Ballina Kryesore BUKURIA E EVOKIMIT LIRIK

BUKURIA E EVOKIMIT LIRIK

Nga Prend BUZHALA

(Libri poetik “Ngjyra janari” i Zyra Ahmetaj. Në vend të recensionit)

Diku, në brendi të vëllimit poetik “Ngjyra janari”,  Zyra Ahmetaj na e shqipton kredon dhe të vërtetën e saj për poezinë: “Në qiell të dashurisë, gjeta POEZINË.” Përmasa e parë e komunikimit na është dhuruar nëpërmes të të folurit… Madje, ajo e vë në pozicione kundrëvënëse artin me pushtetin (poezia “Diellin, t’ia kthejmë Atdheut”). E saktë: poezia nuk e rrëzon qeverinë, nuk plaçkit bankat, nuk uzurpon pasurinë e tjetrit… asnjë të keqe askujt nuk ia bën…

Lirika: nga prekjet engjëllore deri te zemërimi qortues

Është e qartë: njeriu nuk ka se si të jetë i shenjtëruar e i panjollë, si ai kryeshenjtori biblik. Por mund të jetë NJERËZOR: “të ndiejë, të qeshë, të marrë e të japë, të humbasë e të fitojë, të vallëzojë e të këndojë, të dëshirojë e të dashurojë”… Të ligjërojë për atdheun e të përgjërohet për atdheun me tone të trazuara dhe ekspresive. Madje, edhe të dëshpërohet, të frymëzohet, të ketë shpirtin e pasionit personal,… E, megjithatë, poetja është një qenie që sakrifikohet, duke dhuruar vetëm mirësi, si te poezia e bukur “O, hënë”:

Ju fal buzëqeshje, pak ngrohtësi,

e çaj errësirën, t’ju fal pak dritë;

më shumë lëndohem dhe marr arrati.

Me dashurinë time, s’u mbrujtët të gjithë.

Kësisoj, ajo na e ofron katarsisin kolektiv, nacional dhe personal, ku pastërtia e emocionit lirik, apo kristalizimi i reagimit emocional, i mënjanon ato njolla sëmundjesh në këtë kohë përjetimesh shpesh dhe neurotike; për të na ofruar vizionin e saj lirik, unik, me mundësi të reja të ekzistencës, në lirinë komplekse të gjallimit tonë.

A nuk është shkrimi zbulim i një tjetër përmase a dimensioni të komunikimit?

John Lubbock thekson: “Arti është, pa dyshim, një nga elementet më të pastër dhe më të lartë të lumturisë së njeriut. Ai e stërvit, e udhëzon a e ushtron mendjen nëpërmjet syrit, dhe syrin përmes mendjes.

Ashtu si ngjyrat janë lule të diellit, të tilla janë ngjyrat e jetës në art.”

Dhe shkrimi është një Prekje Engjëllore e gjurmëve të jetës, mendjes, imagjinatës dhe shpirtit…Le të rendim pas prekjeve hyjnore e engjëllore të lirikës së Zyra Ahmetaj, mu si te poezia “Ninullë bijës”, ku rikrijimi ndërtekstor me këngët e djepit, evokon vlerat e këndimit për formimin e së bijës, që ajo të jetë si Teuta (mbretëreshë), Shote Galica (luftëtare), motrat Qiriazi (luftëtare të dijes e emancipimit), Antigona (flijimi antik për atdheun dhe familjen), Nënë Tereza (e famës shqiptare të dashurisë universale):

Na e mbushe zemrën-detë…..!

Gjumë të ëmbël, zgjim të lehtë….!

Nin, nin-ninooooooooooooo!

Bijë e nënësoooooooooooo,

Një lirizëm fin na vjen shpesh, si një shi vere (“Shi në verë”).

Por le të përfshihemi ndonjëherë edhe nga valët e zemërimit qortues që na dhuron poetja si te poezia “Shqipes-mëmë ti lëshojmë dritën”:

Gjithë këtij llumi t’ju vëmë fshesën,

Shqipes-Mëmë ti lëshojmë dritën!

