Nga prof. dr. Sali BERISHA – ish President e ish Kryeministër i Shqipërisë
Të dashur miq, dje prita në një takim një përfaqësi të degës së dytë të Prishtinës të Lidhjes Demokratike të Kosovës të kryesuar nga kryetari i saj zoti Mustafë Krasniqi dhe të përbërë nga drejtues të tjerë të kësaj dege, zotërinjtë Florian Dushi, Osman Vitia, Sabri Zylfiu, Vehbi Krasniqi, zonjen Jeta Rafuna, z. Tefik Fazliu, zotin Fitim Havolli dhe Arianit Berisha.
Në këtë takim zoti Mustafë Krasniqi dhe pjesëmarrësit e tjerë të takimit më shprehen falenderimet për të gjitha qëndrimet dhe me njohën me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe qëndrimet e LDK ndaj këtyre zhvillimeve.
Përshendeta dhe shpreha vlerësimin tim për qëndrimin e qartë dhe të prerë të LDK dhe të gjitha forcave politike në Kosovë ndaj projektit antishqiptar, me emra të ndryshëm, për krijimin e Serbisë së Madhe, projekt të cilin po e paraqesin si të tyre argatët e Beogradit në Prishtinë.
Me këtë akt antikombëtar këta albanofob i bënë Kosovës një dëm të pamerituar.
Këta argatë, pa asnjë mandat, në dhunim flagrant të Kushtetutes së vendit, për interesa të padronëve të tyre nxoren në treg territoret, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ata, për të argumentuar aktin e tyre të pashembullt, i servirin publikut si zëdhënës të Beogradit një seri të pafundme trillimesh, mashtrimesh bajate të përditshme, dhe si sharlatane, për të maskuar aktin e tyre antikombëtar, njëherë flasin në emër të presidentit Putin, herën tjetër në emër të presidentit Trump dhe tani së fundi dhe të presidentit Makron.
Këta aventurierë, që duan të zhbëjnë Kosovën si shtet të pavarur, negociojnë me Beogradin si përfaqësues të tij në hije, si Dushan apo Miladin shqipfolës. Ata janë të rrezikshëm sepse tani që e shohin se kanë dështuar, së bashku dhe në koordinim me Beogradin mund dhe të provokojnë për llogari të tij konfliktualitet dhe akte destabilizuese.
Përshendeta votimin e përbashkët nga të gjitha forcat politike të tre ligjeve për ushtrinë e Kosovës, krijimi i të cilës është në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe të gjithë atyre që duan të jetojnë në një Kosovë të lirë, të sigurtë, faktor paqë dhe stabiliteti në rajon.
Zoti Mustafa me dhuroi botimin e plotë të veprave të presidentit Rugova.
Takimi ishte i përzemërt dhe vllazëror.