Ballina ED/OP “Rënia e mitingut” ose një frymë ndryshe…

“Rënia e mitingut” ose një frymë ndryshe…

– Nga Lulzim Logu

Ka të paktën 10 vjet që ndjej emocionet e Mitingut të Poezisë , që tash 54 vjet mbahet në Gjakovë, një traditë dhe kontribut mbresëlënës historik, sesi krijuesit në epoka të ndryshme kanë ndërtuar një institucion të vertetë, në kohë lufte dhe në paqe, duke shkëmbyer frymë dhe përvoja jo vetëm letrare. Padyshim se duhet të jetë një ndër organizimet më të veçanta në botën letrare shqiptare, inicuar dhe paraprirë nga emra të mëdhenj si Din Mehmeti, Ali Podrimja, Enver Gjergjeku.

PAK HISTORI…

Manifestimi më i rëndësishëm dhe më me peshë në aktivitetin e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi’’ është organizimi dhe mbajtja e Mitingut të Poezisë. Ky miting për herë të parë u organizua dhe u mbajt nga letrarët e Gjakovës. Në fillim kishte karakter lokal. Kryesisht komunal deri në vitin 1967, kur vendoset që të marrë karakter më të gjerë, pra krahinor, kosovar.

Mitingu i parë i Poezisë në Gjakovë është mbajtur në vitin 1964 në Parkun e qytetit. Sipas poetit Din Mehmeti, ky organizim u bë në marrëveshje të krijuesve të Gjakovës.

Ky manifestim i këtij lloji zgjoi interesim shumë të madh sa që edhe kishte bërë bujë të madhe në të gjitha qarqet kulturore e sidomos letrare jo vetëm në Gjakovë, por edhe në Kosovë. Andaj, prej këtij momenti, duke e parë rëndësinë dhe interesimin e madh për fjalën poetike, kryesia e Klubit letrar vendosi që ky manifestim të bëhet tradicional me emërtimin “Mitingu i Poezisë” dhe të ketë karakter krahinor.
Në mbledhjen e datës 20.04.1967 të kryesisë së Klubit letrar të Gjakovës u morën disa përfundime të rëndësishme dhe historike për krijimtarinë poetike dhe letrare në përgjithësi, si:
1. Mitingu i Poezisë duhet të bëhet tradicional,
2. Mitingu të mbahet për çdo vit më 9 Maj,
3. Gjatë kësaj kohe, do të thotë para mbajtjes së Mitingut, Klubi të ketë emrin e vet të përhershëm.

Mitingu i Poezisë u mbajt edhe në kushtet e rënda të sigurisë dhe sidomos ato politike ,të cilat ishin tejet të rrezikuara. Pushteti serb kishte shtrirë sundimin e tij antishqiptar në të gjitha poret e jetës. Edhe në kulturë kishte trysni dhe pastrim etnik nga pushteti serb. Por edhe në këto kushte në këtë vit në Gjakovë u mbajt Mitingu i Poezisë.

Madje ai u mbajt në sallën universale të Pallatit të kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.Mitingu i Poezisë së vitit 1993, 1994 dhe ai i vitit 1995 u mbajtën në Prishtinë në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.Në vitin 1996 Mitingu i Poezisë u kthye prapë në Gjakovë.

Përpër të shtrirë aktivitetin e vet ,duke i dhënë reputacion mbarëkombëtar, Këshilli i Mitingut 2010 vendosi që ai prej këtij viti të mbahet edhe në qytetin Bajram Curri. Këtë e pranoi me kënaqësi Bashkia e këtij qyteti dhe drejtuesit dhe anëtarët e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë.

Kryesia e Klubit në bashkëpunim me Këshillin e Mitingut vendosi që ta përfshijë në programin e Mitingut të Poezisë edhe një manifestim të quajtur “Java e Mitingut”. Ky manifestim zhvillohet 3-5 ditë para Mitingut të Poezisë. Viteve të tjera, duke filluar nga viti 2009, 2010 dhe 2011 “Java e Mitingut” u pasurua me përurime të veprave letrare të anëtarëve të klubit letrar, por edhe më gjerë.

Në Mitingun e Poezisë në Gjakovë që nga themelimi i tij e deri tash kanë marrë pjesë shumë poetë edhe nga shtetet e ndryshme të Ballkanit, Evropës dhe me gjerë. Edhe shkrimtarë nga Shqipëria kanë marrë pjesë në Mitingun e Poezisë prej viteve 1970 e tutje.