Ti lëshojmë dritën e së vërtetës;

të gjithë njësoj përballë të drejtës!

Ndonjëherë poezia e tillë na vjen dhe si kronikë a reagim emocional ndaj ngjarjeve e dukurive që cenojnë atdheun dhe atdhesinë (“Të gjithë fajtorë’ , “Me ju për drejtësi”, “Indinjatë”, “Melodia”). Herën tjetër poezia e tillë merr trajtën e një përgjërimi e lutjeje atdhetare (“Ju lutem, ju përgjërohem”- kundër ndasive fetare).

2.-Vargjet për bukurinë e kujtimit

Vëllimin poetik “NGJYRA JANARI” poetja Zyra Ahmetaj e nis me dy krijime poetike që e lartësojnë kujtimin e bukur: me poemën “NGJYRA JANARI” që i kushtohet babait të poetes Ibrahim Sefa Ahmetajt, i lindur në janar, dhe me poezinë “GJERGJI YNË, NGJALLU DHE NJË HERË” që ndërlidhet me Vitin e Gjergj Kastriotit. Thuhet se kujtimet e bukura na ruajnë nga harresa! Kësisoj, poetja Zyra Ahmetaj e nis me vendlindjen e me një ditëlindje (prindi ka vetëm ditëlindje). Nga evokimi familjar ajo kalon te evokimi historik që ndërlidh kohët. Pesha e historisë është e madhe, ashtu sikundër dhe pesha e kujtimeve evokuese të vendlindjes është e pamatshme:

Ngjallu me atë shpatën trime!

I gjyko të gjithë shekujt!

Oh, sa shumë që kemi dhimbje;

dot s’e mbajtëm amanetin!

Gjithçka nis me familjen e me vendlindjen, për ta konceptuar, mandej, plotninë e Atdheut. Gjithsesi, idealizimi i prindit lartësohet me nota të epërme lirike:

Themel i palëkundur

i godinës së jetës time.

-Kështjellë e pamposhtur,

në mbrojtjen e saj.

-Tempull i dritësuar,

Nuk është e habitshme, prandaj, përse në vargjet e Zyrasë këndohen malet dhe lumenjtë, vend-toponimet e Veriut, Tropoja dhe Shkelzeni, Valbona (“Vajtim i Valbonës”) dhe Malësia, më tutje këndohen Mirdita (“O Mirditë e mrekullive”) dhe Kosova, Çamëria (Poezia “Ju flet Çameria”) dhe e tërë Shqipëria. Dashuritë më të mëdha janë pikërisht këto që i këndon poetja: familja, vendlindja dhe Atdheu. Qielli, ujërat, malet, njerëzit, ngjarjet dhe përjetimet, janë ato që e ruajnë të paprekshme mrekullinë dhe krenarinë.

Kreshtat mbajnë kokën te retë,

bjeshkët tua-mrekulli,

Aty shqipet ngrenë foletë

dhe kreshnikët janë aty.

 

I ke zanat, shtojzavallet,

krojet, rënd-akull të ftohtë.

Shpesh ruralja mitike idealizohet (Poezia “Fshatarja”).

E si shpaloset Bukuria e kujtimit?

Askush më mirë se sa poezia nuk mund ta shtjellojë e ta shpleksë magjinë e kujtimeve, bukurinë e jetës, mahnitjen ndaj së bukurës në jetë e në art, nderimin e thellë ndaj miqve e miqësisë:

Kam një mik, një poet,

rrumbull bënte një qytet.

Sa i mbarë aq dhe “Hor”

me shaka dhe me humor.

 

E takoja për çdo ditë;

rruga mbushesh gaz dhe dritë.

Plot gëzim na mbushesh zemra

kur tregonte vargje dhe bëma.

