Janë të paktën 1.7 milionë dollarë të parashikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit nga Ministria e Kulturës për programin e trashëgimisë kulturore dhe konkretisht për restaurimin e disa kishave dhe monumenteve të kulturës të shpërndara në gjithë vendin. Referuar raportit të monitorimit të kësaj ministrie lidhur me zbatimin e projekteve deri në fund të gushtit rezulton të jenë kryer ndërhyrje në disa prej objekteve por jo plotësisht tek të gjitha sipas planfikimit fillestar.
“Gjatë 8 mujorit të vitit 2018 ka përfunduar likuidimi i projektit për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” si dhe pagesa e TVSH – Rehabilitimi i Manastirit të Shën Mërisë për përdorim muzeal dhe rrethinat e sitit arkeologjik të Apolonisë Fier financuar nga BE në kuadër të programit IPA multibeneficiary. Ka përfunduar Restaurimi i Banesës së Vëllezërve Frashëri dhe Restaurimi i Muzeut të Sinjës – Dibër. Restaurimi i këtyre dy objekteve bëri të mundur shmangjen e degradimit të mëtejshëm të tyre” thuhet në raportin e Ministrisë së Kulturës.
Po cilat janë objektet e tjera ku ka pasur ndërhyrje restaurimi dhe ku procesi është ende në vijim. Sipas ministrisë vijon puna për restaurimin e 8 objekteve, në 6 kisha dhe 2 ura, monumente kulture të kategorisë së I-rë.
Kështu vazhdon restaurimi për Kishën e Shën Mërisë në Ristoz, Korçë, Faza e III-tëpunë e cila ka filluar në vitin 2014 – 2015.
Restaurim Kisha e Shën Mërisë Peshkëpi e Sipërme – Gjirokastër, me fondin 24,600,000 lekë, do të kryhen ndërhyrje restauruese në mure, kupolë, çati, restaurim dhe konservim i pikturave, si dhe restaurim i të gjithë elementeve arkitektonikë në brendësi të Kishës.
Restaurim Kisha e “Shën Apostujve” Hoshtevë, Zagori, me fondin 9,199,330 lekë, do të kryhen ndërhyrje restauruese të muraturës së narteksit, këmbanarja, si dhe ndërhyrje në çati, në fugatime të muraturës, në pikturën murale, dekoracionin prej druri, si dhe sistemime të sheshit përreth
“Restaurim i kishës së Shën Nikollit (Vend varrimi Skënderbeut) – Lezhë, projekti i restaurimit parashikon ndërhyrje thelbësore dhe të domosdoshme. Restaurim “Kisha e Shën Thanasit”- Leshnicë-Sarandë. Ndërhyrjet konsistojnë në konservimin dhe konsolidimin e pjesës së mbetur të Kishës pas tërmetit në vitin 2017.
Restaurim Kisha Manastirit të Shën Mërisë Mesopotam Faza I -Sarandë, do të mundësohet ruajtja dhe konsolidimi i skemës egzistuese statike, funksionale dhe tipologjike të këtij objekti me vlera për trashëgiminë tonë kulturore dhe arkitektonike.
Restaurimi i Objektit Ura e Kollorcës 4 km në juglindje të Gjirokastrës, Lazarat 4,980,000 lekë, Me anë të kësaj ndërhyrje, sigurohet qëndrueshmëria e urës dhe jep mundësinë e restaurimit të plotë të saj në të ardhmen.
Restaurim Ura Nivanit, Nivan-Ndëran, Zagori, Gjirokastër, punime faktike 20 %. Punimet janë në fazën e tyre fillestare. Është bërë pastrimi i nga bimësia, i parashikuar në projekt dhe po zbatohet fugatimi” thuhet në raportin e ministrisë.
I njëjti dokument nënvizon se këto fonde në dispozicion janë të pa mjaftueshme për të kryer mirëmbajtjen e monumenteve dhe në të shumtën e rasteve përdoren për të nxjërrë objektet nga rreziku i shëmbjes.