Ballina Bota Nikki Haley – largimi i një personi të pakompromis

Nikki Haley – largimi i një personi të pakompromis

Dorëheqja e ambasadores së SHBA në OKB paraqitet në shumë vende sikur qeveria Trump të kish humbur njërin nga zërat e paktë të moderuar të arsyeshëm. Kjo në një kohë që nuk është kështu.

Rasti Nikki Haley nuk është shkas për të kritikuar rëndë vajtje-ardhjet inflacionere, që mbizotërojnë prej kohësh në Shtëpinë e Bardhë. Vazhdon të mbetet e paqartë, nëse largimi në dukje miqësor i Ambasadores së SHBA në OKB qe planifikuar prej një kohe të gjatë dhe për të qe rënë dakord me Donald Trumpin, apo nëse përkundrazi nëse ajo planifikon që në zgjedhjet e ardhëshme më 2020 të kandidojë kundër Presidentit aktual.

Në fund të fundit, këto spekulime kontribuojnë pak për të gjykuar se si i janë imponuar SHBA botës. Në vend të kësaj le të përqendrohemi në atë që dimë, se cili është bilanci i Haleyt si Ambasadore në OKB.

E thënë e hapur: ky bilanc është më tepër i errët. Sigurisht: në periudhën e saj dyvjeçare në post ajo është angazhuar edhe për të drejtat e njeriut, aq më tepër që ajo ka qenë një ndër të paktat që edhe ka kritikuar njëherë Rusinë.

Përfaqësuese e ashpër e interesave të SHBA

Por për këtë ajo nuk do të mbahet mend. Nikki Haley nuk është vetëm njëra nga gratë më të profilizuara në kabinetin e Trumpit, por edhe një person, që thuajse si askush tjetër ka mbrojtur politikën e largimeve: me mbështetjen e saj SHBA u tërhoqën jo vetëm nga Marrëveshja e Klimës e Parisit, e mbështetur nga OKB-ja, por edhe nga Marrëveshja atomike me Iranin, nga UNESCO dhe nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Ajo do të mbahet mend që i kërcënoi përmes twitterit shtetet e tjera anëtare të OKB-së, të cilat mbështetën rezolutën thjesht simbolike kundër shpërnguljes së Ambasadës së SHBA në Izrael për në Jeruuzalem. Ajo do të mbahet mend, që imponoi një parim të ri dhe të rrezikshëm, në bazë të të cilit SHBA u ndihmojnë vetëm atyre kombeve, të cilat mbështesin plotësisht dhe në të gjithë linjën politikën e Trumpit dhe që në OKB votojnë gjithmonë njësoj si SHBA.

Michael Knigge

Dhe duhet të kujtojmë që Uashingtoni, gjatë mandatit të saj ndërpreu financimin për Fondin për Popullsinë të OKB-së dhe futi në vend të tij të ashtuquajturin Global Gag Rule: ai e ndalon qeverinë e SHBA që të mbështesë financiarisht organizata ndërkombëtare të shëndetësisë, që angazhohen për aborte.

Krahu i zgjatur i Trumpit në OKB

Në tërësi, Haley ishte një mbështetëse pasionante e politikës së Trumpit “America First”, e cila angazhohet hapur për një mënyrë unilaterale të vepruari, e cila është në kundërshtim themelor me parimet bazë të OKB-së. Stili i saj personal vërtet që ndonjëherë e zbuti qëndrimin armiqësor të Trumpit përballë multilateralizmit në OKB. Por megjithatë, ky qendrim ka qenë gjithmonë i pranishëm.

Në mbrojtje të saj mund të thoje se ajo ka bërë maksimalen për ta penguar Trumpin që të bëjë edhe më shumë dëm. Mund të thuash edhe se pasardhësi i saj mund t’i bëjë gjërat edhe më keq – por ky tren ka kohë që ka ikur. Po të kesh parasysh dëmet që ka bërë qeveria Trump në shumë fronte, nuk mund të flasësh më për atë se “mund të bëhet edhe më keq.”

Sipas të gjitha standardeve tradicionale të partisë, Nikki Haley nuk mund të karakterizohet si republikane e moderuar. Ajo ishte përfaqësuese e politikës së Trumpit në skenën globale. Nuk ka asnjë shkak, që të derdhësh edhe një lot të vetëm për dorëheqjen e saj.