E po, gjithçka që e mban njeriun aq fort të lidhur me vendlindjen, janë pikërisht këto kujtime të bukura. Shekspiri thotë: “Duke lavdëruar atë që është e shkuar, kujtimi është i dashur.” Kurse Jane Austen shton: “Kujtimet dhurojnë kënaqësi.”

Poezia është ajo që zgjon kujtimin, mu si atë bukuroshen e fjetur në legjendat dhe përrallat e fëmijërisë, apo te mitet e papërsëritshme shqiptare:

Jam Lahuta e Malsisë,

me kreshnikë, Zanat më dhan sisë.

Shkreptijë në male, brigje e lugje;

gjak heronjsh e kthyer në lule.

Madje, krijimi poetik na vjen dhe si shpalosje e mrekullive të evokimeve etnografike shqiptare, si te poezia “Dita e verës”.

djem dhe vajza të bukura të fshatit tim,

Mblidhni dëllinja, busha, shkarpa

dhe bëni flakë e tym!

Lart, gjer në qiell me yje të mbërrijnë;

ti trëmbin gjithë botës veset dhe ligësitë! (…)

 

-Me një dragua fluturak,

më dërgoni hisen e zjarrit!

-Me një pëllumb të shkruar,(…)

 

Me një bilbil-zëmagjik të malit,

dërgomëni, simfoninë e bukur,

të bleruar; të dalldisur të Marsit!

Ky evokim, duke u shkrirë e bërë njësh me poezinë, sikur rrjedh me frymëzimet e pandalshme të poetes, buron e rend e krijohet gjithë pasion, është ajo rrjedhë e energjisë që çliron, është vetë energjia e jetës, janë momentet e ngritura emocionale të frymëzimit, si poezia “Dritarja”:

më vjen zëri i prindërve nëpër punë munduar.

Më vjen zëri i kumonve të bagëtive,

sa herë që lëshoheshin dhe ktheheshin shtëpive.

më vjen zëri i ndonjë miku, në derë kur thërriste.

 

Më vjen gëzimi i prindërve për bijat,

kur vinin me mbesat e ëmbla dhe nipat,

kur gjallërohesh plot gëzim shtëpia.

Tani të shoh dritarja ime e vyer,

dritën tënde e çmoj përjetësisht.

 

Dhe e ndryshkur, më je e shtrenjtë, e mirë.

Më je mallë, i shtrenjtë, i pa shuar,

më je kujtim i rinisë time të lënduar,

Më je përjetësisht,dashuri e dritëzuar!

Vijnë me aromën e së bukurës, dhe, si e tillë, kjo lirikë dhuron aromën e bukurisë së këtij kujtimi, hap kujtime të këndshme, nxit ndjesi kënaqësie, tërheq një energji pozitive dhe shndërrohet në mbështetëse të lumturisë, gëzimit, sigurisë dhe besimit.

John Keats, poet anglez, na e përkujton: “Poezia duhet … ta godasë lexuesin me formulimin e mendimeve të tij më të larta dhe e gjitha të duket pothuajse një kujtim.”

3.-Besëlidhja poetike: bashkëkohësia dhe idealet e kujtesës

Nuk është e habitshme, përse poetja aleate të kësaj kujtese, e ka dhe të sotmen, aktualitetin, kohën, jetën e gjallë përreth, e sidomos, te kjo besëlidhje poetike me kujtesën, na shfaqet si aleat i mirë reflektimi, mendimi (“Zana e bjeshkëve”).

Poetja vëzhgon edhe ato gjëra e ndjesi që të tjerët zor se i shohin a vërejnë.

Ajo e ka sekretin e saj: shpengimin, mbasi ajo nuk kërkon të harrojë asgjë.

Ajo tashmë ka formuar përvojën e saj në ripërjetimin dhe në rishikimin e çasteve, gjërave, vlerave, ngjarjeve, të dashurve.

