Ballina Personazh Nikki Haley ambasadore deri në fund të vitit

Nikki Haley ambasadore deri në fund të vitit

Nikki Haley largohet nga posti i Ambasadores së SHBA në OKB. Përfaqësuesja e Kosovës në Nju Jork, lëshoi në mediat sociale një video, ku Haley thotë se gjyshi i bashkëshortit të saj, ka ardhur nga Shqipëria në Amerikë.

Nikki Haley bëri të martën të ditur se do të largohet nga posti i Ambasadores së SHBA në Kombet e Bashkuara. Në një konferencë të përbashkët shtypi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump njoftoi se Nikki Haley do të qëndrojë në post deri në fund të vitit.

“Nikki do largohet në fund të vitit, por unë e di që ajo do të vazhdojë të qëndrojë në kontakt me ne,” tha Presidenti Trump, i cili ka pranuar kërkesën e saj për të hequr dorë nga posti i Ambasadores në KB, një post që në SHBA ka vlerën e një anëtari kabineti. Nuk është e qartë cila është arsyeja e lëvizjes, por mediat filluan të bëjnë bilancin e punës së saj, një grua me profil të lartë në kabinetin e presidentit Trump.

Dorëheqja e saj po ndodh vetëm pak ditë pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të KB ku liderët e botës u mblodhën në Nju Jork. Një pjesë e tyre treguan qëndrime të ndryshme nga ato të SHBA në çështje si ajo e klimës, Lindjes së Mesme, Koresë, Iranit dhe multilaterizmit. Nikki Haley ka përfaqësuar me energji politikën e vendit të saj, në të cilën ka pasur edhe ndikimin e saj.

Në postin e saj si ambasadore e KB Nikki Haley u kthye në figurën kryesore të politikës së jashtme amerikane. Ajo mbështeti dërgimin e ambasadës amerikane në Jeruzalem, sanksione të ashpra kundër Rusisë, për rolin në Siri. Ajo ndali financimet e agjencisë në ndihmë të palestinezëve, UNRWA. Po ashtu ajo ashpërsoi qëndrimin ndaj Iranit. Ajo kritikoi ashpër agjenci të ndryshme KB për qëndrimin e tyre antiizraelit, dhe preu financimet.

Duke bërë bilancin e punës së saj, Nikki Haley tha “shihni çfarë ka ndodhur me SHBA në këto dy vjet në politikën e jashtme. Tani SHBA respektohet. Vendeve mund të mos u pëlqejë çfarë bëjmë ne, por ato e respektojnë atë që bëjmë ne.”

Haley ka punuar dy vitet si ambasadore për reformimin e Kombeve të Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres shprehu sot “vlerësim të madh” për punën e saj. Zëdhënësi Stephane Dujarric, tha sot para gazetarëve se pavarësisht nga diferencat midis SHBA dhe KB, Nikki Haley ka ruajtur “dialogun dhe angazhimin”. “Ambasadore Haley ka përfaqësuar pozicionin e vendit të saj, por ata kanë pasur marrëdhënie të mira pune”, tha Dujarric.

Përfaqësuesja e Kosovës në Nju Jork, lëshoi në mediat sociale një video të regjistruar muaj më parë, ku Nikki Haley thotë se gjyshi i bashkëshortit të saj, ka ardhur nga Shqipëria në Amerikë.

Haley është konservatore dhe besnike e Partisë Republikane, por ajo ka qenë zë i moderuar në parti. Më parë Haley, fëmi prindërish që kanë imigruar në SHBA nga India, ka qenë guvernatore e Karolinës së Jugut. Bashkë me dhënien e dorëheqjes Nikki Haley, tha se ajo nuk do të kandidojë më 2020 për presidente. Më parë u pat folur se ajo shihet si kandidate potenciale e partisë së saj.

Mediat kanë filluar spekullimet për pasardhësin e saj. Vetë Haley largohet duke vlerësuar shumë dhëndrrin e presidentit Trump, Jared Kushner.