Ballina Rajoni Thaçi: Dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse sjell njohje reciproke

Thaçi: Dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse sjell njohje reciproke


Hashim Thaçi

Pas një pritje që i bëri një ekipi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kryesuar nga komandanti i kësaj Force, Rrahman Rama, presidenti Thaçi tha se dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm në rast se sjell njohje reciproke.

“Marrëveshje që hapë perspektivën e njohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe mundësinë që pas marrëveshjes të hiqet vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit dhe Kosova të përfitojë njohje globale”, tha Thaçi.

Sidoqoftë ai tha se pritjet për një marrëveshje me Serbinë janë të vogla.

“Nëse arrihet marrëveshja, për çka unë jam skeptik, sepse shoh mundësi shumë të vogla, por ne duhet të punojmë”, theksoi presidenti i Kosovës.

Ai u bëri thirrje subjekteve politike në Kosovë që të bashkëpunojnë, të krijojnë konsensusin për bisedime dhe të shmangin mundësinë që Kosova të fajësohet për bojkotim të procesit.

Edhe këtë herë, Thaçi tha se në takimet e radhës në Bruksel, me palën nga Beogradi ai do të shtrojë edhe çështjen e “korrigjimit të kufirit në mënyrë që komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të përfshihen në Kosovë”.

Ndonëse u shpreh skeptik, Thaçi tha se cilado që të jetë marrëveshja finale, ajo do të ruajë edhe karakterin shumetnik në Kosovë.