Në Shqipëri, ambasadori i Delegacionit europian Luigi Soreca dhe ai i OSBE-së, Berndt Borchardt, i bënë thirrje sot forcave politike, përmes dy deklaratave të veçanta, që të përfshihen sa më shpejt në miratimin e Reformës zgjedhore. Thirrja e tyre vjen në një moment tensionesh të forta mes shumicës dhe opozitës, ndërsa kjo e fundit nuk merr pjesë në punimet e parlamentit.
Socialistët deklaruan javën që shkoi se janë në përfundim të një drafti që merr parasysh rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Këtë e nënvizoi sot dhe kryeministri Edi Rama. “Ne kemi një rekomandim. Në konkluzionet e Këshillit Europian, një rekomandim, i cili është futur fillimisht në procesin e marrjes në konsideratë nga institucionet në Bruksel përmes grupit parlamentar të CDU/CSU-së, që natyrisht ka marrë shqetësimin e shprehur nga Partia Demokratike lidhur me zgjedhjet dhe kemi marrë shumë seriozisht edhe këtë rekomandim, si të gjitha të tjerët”. Ai shpjegoi se në këtë proces “është përfshirë qeveria gjermane përmes ambasadës së saj këtu, sëbashku me dy fondacionet, fondacioni social-demokrat dhe fondacioni konservator, Friedrich-Ebert dhe Konrad-Adenauer, me të cilët ne kemi punuar, në mungesë të palës tjetër dhe kemi gati të gjithë draftin e propozimeve, bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Plus kemi punuar për muaj të tërë për të eksploruar mundësinë e pilotimit të votimit dhe numërimit elektronik. Edhe për këtë jemi gati, mjafton vetëm që pala tjetër të vijë dhe të pranojë të diskutojë dhe të biem dakord për të zbatuar në frymë, në germë, fije e për pe, të gjitha rekomandimet”.
Por nga selia e Partisë Demokratike, kryetari i saj Lulzim Basha u përgjigj duke deklaruar se sipas tij bëhet fjalë për “amandamente të cilat në kundërshtim me planin e miratuar me konsensus, nuk janë hartuar nga ekspertët që paguhen nga BE nga Gjermania, janë amandamente të hartuara nga PS. Sot ata kanë ndërmarrë një akt për të varrosur reformën zgjedhore. Është kjo mazhorancë e cila po zvarrit në limitet kohore një nga çështjet kryesore, që është ai i votimit elektronik dhe biometrik. Dhe është kjo mazhorancë e cila i ka vënë kazmën konsensusit bipartizan sepse po prezanton amendamente të njëanshme”, tha zoti Basha.
Megjithatë ambasadori i OSBE-së në deklaratën e sotme shprehet se “mirëpresim vënien në tryezë të një drafti për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Mirëpresim gjithashtu paraqitjen me një ndjesi urgjence të këtij drafti nga Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Praktikat më të mira ndërkombëtare për reformë zgjedhore kërkojnë që këto reforma të miratohen të paktën gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. I nxisim të gjithë aktorët politikë të përfshihen në dialog konstruktiv në lidhje me këtë draft. Mund të gjenden edhe mënyra të tjera për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe sugjerime të detajuara nga aktorë të tjerë politikë do të ishin ndihmë për nisjen e një dialogu domethënës”, theksoi zoti Borchardt.
Ndërsa për ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian “në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc është bërë një punë shumë e mirë për reformën zgjedhore. Këto përpjekje duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, me ndryshime në ligjin zgjedhor, të miratuara në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019.” Ambasadori Soreca nënvizoi se “reforma zgjedhore është kyç për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç edhe u theksua në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian qershorin e kaluar. Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it”, thekson deklarata.