Ballina Rajoni Stamboll, mbahet Samiti për çështjet politike dhe të sigurisë në Siri

Stamboll, mbahet Samiti për çështjet politike dhe të sigurisë në Siri

Liderët e Turqisë, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë janë duke mbajtur një samit në Stamboll, ku do të diskutojnë për çështjet politike dhe të sigurisë në Siri, me shpresë se do të gjejnë një zgjidhje politike lidhur me konfliktit shtatëvjeçar sirian, ku janë vrarë mbi 400 mijë persona dhe jam zhvendosur miliona të tjerë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të organizojë këtë samit, ku do të mirëpres presidentin rus, Vladimir Putin, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Ata pritet që të promovojnë ruajtjen e armëpushimit në provincën veriperëndimore siriane të Idlibit. Marrëveshja e arritur muajin e kaluar, ka ndaluar Qeverinë e Sirisë që të ndërmarrë një ofensivë në bastionin e fundit të rebelëve, që shumë besonin se mund të shkaktonte një krizë të re refugjatësh.

Tema të diskutimit do të jenë edhe qasja në ndihmat humanitare, përgatitjet për draftimin e një Kushtetute të re, e cila mund të ndihmojë në rindërtimin e shtetit të shkatërruar nga lufta.

Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin tha të premten se qëllimi kryesor i samitit do të jetë “qartësimi i hapave që duhet të ndërmerren për të arritur një zgjidhje politike”.

CCN turk ka raportuar se ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu është takuar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov para samitit, por nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë takim.