Parlamenti i Maqedonisë miratoi të premten një propozim për të ndryshuar emrin e vendit, duke e sjellë një hap më afër zgjidhjes mosmarrëveshjen shumëvjeçare me Greqinë për këtë çështje.
Tetëdhjetë deputetë në parlamentin me 120 vende votuan në favor të riemërtimit të vendit Republika e Maqedonisë së Veriut, duke arritur shumicën e dy të tretave që nevojiten për të miratuar ndryshime kushtetuese.
Tetë ligjvënës të opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE votuan pro nevojës për ndryshimet kushtetuese që do të çonin në ndryshimin e emrit. Ata janë: Elizabeta Kançevska Milevska, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukovski, Vlladanka Aviroviç, Emilija Aleksandrova, Luben Arnaudov, Nolla Ismailovska Starova dhe Zeqir Ramçilloviç. Por pa votat e partive shqiptare të opozitës, Aleancës për Shqiptarët dhe krahut tjetër të Lëvizjes Besa, nuk do të arrihej shumica e kërkuar.
Votimi u desh të përsëritej pas këmbënguljes së bashkërenduesit të grupit të deputetëve opozitarë maqedonas, Dragan Danevski dhe votimi i herës së dytë u bë në mënyrë publike duke u prononcuar secili ligjvënës në mënyrë individuale.
Ndërkohë, tetë deputetët opozitarë njoftuan se votën e tyre e japin me disa kushte, që janë:
1. Të pranohet një amendament që do të garantojë identitetin maqedonas.
2. Të jepen garanci, nëse Greqia nuk e ratifikon marrëveshjen me Republikën e Maqedonisë, atëherë të anulohen amendamentet që do të miratohen nga parlamenti i Maqedonisë lidhur me ndryshimin e emrit të vendit.
3. Ndryshimi i emrit (në Republika e Maqedonisë së Veriut) të bëhet shkallë-shkallë.
4. Nisma e Kryeministrit Zoran Zaev për faljen e personave të akuzuar në lidhje me ngjarjet e dhunshme në parlament në prillin e 2017-s.
Votimi i vendimit për nevojën e ndryshimeve kushtetuese i hap rrugën përgatitjeve të projekt amendamenteve dhe debatit në parlament.
Qeveria, si propozuese e ndryshimeve kushtetuese ka një afat prej pesëmbëdhjetë ditësh që t’i dorëzojë parlamentit projekt-amendamentet.
Në fazën e fundit, pasi të ketë përfunduar debati dhe të jenë miratuar ose refuzuar amendamentet që mund të paraqiten edhe nga deputetët, duhen dy të tretat e votave të përgjithshme, ose 80 vota gjithsej për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Megjithatë, marrëveshja midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë do të jetë e vlefshme vetëm atëherë kur atë ta ketë miratuar edhe parlamenti grek.
Sidoqoftë, votimi i së premtes në mbrëmje në parlamentin e Maqedonisë shikohet si një sinjal se votat e nevojshme janë siguruar dhe ndryshimet kushtetuese do të realizohen.
Kjo do t’i hapte rrugën vendit ballkanik për anëtarësim të shpejtë në NATO dhe për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Evropian në qershorin e vitit të ardhshëm.
Kryeministri Zaev, pas procesit të votimit, duke folur në një konferencë për mjetet e informimit e quajti këtë një ditë historike.
“Së bashku e shkruam historinë. Deputetët e opozitës të cilët e dhanë votën, e ndoqën vullnetin e popullit”, u shpreh zoti Zaev duke shpresuar se Maqedonia do të jetë pjesë e familjes evropiane.
Ai përsëriti nevojën për pajtim dhe falje në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, 2017 në parlament.
Tre nga deputetët opozitarë të cilët votuan pro, akuzohen për pjesëmarrje në këto ngjarje, ndërsa një tjetër për shpërdorim të detyrës dhe buxhetit gjatë periudhës sa ishte ministre.