botërore, pasi presidenti rus është marrë peng nga ministri i tij i Mbrojtjes.
Kritikë të Kremlinit thonë se filmi po bllokohet nga qeveria, për shkak se ai sugjeron një mundësi qoftë edhe imagjinare, që presidenti Vladimir Putin mund të rrëzohet.