Në kujtesën e tillë nuk ka humbje, në kujtesën e tillë ka trashëgimi, ka thesare trashëgimie, ka mall (poezitë “Malli”, “Një kujtim”). Poetja shikon të kaluarën, por arrin të kundrojë së brendshmi, duke na e dhënë më të freskët, më të ndjeshme, më të bukur, dhe e bën më të harmonishme për rolin e saj kryesor: rolin parimor për të shikuar përpara.

Lirika e Zyrasë, e çiltër dhe shpresëdhënëse, kërkon nga njeriu që të jetë i angazhuar me qenien e tij në krijimin e mbrojtjen e vlerave njerëzore, kombëtare e shpirtërore. Kërkesa e tillë shtrohet si ndërgjegje shoqërore që i bashkon njerëzit, që i sheh së bashku, si miq, si bashkësolidarë a bashkatdhetarë. Njeriu i tillë është edhe kreativ, paçka se mund ta bëjë edhe ndonjë gabim a mëkat. Shkrimtari dhe veprimtari hebre, Elie Ëiesel, thotë: “Ia kam kushtuar jetën time parimit dhe idealit të kujtesës dhe kujtimit.” Te ky ideal kujtese, evokohen dëshmorët e Kosovës që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, si Antigona Fazliu (poezia “Bijë e shqipes- Antigona”, apo ajo për Ilaz Kodrën:

S’është veç e Iliazit kjo kala trimërie,

është maje Prekazi,-zemër Ilirie.

O kullë e gurtë që ndriçon fanar,

tregona betejat e bijve luftëtar!

Me tone të tilla, heroizmi, na vjen edhe poezia “Mos harroni”.

4.-Dy nivele të shkrimit lirik

Është poetja, që, kur hidhet nga emocioni te reflektimi, atëherë lirika ndihmon në formësimin e proceseve meditative dhe të atyre të vendimmarrjes, gjithnjë duke ia lëshuar fronin kësaj energjie frymëzimi e mendimi. Kësisoj ndërthuren dy nivele: niveli artistik që i bën më të ardhura vlerat e artit, dhe në nivelin shpirtëror, ku ngrihet e rritet në një shkallë më të lartë përgjegjësia vetjake dhe artistike për ruajtjen e vlerave të jetës dhe artit. Edhe kur poetes i pëlqen që të jepet pas një këshille, pas një qortimi, e besa edhe pas një revolte a kundërshtimi, atëherë këto nivele të shtresimeve poetike shpalosin karakterin e etikën e fortë që, me mesazhet e saj, e drejton lexuesin për të marrë hapat e nevojshëm e për të krijuar qëndrimet e shëndosha e të pjekura në jetë, në familje e në shoqëri.

Mos u krekos nëse dikush të kerkon falje!

Shpesh nuk ka faj, ai që falje kerkon.

A mos ti vetë, të lëndosh, ke qasje;

ndërsa ai, në emër të harmonisë, fisnikëron!

Me një fjalë, ajo pikësynon lirikën e ekuilibrit të jetës, dhe të drejtpeshimit të vlerave të artit. Lirika,

kund e kund, derdhet nëpër vargje autobiografike të vetvetes, familjes dhe rrethit.

Sado të na duhen sakrifica dhe angazhime,

sido të na përplasin fati në jetë;

vëlla i dashur, je vetë zemra ime;

je kënga dhe poezia ime e vertetë.

Ajo e thërret, me muzat e saj, këtë zë kujtese, sepse assesi ajo nuk dëshiron që t’i fshijë kujtimet e bukura, sado që aty këtu ka një tis dhimbjeje, mundimesh apo dhe skepse, si sintetizohet kjo te poezia “Ankth”:

Ka veç një shpjegim:

-Jetë me shumë pamundësi.

Apo përfundimesh tragjike: si ajo e gjyshit të saj, që ka rënë dëshmor e familja i shpallet

mandej, me “njollosje në biografi” nga diktatura! Por, te ky tis i tillë, ka krenari e pastërti karakteri e jete, e jo “njollosje”!