VAZHDIMI…

Krejt çka përvijohet nga kjo përmbledhje historike e 50-viteve Miting i Poezisë në Gjakovë, jetësuar në librin me të njëjtin titull të poetit, studjuesit dhe njërit prej anëtarëve më aktivë të tij,Halil Haxhosaj, të krijon ndjenjë krenarie dhe entuziami,  për ta çuar më tej produktin e këtij aktiviteti, shtrirë në kohë të ndryshme, bartur nga emra të medhenj të letërsisë shqipe në Kosovë, Shqipëri dhe vise të tjera me shqiptarë.

Por viteve të fundit, si ne formatin e mitingut, por besoj edhe ne organizimin e vetë klubit që merr përsipër ta zhvillojë atë periodikisht ndër vite, për ta ruajtur dhe çuar përpara këtë traditë të çmuar, ka pasur ngërç të dukshëm, përsëritje monotone në program, zbehje të objektivave të aktivitetit, tkurrje të ndjekësve të tij, mungesë emrash të njohur në lartësinë e arritjeve të tij në disa dekada, vonesa të pashpjegueshme në kohë, shtyrje të afatit të njohur kalendarik të mbajtjes së tij, paqartësi dhe moskombinim mes javës së mitingut dhe vetë ditës kryesore të tij, ngurrim për ta ndërruar emërtimin “miting” dhe së fundi një përpjekje për ta shndrruar në një festival poetik, por akoma me fjalën “miting” brenda…

Një varësi e vazhdueshme nga mundësia nëse Ministria e Kulturës , që afron fondin e duhur,prirje e çuditshme për të pranuar emra letrarë apo personalitete ndoshta të diktuar nga Prishtina, për të drejtuar në miting,një xhelozi ende e pashuar dhe jo lehtësisht e dukshme mes krijuesve themelues të Gjakovës të mitingut dhe krijuesve nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, të cilët e zhvilluan për disa vite në selinë e tyre, mungesa e ndjeshme e një organi letrar që do të botonte krijimet dhe produktet e mitingut do ti reklamonte pozitivisht në qendrat tona të njohura kulturore…

Mitingu së fundmi ka tentuar dhe ja ka arritur të mbledhë krijues  mbarëkombëtarë,në një përpjkje të ketë status të tillë dhe të krijojë soliditet në organizimin e tij, por këto përpjekje kanë qënë deri tani periferike, pa studimin dhe hartën e duhur kulturore, duke ja lënë momenteve të fundit zgjedhjen e emrave dhe vendimeve për vlerësimin e krijimeve.

Megjithatë zgjedhja për të zgjeruar mitingun brenda arealit të vet historik , gjeografik dhe të traditës kulturore me Tropojën, më pas me Lezhën, Mirditën dhe Shkodrën, ishin padyshim nuancë pozitive, të cilat do të duhet të çonin drejt një mënyre më pragmatiste, të konsoliduar dhe novatore të organizimit të këtij mitingu, duke u konsideruar si ngjarje kulturore mbarëkombëtare, e mezipritshme në pranverën e çdo viti, në agun pranveror dhe duke koinçiduar me ngjarje të rëndësishme historike të lirisë së Kosovës dhe më tej.

KONSIDERATA IME:

Mitingu i poezisë në Gjakovë besoj se ka qënë dhe mbetet një realitet krenar për krijuesit shqiptarë kudo!Natyrisht se koha dikton reformimin në mënyrën e tij të organizimit, por jo shuarjen e tij anonime, anipse ai e ka kryer më së miri misionin e tij kulturor dhe jo vetëm.Nuk ka rëndësi emertimi i tij, rëndësi ka që në gjurmën e traditës së vjetër, të ngrihet krijesa e re, e cila njëkohësisht respekton themeluesit, vazhduesit, por sjell dhe frymën e re, aktorët e rinj.

Sigurisht duke mos e konsideruar si orë letrare, ky term është tejet modest dhe shkollaresk, takimi duhet të jetë përballje me risitë dhe zhvillimet e nevojshme letrare, duke mos humbur konkurimin , ku cilësia duhet te jete prioritet, sepse vet poezia është art elitar.Nuk duhet të kërkojmë fajtorët, por të gjejmë nismetarët e ndryshimit dhe të respektit për gjithë këto vite të gdhenduara në memorien tonë.

Edhe autori i këtij shkrimi, pjesë përbërëse dhe bashkëpunues tash dhjetë vite dhe më tepër me mitingun dhe organizatorët e tij, natyrshëm duke e konsideruar Gjakovën djep kulture dhe me kontribut të pamohueshëm në në kulturën tonë kombëtare, gjithashtu organizator i një eventi të emërtuar “Ora e poezisë” që tash tetë vite mbahet në Tropojë, ideuar dhe mbështetur nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, duke mbledhur me dhjetra krijues nga të gjitha trojet shqiptare, mendon se ka ardhur koha e ndryshimit dhe e një fryme të re.

