Ballina Bota Trump dhe përpjekjet e rimëkëmbjes nga uragani

Trump dhe përpjekjet e rimëkëmbjes nga uragani

Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi përpjekjet për të ndihmuar banorët e shteteve juglindore të Amerikës, të shkatërruara nga uragani Michael. Presidenti vizitoi disa prej këtyre komuniteteve në

Florida dhe Xhorxha, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara dhe për të biseduar me banorët.

Presidenti Trump, së bashku me të shoqen Melanian, shpërndanë ujë të pijshëm dhe biseduan me banorët në qendrën e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, FEMA, në Lynn Haven, të Floridës. Ndërsa shihte dëmet e shkaktuara, ai u shpreh i habitur për fuqinë e uraganit

“Këto pemë masive të rrëzuara, kanë sjellë shkatërrime. Kudo sheh ujë, uji është i frikshëm, simodomos kur arrin në nivelin 4-5 metra, mund të shkaktojë dëme të mëdha. Nuk është parë ndonjëherë kjo gjendje, e pabesueshme…” – tha Presidenti.

Trump vlerësoi përpjekjet për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe ndihmat për komunitetet e shkatërruara:

“Shikoni ç’punë të madhe kanë bërë, të gjithë kanë bërë punë të jashtëzakonshme: FEMA, ekipet e emergjencës, policia… Ishte një stuhi e tmerrshme, dikush e krahasoi me një tornado masiv, se i tillë ishte, nuk kemi parë ndonjëherë erëra kaq të fuqishme.”

Presidenti premtoi ndihmën e qeverisë për përpjekjet e rindërtimit.

Michael ishte stuhia e tretë më e fuqishme që ka goditur Shtetet e Bashkuara. Dhjetra mijëra njerëz u detyruan të shkonin në strehime, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan, apo u bënë të pabanueshme. Kryqi i Kuq amerikan ka ngritur 27 strehime në këtë zonë.

“Dy mijë njerëz e kaluan natën mbrëmë në strehime, kemi 1,300 vullnetarë të shkëlqyer, që punojnë shumë si përgjigje ndaj uraganit Michael,”– tha Gail McGovern, e Kryqit të Kuq Amerikan.

Presidentja e grupit, Gail McGovern, thotë është një sfidë e vërtetë shpërndarja e ndihmave dhe e vullnetarëve sa më shpejt në zonat ku janë më të nevojshme:

“Do të doja të kisha një shkop magjik, për të shpërndarë sa më shpejt njerëzit, kur ndodh një fatkeqësi. Nëna natyrë mund të jetë e pamëshirshme. Kudo nëpër rrugë ka penë dhe shtylla të rrëzuara, kjo e bën të vështirë të gjenden njerëzit në nevojë, kjo merr kohë,” – tha McGail.

Kryqi i Kuq Amerikan nuk merr fonde qeveritare, por mbahet me ndihmat e donatorëve dhe vullnetarëve. Gail McGovern thotë se amerikanët tregohen zemërgjerë në raste fatkeqësish natyrore, si uragani Michael.