Nga Petrit Kuçana
Ajo kishte më shumë qarje me ngashërim sesa fjale. Vajzës së re iu desh pak kohë të merrte veten.
Kishte udhëtuar nga larg, pasi kishte marrë vesh se një deputete e parlamentit shqiptar, do të takohej me to, në zyrat e një organizate shqiptare këtu në Londër, “Shpresa Programme”.
Ishte hera e parë që ndodhte diçka e tillë. Dukej më shumë shfryrje sesa gjithçka tjetër.
Krejt të pakuptimta dukeshin fjalët e politikanes shqiptare, si ligjëratë e çuditshme për përmirësimin e ligjeve që ishin bërë nga shteti shqiptar, përpjekjeve të qeverisë për të adresuar këtë fenomen etj etj.
Ishin prezentë edhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme Britanike, që mbanin shënim dëshmitë e kësaj vajze, ku fjalët e mezi-shqiptueshme mes lotësh, e lanë pa fjalë deputeten e parlamentit shqiptar.
Ajo ishte Xhisiela me një emër tjetër, që i tregoi deputetes shqiptare edhe denoncimet që kishte bërë në polici, edhe sjelljet e punonjësve të policisë në atë lagje, jo aq të largët nga kryeqyteti shqiptar, kalvarin e vuajtjeve të saj derisa kishte arritur në Londër.
Kjo xhisielë të kujtohet ndërsa ne median shqiptare emri i saj u bë kryefjalë, e kushedi si do të ndjehen ato xhisielë që ju rrëfye deputetes shqiptare të mazhorancës. Ato e dijnë e mbase e kanë provuar se rrahmanët zyrtarë mund të jenë edhe përdhunues, por kanë mbrojtje nga pushteti dhe nuk guxon kush t’i ndalojë, megjithë sorollatjet nëpër komisariate.
Por Xhisielat shqiptare janë gjithandej nëpër Londër.
Është një radhë që duket se nuk ka të mbaruar, duke na zënë krejt gafil me pyetjet se “çfarë po ndodh në Shqipëri?!”, nga miq të shqiptarëve.
Xhisielat shqiptare janë në vendin e parë, në raportin e Britanikëve. (mjafton një kërkim i thjeshtë në National Crime Agency)
Lajmet në median britanike plasohen rëndshëm, në tablonë e sterrosur të vendit mesdhetar. Lajme që kapërdihen lehtësisht në Shqipëri dhe nuk ka shans për ndonjë ndërgjegjësim, që duhet të ishte një shkundje e opinionit publik, e zyrtarët shqiptarë me patjetër duhet të ngriheshin rrëmbyeshëm nga kolltuqet e tyre, të ngrohtë sigurisht.
Treditëshi i lajmit kalon shpejt andej, e rreshtat xhensilave në Londër shtohen, si dhimbja.
I sheh gjithandej nëpër dyer avokatësh, në dyer psikologësh, në dyer gjykatash, me gjysmë-shpresë se kushedi fati do të jetë në anën e tyre.
Nëse nuk janë të gjitha të përdhunuara, të dhunuara fizikisht, apo të trafikuara; ato xhensila janë së pari mjerisht, pasqyrë e shoqërisë shqiptare në sytë e të huajve.
Janë faqja jonë e zezë, dëshmia e gjallë e zvetënimit të çdo lloj ëndrre, ku duhej të zgjidhnin mes ankthit dhe makthit për të ikur nga ai vend që u mori gjithçka… edhe shpresën.
Janë me mijëra tregime të xhensilave shqiptare nëpër rrugët e Londrës, në ankthin e pafund të pritjes së përgjigjes nga autoritetet britanike.
E shumë prej tyre kanë vite e vite që qëndrojnë në të zezën, në kushtet e mbijetesës, ku nuk mund të gëzojnë asnjë të drejtë, as atë të shërbimit shëndetësor, por besojnë që ja vlen barra qeranë, pasi nuk mund të pranojnë që rrahmanët zyrtarë të jenë përcaktuesit e jetës së tyre.
Mbase ato nuk janë të gjitha që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera universitetet, që dinë dy tre gjuhë të huaja, por që nuk pranuan të jenë sekretare fund shkurtëra të rrahmanëve të zyrave shqiptare.
Që kushedi nuk pranuan të jenë as dashnoret e rrahmanëve të lagjeve, të atyre të fortëve me makina luksoze, atyre të fotove ose jo, ku shteti u gjunjëzohet, pasi janë hambar votash.
Janë ato xhisiela që nuk patën fatin të kishin rrahmanë si kushërinj apo të afërm, nëpër poste të larta si e vetmja mënyrë mbijetese. Ato nuk pranuan as të zhyten në sofrën e ndonjë partie, si mbijetesë, por që gjetën largimin si mënyrë shpëtimi.
Nga aty ku duhet të paguash të zësh një vend pune, se “vendet e mëdha” janë të zëna, konkurrenca fillon e mbaron me njohje dhe s’ka zot të shkulë atë zinxhirin e ndryshkur të mikut lart. Janë me mijëra e mijëra histori xhisielash shqiptare nëpër shkresurinat e Ministrisë së Brendshme Britanike.
Shumë e shumë nga xhisielat shqiptare mbeten në rreshtim e madh të pritjes nëpër metropolin britanik dhe më gjerë me shpresën e vetme, se nuk do të kthehen tek rrahmanët shqiptarë.
E lajmet se xhisielat shqiptare zënë vendin e parë në Britani sfumohen edhe kur shifra e tyre nuk njeh zbritje dhe as kërkesat e përsëritura të palës britanike për luftën ndaj trafikut nuk duket se bëjnë punë.
Madje ka një ligj (ligji Nr. 98/2013 mes shqipërisë dhe Britanisë për transferimin e përsonave të dënuar) që kurrë nuk u zbatua.
Arsyen se pse britanikët nuk kanë pranuar ta zbatojnë dihen.
Ajo çfarë nuk dihet është se deri kur xhisielat shqiptare do të jenë në vendin e parë në Britani.