Nga Ivica Petrovic
Presidenti i Serbisë Vuçiq është takuar në Moskë me preseidentin rus Putin. Një prej temave kryesore – Kosova. Analistët serbë flasin për vizitën e fundit të Thaçit në Ujman.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin e ka mbështetur politikën e Serbisë për Kosovën, me fjalët se për Moskën është e pranueshme vetëm një marrëveshje me të cilën dakordohed edhe Beogradi. Putin dhe Vuçiq kanë biseduar edhe për raportet mes Rusisë dhe Serbisë, forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investimet ruse në Serbi. Sa i përket rajonit, Putin tha se këtu ka shumë tema të cilat duhet të trajtohen. Ndërsa Vuçiq në prag të takimit kokë më kokë tha, se “situata në Ballkanin Perëndimor është e komplikuar” dhe se Serbia “po u nënshtrohet provokimeve, ndonëse ajo do paqe dhe stabilitet”. “Zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende tepër larg”, theksoi presidenti i Serbisë, duke shtuar se vendi i tij është i vetmi i pavarur në rajon dhe si i tillë dëshiron të mbetet.
Gjendja në Kosovë dhe vizita e Thaçit në Ujman
Një prej temave kryesore të takimit, siç thonë analistët në Beograd, do të jetë gjendja e krijuar javët dhe muajt e fundit në Kosovë, e në veçanti pas vizitës së presidentit Thaçi në Ujman, që nga Beogradi është quajtur provokim i hapur. Kjo ka ndikuar që Beogradi të rrisë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.
Presidenti i Serbisë Vuçiq ka deklaruar se Perëndimi nuk ka reaguar si duket pas kësaj vizite të Thaçit në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Ndërkohë që KFOR-i ka kumtuar se ata nuk kanë njohuri për shkuarjen në veri të njësisë speciale Rosu. Vet Thaçi u shpreh se në veri ka qenë për të pirë kafe dhe se për shkuarjen atje “nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë leje prej askujt”.
Analistët në Serbi e kanë quajtur njësinë Rosu “terroriste”, ndërsa disa media bulevardeske thonë se “Shiptari (fjalë ofenduese për shqitparët) janë futur në Gazivodë dhe pas pak kanë ikur. Presidentin Thaçi e kanë quajtur „Mjeran, që iku si era nga Gazivoda (Ujmani)!”.
Shetitja e Thaçit
Politologu Boban Stojanoviq thotë për DW, se Thaçi e ka bërë këtë “provokim” për dy arsye: Në radhë të parë për shkak të pozitës së tij politike në Kosovë, sepse ka dallime të mëdha për drejtimin e dialogut në Bruskel. E në kohën kur Thaçi vizitonte Ujmanin në Prishtinë protestonin me mijëra njerëz kundër tij.
Stojanoviq thotë, se arsyeja e dytë ishte përgjigja e Thaçit ndaj Vuçiqit, i cili së fundi e ka vizituar Ujmanin. “Thaçi ka dashur të tregojë se edhe ai mund të vizitojë veriun e Kosovës dhe Gazivodën. Ai ka dashur të tregojë, se policia e Kosovës mund të ushtrojë sovranitetin në tërë Kosovën.”
Kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Milovan Drecun tha se vizita ishte një provokim i panevojshëm, duke shtuar se ky provokim duhet harruar sa më parë, sepse në të ardhmen do të ketë edhe provokime të tjera. Por analistët në Beograd janë të një mendje, se Thaçi nuk do ta vizitonte Ujanin, sikur ta dinte se Vuçiqi do të përgjigjej me dërgimin atje të ndonjë force ushtarake apo policore.
„Thaçi e ka ditur se Serbia nuk guxon të reagojë, po ai nuk ka dashur të provokojë tensione dhe trazimin e paqes. Mendoj se Thaçi e ka ditur se nuk guxon të ketë ndonjë provokim me armë”, pohon Stojanoviq.
Serbët e zemëruar me Perëndimin
Sjellja e KFOR-it në është vlerësuar në Beograd si e papranueshme. Marko Gjuriq, shefi i Zyrës së qeverisë serbe për Kosovën tha, se “Brukseli duhet të presë edhe një kohë të gjatë deri në vizitën e ardhshme të presidentit Vuçiq”. Ndërsa vet Vuçiq tha se “një lloj dialogu duhet të vazhdojë”, por nuk tha se në ç’formë do të vazhdojë ai.
Analistët në Beograd thonë se presidenti Vuçiq ka dërguar disa herë kohët e fundit mesazhe për pakënaqësinë e tij me Perëndimin. Ata mendojnë se Vuçiq do të vazhdojë me zemërimet e tij, sepse shumë perënndimorë nuk i janë përgjigur fare thirrjeve të tij telefonike. Ndaj ka vendosur që këtë çështje ta shtjellojë edhe me Rusinë dhe Putinin.
Por Stojanoviq mendon se Vuçiqi tani po përpiqet të ndërrojë strategjinë ndaj Kosovës. Së pari ka menduar të shpallë ndonjë referendum për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por tani kur duket se kjo strategji nuk do të kalojë, është e mundur që ai të mbajë zgjedhje të reja, në të cilat do të garonte me strategjinë e re për Kosovën, e cila nënkupton edhe përkufizimin me shqiptarët. / D.W./