Ballina Art Njihuni me dhjetë hekurudhat më të bukura në botë

Njihuni me dhjetë hekurudhat më të bukura në botë

Njëherë e një kohë, treni konsiderohej një mënyrë udhëtimi e shpejtë dhe e sigurt.

Sot siguria mbetet, por ky mjet transporti ofron shumë ide për përkrahësit e udhëtimit të ngadaltë

Më poshtë janë dhjetë hekurudhat më të bukura në botë…

GLACIER EXPRESS – ZVICËR

Me siguri është një ndër itineraret hekurudhorë më të bukur në botë dhe pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s. Edhe pse është treni më i ngadaltë në botë (shpejtësia mesatare arrin 33 kilometra në orë), përshkon 270 kilometra në një peizazh të mrekullueshëm në malet që ndajnë Zermatt dhe St. Moritz, për rreth tetë orë. Treni përshkon 91 tunele dhe 291 ura.

ORIENT EXPRESS

Ai është princi i trenave dhe ikonë e luksit e misterit, dashurisë dhe spiunazhit. Vagonët e tij ikonë kanë mirëpritur James Bond dhe gjatë viteve të Luftës së Ftohtë ishin ndër të paktat lidhje mes Lindjes dhe Perëndimit. Sot treni quhet Venice-Simplon Orient Express dhe është restauruar tërësisht, lidh Londrën me Venecian me disa ndryshime të itinerarit, gjithnjë në kërkim të luksit ekskluziv.

CALEDONIAN SLEEPER – BRITANI E MADHE

Udhëtimi nis nga Londra dhe mbërrin në Highlands skoceze, në Fort William, pas 13 orë dhe më shumë se 819 kilometra. Gjithë udhëtimi është i magjishëm.

OSLO–BERGEN – NORVEGJI

Treni daton në shekullin XIX dhe përshkon male, fjorde dhe pyje. Në rreth gjashtë orë e gjysmë udhëtim ju do të mrekulloheni me peizazhin përtej dritares.

ROCKY MOUNTAINEER – KANADA

Një itinerar i mrekullueshëm që mund ta admironi përtej dritareve panoramike të vagonëve të veçantë turistikë. Treni përshkon Parkun Natyror Jasper, pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s.

FIANARANTSOA-MANAKARA – MADAGASKAR

Hekurudha përshkon pjesën juglindore të ishullit dhe daton në fillim të shekullit XX. Është një mënyrë e veçantë për të eksploruar këtë pjesë të vendit. Treni ka shpejtësinë e një kërmilli, i duhen rreth 12 orë për të përshkuar 160 kilometra.

THE GHAN – AUSTRALI

Falë udhëtimit me këtë tren, një ndër më luksozët e kontinentit, turistët do të zbulojnë zemrën e vendit. Udhëtimi zgjat dy ditë, nga Adelaide deri në Darvin. Itinerari përshkon thuajse 3 mijë kilometra, shkretëtirën australiane, mes peizazheve mjaft të ndryshme e unike në botë.

THE REUNIFICATION EXPRESS – VIETNAM 

Treni përshkon 1726 kilometra që ndajnë Ho Chi Minh City nga kryeqyteti i Vietnamit, Hanoi, në dy ditë udhëtim mes brigjeve të mrekullueshme, qyteteve historike dhe personazheve kureshtarë që është diçka e zakontë t’i takoni në tren.

TRANZALPINE – ZELANDË E RE

Kjo hekurudhë historike lidh Christchurch me Greymouth dhe në rreth pesë orë përshkon gjithë zonat klimatike të Zelandës së Re. Peizazhet janë magjepsëse, me male e brigje, liqene e kodra që do t’ju shfaqen në dritare.

PEKIN-LHASA – KINË

Ashtu si çdo gjë që lidhet me Kinën, dimensionet janë të mëdha: 3750 km dhe 40 orë udhëtim, nëpërmjet peizazheve nga më të ndryshmet, ndërtesat perandorake të kryeqytetit të Kinës, malet dhe manastiret e Lhasa në Tibet.