Të dalësh përtej skemave të vjetra, duke qënë fleksibël me zhvillimet intensive, me qasjen e lexuesit ndaj artit dhe letërsisë, duke riformatuar arritjet pa i mohuar tërësisht ato, përmes gjetjeve dhe teknikave afruese kah shija e lexuesit dhe shërbimit ndaj tij me produktin që arrin më lehtësisht dhe më i kuptueshëm dhe ndikues tek ai, rrugëve të jetës.

Sivjet në Edicionin e 8-të të këtij manifestimi jemi perpjekur të japim një tjetër përformancë që sjell më shumë bashkëbisedim dhe dialog kulturor, më shumë shkëmbim real idesh dhe mendimesh kundrejt rëndjeve arkaike nga çmime të pamerituara dhe lavdi përcjellëse në rrjete sociale, duke krijuar vazhdimisht ikona të rreme dhe trende të pabesueshme të avancimit kulturor…

Gjithmonë së bashku dhe pranë njëri tjetrit, kritikë objektivë dhe menxhues të besueshëm të zhvillimeve tona, duke menduar se ndërsa shpresojmë në ruajtjen dhe konservimin e vlerave të padiskutueshme të 54-viteve të Eventit të njohur si Mitingu i Poezisë në Gjakovë dhe në përpjekjen për ti dhënë një formë dhe përmbajtje më moderne në ritmet e reja të ditës( larg qoftë shuarja e tij?!)njëkohësisht përpiqemi ti ngjajmë dhe të ngrihemi në nivelin e tij me aktivitete relativisht të reja,si “Ora e Poezisë” në Tropojë;”Ora e Muzës” në Lezhë apo simotra në shumë qytete të tjera në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjakova duhet të shmangë çdo gjurmë sado të vjetër izolacioniste, fshehur pas lavdisë së vjetër, duke rrezikuar të kthehet në provincë e mbyllur letrare, me historinë, emrat dhe kontributin e saj, me mundësitë e reja që sjell hapja dhe qasja adekuate ndaj talenteve të reja, me shumicë, që padyshim i ka, sidomos në letërsi.Klubi”Gjon Nikoll Kazazi” duhet të jetë dhe të mbetet një shkollë e madhe letrare dhe pikerisht mitingu i poezisë, i lançuar me një veshje të re dhe me një funksionalitet gjithëpërfshirës, mbështetur nga Komuna dhe vetë Ministria e Kulturës si një brendi me renome, por edhe hapja e sinqertë mbarëkombëtare, duke forcuar gjymtyrët e organizimit, do të jenë standart serioz i mbijetesës së tij.

Pikësëpari kjo mbetet detyrë e kryesisë së klubit dhe e anëtarësisë së tij, por edhe e jona si kolegë, bashkëpunëtorë dhe krijues.Ndaj nuk ndihem i paragjykuar që shpreha keto mendime, që solla modestisht një opinion timin, gjatë këtyre viteve e kam ndjerë veten pjesë e tij, kam ndarë mbresa dhe emocione të pashlyera nga aktivitetet e përbashkëta, kemi kapërcyer mure mosbesimi dhe paragjykimi në Malsinë e Gjakovës për të argumentuar qënien bashkë dhe integrimin tonë të përbashkët kulturor, kemi ndërtuar ura bashkëpunimi dhe vepra të përbashkëta si “Antologjia e poetëve të Malsisë së Gjakovës”; kemi botuar revistën e përbashkët kulturore “Urat”; kemi udhëtuar bashkë brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, duke përfaqësuar traditën tonë kulturore, kemi ndarë mirënjohje dhe respekt të dyanshëm.E gjitha kjo, përtej provincializmave dhe llogarive në madhësi territori apo popullsie, larg të qënit i madh apo i vogël,bazuar gjithmonë në misionin e krijuesit, në misionin fisnik “Për të qënë bashkë dhe për tu dashur” siç perifrazonte poeti i madh Din Mehmeti dhe jo për tu grindur se kush është i pari i katundit…

Gjakova është vendi im, mitingu është një copëz e rëndësishme e kulturës së tij,paraqitja e tij dinjitoze pjesë shpirtërore dhe thagmë e krijuesve të ndershëm dhe të angazhuar, debati mbi cilësinë e kësaj paraqitje, besoj se detyrim i çdo intelektuali që e do vertetë atë!

  1. Çdo perpjekje për ta keqinterpretuar titullin e shkrimit apo klasifikuar në pozita personale qasjen e autorit ndaj tematikës, shpresoj të jetë e panevojshme dhe e gabuar!

 

TETOR 2018