Ky kujtim i bukur zgjohet, sidomos, nga mosha e rinisë. Gjithçka është e bukur te rinia; sinonim i kësaj rinie, janë ecja përpara në jetë, vrulli, mosdorëzimi përpara vështirësive, sinonime të saj janë dhe kënga, qeshja, vallja, dashuria… sikundër na vijnë lirikat “Zëri yt”, “Fati im”, “Përse më erdhe në ëndërr”, “Fotografitë”, “Mikes çapkëne”, “Ndonjëherë kujto atë kohën e vjetër” (një rrëfenjë e bukur dashurie) apo “Në det”:

Stërkalat e valëve-stoli dashurie.

Dielli përgjoi me nota xhelozie.

Në gërshet me emocionin e bukur të dashurisë, vijnë dhe vlerat tjera të jetës, si te poezia

“Përqafimi”. Më tutje këndohet një gjeopoetikë atdhesie (poezia “Barrikadë për mizori”).

Sado që në këso rastesh “zbresin” notat e frymëzimit të lartësuar, duke u shndërruar nganjëherë dhe një vargëzim tribunal, në një tribunal lirik; megjithatë, kur poetja e ndjek zërin e saj burimor të këndimit, kur iu ikën moralizimeve, sforcimit të këshillimeve, tonit të kronikës së ngjarjeve etj; poezia na shqiptohet më e bukur, më e ardhur.

5.-Vizioni unik lirik, me pasionet dhe ëndrrat

Botën teknologjike dhe atë të ndryshimeve, shpesh e karakterizojnë lëvizje të shpejta, ku njerëzit ndjehen të hutuar, të tjetërsuar, shpesh madje, gjenden dhe në rrugë të gabuar, larg nga vlerat e vërteta themelore. Është një kohë kryqëzimesh të reja për dinjitet, vetëdije, ndërgjegjësim, shenjtëri atdhetare e njerëzore etj, kundruall forcës së pushtetit, diktaturave pushtuese, manipulimeve politike, mashtrimeve e përvetësimeve skandaloze, socialitetit të rëndë… Në këso rastesh, poetja na vjen e menduar, e zhytur në realitetin e kohës, si te poezia “Amaneti” apo “Dhimbje dhe turp”, ku tonet elegjiake shpërthejnë me dhimbje të thellë, me humanizimin e përmasave të prekshme të këtij emocioni. Diku tjetër ajo arrin të na ligjërojë dialektikën e jetës, ndryshimeve dhe lëvizjeve (poezia “Mjegulla”). Të duket sikur poetja po thur një apokalips lirik, ku mbizotërojnë demagogjia, hipokrizia, lakmia dhe varfëria, ashtu si ata katër kalorësit e apokalipsit, që i shkaktojnë dridhje kohës sonë. Por jo! Ajo e mposht këtë skepsë me vizionin e saj unik lirik, me pasionet dhe ëndrrat, me thesaret e lëndës së befasishme poetike, të zhytur në mendime …

Poetja dëshiron të jetë dhe një dëshmitare kohe e historie, ajo i bën betejat e saj duke qëndruar gjithnjë në anën e së mirës, po dhe në anën e Fjalës së lirë, në anën e kumbimit të bukur të poezisë (poezia e saj është përgjithësisht e rimuar e me varg të matur). Ndodh kështu, sepse poetja e konsideron poezinë si një shprehje kulmore të shpirtit të njeriut, një përvojë risimtare që nuk ka të krahasuar, një frymë autentike e këndimit.

 

Maj, 2018

Vëllimi poetik “Ngjyra janari” i poetes Zyra Ahmetaj. Konsulent: Ali Sylaj & Xhane Imeraj. Piktor: Adriatik Baliaj. Përgaditi për botim: Roland Lushi. Botues & ballina & struktura grafike “ADA” – Tiranë, 2018.