Ballina Aktualitet Adill Milushi u zgjodh sekretar i Kuvendit të Plavës

Adill Milushi u zgjodh sekretar i Kuvendit të Plavës

Plavë – Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur të hënën më 24 shtator, në sallën e vogël të Qendrës për kulturë, në debatimin e gjatë që këshilltarët zhvilluan rreth çështjes të seancës së sotme a është vazhdim i seancës konstituive, siç e kishte koncipuar dhe thirrur kryetari i Kuvendit të Komunës, Shefket Jevriq, apo vazhdim i seancës së rregullt, reagoi kryetari i deritanishëm i KK-së, Izet Haxhimushoviq (PSD), duke theksuar se seanca e sotme nuk është vazhdim i seancës konstituive, po vazhdim i punës së seancës së rregullt të KK-së.
“Seanca konstituive ka përfunduar me zgjedhjen e kryetarit të KK të Plavës, e kjo e sotmja është seancë e rregullt, me rend të ri të rendit të ditës”, ka konfirmuar Z. Haxhimushoviq.
Pas konsultimeve të përfaqësuesve të klubeve të subjekteve politike që participojnë në Kuvend, është vendosur që seanca të vazhdojë punën.
Mirëpo, para fillimit të punës së seancës, kryetari dhe këshilltari i grupit të zgjedhësve në zgjedhjet e kaluara lokale “Zgjedhim Plavën”, por edhe kryetar i Komunës së Plavës në mandatin e kaluar, Orhan Shahmanoviq, ka pyetur kryetarin aktual të KK-së Shefket Jevriq, pse nuk ka procesverbal nga seanca e kaluar siç është praktika e deritashme, të dihet shkaku? Kryetari Jevriq është përgjigjur se seanca e sotme sipas tij është vazhdim i seancës së kaluar konstituive, dhe se procesverbali unik (i përbashkët) do të parashtrohet për shqyrtim dhe miratim në seancën e radhës të KK-së.
Ndonëse rendit të ditës nga seanca e kaluar i janë shtuar dy çika të reja, këshilltarët janë dakorduar që në vazhdim të seancës të punohet sipas rendit të ditës të miratuar më parë, kurse dy pikat e reja të shqyrtohen së bashku me të tjerat në seancën e re që do të mbahet fill pas përfundimit të kësaj.
Kryetarja e Këshillit për zgjedhje dhe emërime, Sanija Srdanoviq, ka paraqitur emrat e anëtarëve që do të përfaqësojnë organet e punës në institucionet publike dhe këshillat e ndërmarrjeve, si dhe emrat e komisionit të ri zgjedhor komunal, por edhe të atyre për hartimin dhe koncipimin e rregullores së punës të Kuvendit të Komunës së Plavës dhe emërimin e komisionit për hartimin e propozimit të Statutit të Komunës së Plavës dhe të rregullores së punës së KK-së.
Me këtë është përmbyllur puna e vazhdimit të seancës së rregullt të KK-së dhe pas pauzës prej pesë minutash, është hapur seanca e re, për punën e së cilës është propozuar dhe miratuar njëzëri rendi i ditës prej katër pikash.
Të 24 këshilltarët e pranishëm prej 31 sa numëron gjithsej kuvendi, njëzëri për sekretar të ri të Kuvendit të Komunës së Plavës zgjodhën juristin e diplomuar nga Plava, Adill Milushin, kur edhe i pushoi mandati sekretarit të deritanishëm, Millomir-Millo Dashiq.
Përkitazi me pikën e dytë të rendit të ditës – Vendimi mbi të ardhurat e të punësuarve në Komunën e Plavës, përpunuesi i materialit, Mirallem Feratoviq argumentoi se me Ligjin e ri mbi Administratën lokale të datës 2 janar 2017, janë paraparë vende të reja të punës, ndër të cilat edhe nënkryetarët e komunave dhe menaxheret, të cilët deri me tani nuk kanë ekzistuar.
Në vazhdim të punës së seancës, këshilltarët kanë debatuar edhe për Propozim vendimin mbi dorëzimin (lëshimin) në administrim dhe shfrytëzim të përkohshëm të Qendrës rekreativo-sportive në Murinë, Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi. Përpunuesi i materialit, Rusmin Bajraktareviq, ka sqaruar se komuna e cila mbi ndonjë pasuri të tundshme apo të patundshme ka autorizime të caktuara, të njëjtën mund t’ia lëshojë (dorëzojë) Qeverisë në shfrytëzim të përkohshëm, me ose pa kompensim.
Theksojmë se para fillimit të punës së vazhdimit të seancës, është bërë verifikimi i mandatit të këshilltarëve të ri, të cilët zëvendësuan këshilltarët të cilëve u pushoi mandati për shkak të zgjedhjes apo emërimit në detyrë të re: tre këshilltarëve të socialdemokratëve të Malit të Zi, Jellena Otasheviq, Demir Gjesheviq dhe Vlladimir Knezheviq, në vend të Dr. Bllazho Stijoviq, Mirsad Bajraktareviq dhe Mirallem Feratoviq dhe këshilltarit të Frontit Demokratik Bogosllav Jashoviq në vend të Millun Zogoviq (deputetit të Parlamentit të Malit të Zi).

Sh. Hasangjeka