Ballina Bota PE voton kundër përdorimit të produkteve plastike në vendet e BE-së

PE voton kundër përdorimit të produkteve plastike në vendet e BE-së

Parlamenti Evropian votoi me shumicë dërrmuese për të ndaluar në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian produktet plastike me një përdorim, të tilla si pipat, lugët, pirunjtë e thikat plastike, shkopinjtë plastikë për të përzier kafenë.

Vendimi u miratua të mërkurën me 571 vota pro, 53 kundër dhe 34 abstenime.

Mbështetësit e kësaj politike thonë se plastika është një burim i madh i ndotjes që po asfikson oqeanet, po ndot qytetet dhe që kërkon dekada për t’u shpërbërë.

Nëse vendimi miratohet nga Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së dhe prej secili shtet veç e veç, ndalimi do të bëhet ligj në vitin 2021.

Projektligji për ndalimin e përdorimit të plastikës në vendet e BE-së përfshin gjithashtu afate për riciklimin e produkteve të tjera plastike si shishet, filispanja për peshkim, ambalazhet plastike të ushqimit dhe filtrat e cigareve.

Disa qytete amerikane kanë marrë vendim për të ndaluar pipat plastike në restorante, pas publikimit më herët gjatë këtij viti të një videoje rrëqethëse, ndërsa një person mundohej t’i hiqte një pipë plastike nga hunda e përgjakur një breshke.