Ballina Rajoni Bruksel, Maqedonia fillon bisedimet për anëtarësimin në NATO

Bruksel, Maqedonia fillon bisedimet për anëtarësimin në NATO

Në selinë e NATO-s në Bruksel, të enjten filluan bisedimet në mes delegacionit të Maqedonisë dhe zyrtarëve të Aleancës, për anëtarësimin e këtij vendi ballkanik. Bisedimet përfshijnë aspektet politike, ushtarake e juridike, ndërsa pritet të caktohet një afat kohor për përfundimin e procesit, që sipas pritjeve në Shkup, kjo do të ndodhë në muajin dhjetor.

Delegacionin e Maqedonisë e drejton Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska. Delegacioni u prit nga Nën-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Alehandro Alvaro Gonzales.

Autoritetet e Shkipit thonë se Maqedonia ka realizuar reforma të dukshme kundrejt arritjes së standardeve të vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik duhet edhe më tej ta modernizojë ushtrinë dhe të shtojë buxhetin për të.

Për anëtarësimin në Aleancë, duhet që ligjvënësit në Shkup t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, lidhur me emrin e Republikës së Maqedonisë.

Sipas pritjeve, Maqedonia mund të bëhet anëtare fuqiplotë e Aleancës së NATO-s në pranverën e vitit 2020.